1Atëherë Tobia iu përgjigj Tobitit, të atit, e i tha: «Gjithçka më urdhërove do ta zbatoj, o atë,
2por si t'ia marr argjendin Gabaelit, që as e njoh e as më njeh? Çfarë shenje t'i jap, që të më njohë, të më besojë e të më japë argjendin? As udhët për në Medë nuk i njoh e nuk di si të shkoj atje».
3Tobiti iu përgjigj Tobisë, të birit, e i tha: «Ai më ka dhënë një letër të shkruar me dorën e vet dhe unë i kam dhënë një letër të shkruar me dorën time. E ndava më dysh dhe secili mori nga një copë, por unë e lashë gjysmën me argjendin. Tani, ja, kanë kaluar njëzet vjet që kur i kam lënë ato para. Tani, o bir, kërko një njeri të besuar, që të vijë me ty dhe do ta paguajmë për kohën deri në kthimin tënd. Merri ato para prej tij».
4Tobia doli, kërkoi një njeri që të shkonte me të në Medë dhe që e njihte udhën. Doli dhe gjeti engjëllin Rafael, i cili qëndronte para tij, por nuk e dinte se ishte engjëlli i Perëndisë.
5Atëherë e pyeti: «Nga vjen, djalosh?». Ai u përgjigj: «Nga bijtë e Izraelit, vëllezërit e tu. Erdha këtu për të punuar». E pyeti: «A e di rrugën për në Medë?».
6Iu përgjigj: «Po, kam shkuar shpesh herë atje. I kam provuar ato udhë dhe i njoh. Kam qenë shumë herë në Medë dhe kam bujtur te Gabaeli, vëllai ynë, që banon në Rages të Medës. Nga Ekbatana në Rages udha mban dy ditë, se është në malësi».
7Atëherë Tobia i tha: «Më prit pak, djalosh, sa të shkoj e t'i them tim eti. Kam nevojë të vish me mua dhe do të të jap shpërblimin».
8Ai iu përgjigj: «Të pres, por mos u vono shumë».
9Tobia u kthye për t'i treguar të atit, Tobitit, të cilit i tha: «Ja, e gjeta një njeri nga vëllezërit tanë, bijtë e Izraelit». Ai iu përgjigj: «Ma thirr atë njeri, se dua të di nga cila gjini e cili fis është dhe a është i besës për të udhëtuar me ty, o bir».
10Tobia doli, e thirri e i tha: «Djalosh, im atë po të thërret». Ai hyri dhe Tobiti e përshëndeti i pari, por ai iu përgjigj: «Edhe ty t'u shtoftë hareja!». Tobiti ia ktheu: «Ç'hare të kem unë? Unë jam një njeri me sy të shuar nuk e shoh dritën e qiellit, por rri në errësirë si të vdekurit që nuk shohin dritë. Edhe pse jam gjallë, mes të vdekurve jam. Ua dëgjoj zërin njerëzve, por nuk i shoh». Ai i tha: «Qëndro, se Perëndia do të të shërojë shpejt. Mbahu». Atëherë Tobiti i tha: «Tobia, im bir, dëshiron të shkojë në Medë. A mund të shkosh me të e t'i prish? Unë do të të jap shpërblimin që të takon, vëlla». Ai i tha: «Mund të shkoj me të dhe i njoh të gjitha rrugët, se kam qenë shpesh në Medë e i kam përshkuar të gjitha fushat e saj. Ia njoh malet dhe të gjitha rrugët».
11Tobiti e pyeti: «Vëlla, nga cila shtëpi je e nga cili fis? Tregomë, vëlla».
12Ai iu përgjigj: «Ç'të duhet fisi?». Tobiti i tha: «Dua të di me të vërtetë i kujt je, vëlla, dhe si e ke emrin».
13Ai iu përgjigj: «Unë jam Azarjahu i Ananisë së madh, njërit prej vëllezërve të tu».
14Tobiti i tha: «Qofsh me shëndet e Zoti të ruajtë, vëlla. Mos u hidhëro që të pyeta, se doja të dija të vërtetën dhe atësinë tënde. Na dole vëlla e qenke nga një fis i mirë e i mbarë. Unë kam njohur Ananinë dhe Natanin, dy bijtë e Shemeliut të madh. Ata vinin me mua në Jerusalem, luteshin me mua atje dhe nuk janë bjerrë. Vëllezërit e tu janë njerëz të mirë. Edhe ti je nga rrënjë e mirë, prandaj mirë se na erdhe!».
15Pastaj i tha: «Do të të jap si shpërblim një dhrahmi në ditë dhe ç'të nevojitet për udhë ty e tim biri.
16Shko me tim bir dhe do të ta shtoj shpërblimin».
17Ai u përgjigj: «Do të shkoj me të e mos ki frikë. Shëndoshë do të shkojmë e shëndoshë do të kthehemi te ti, se rruga është e sigurt». Tobiti i tha: «Paç bekimin, vëlla!». Pastaj thirri të birin e i tha: «Bir, përgatit çfarë duhet për rrugën e shko me vëllanë tënd. Perëndia që është në qiell ju ruajtë deri atje dhe ju ktheftë tek unë shëndoshë. Engjëlli i tij ju shoqëroftë e ju mbrojtë!». Tobia u nis për udhë dhe puthi të atin e të ëmën. Tobiti i tha: «Shko me shëndet».
18E ëma qau e i tha Tobitit: «Pse po e nis tim bir? A nuk është ai shkopi i duarve tona dhe a nuk na prin kur shkojmë e kur vijmë?
19Paraja mos e zëntë paranë! U bëftë pleh për birin tonë!
20Jeta, që na e dha Zoti, duhet të na mjaftojë».
21Ai iu përgjigj: «Mos hyr në mendime. Biri i ynë po niset shëndoshë e shëndoshë do të kthehet. Do ta shohësh me sytë e tu ditën kur do të kthehet shëndoshë te ti.
22Mos hyr në mendime e mos ki frikë për të, motër, se do ta shoqërojë një engjëll i mirë, do t'i shkojë udha mbarë e do të kthehet shëndoshë».
23Atëherë ajo pushoi së qari.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.