Siraku 50 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Simoni, biri i Onisë, prift i madh,

e ndreqi shtëpinë sa qe gjallë,

në kohën e tij e forcoi tempullin.

2Hodhi themelet për murin e dyfishtë,

murin e lartë që rrethon shenjtëroren.

3Në kohën e tij u hap sterna e ujit,

një pellg rreth e qark sa deti.

4U kujdes që populli të mos rrënohej,

forcoi rrethimin e qytetit.

5Sa i lavdishëm ishte, rrethuar me popull,

kur dilte nga veli i tempullit!

6Si ylli i dritës mes reve,

si hëna e plotë për festë,

7si dielli që shkëlqen mbi tempullin e të Tejlartit,

si ylberi që ndrin në renë e lavdisë,

8si bula e trëndafilit kur çel rishtas,

si lilaku ku buron uji,

si filiz Libani në një ditë vere,

9si zjarri e temjani në temjanicë,

si enë prej ari të rrahur,

stolisur me çdo gur të çmuar,

10si ulliri mbushur me kokrra,

si qiparisi lartuar në re.

11Kur vishej me petkun e lavdisë,

vishej me madhështi të përkryer,

ngjitej tek altari i shenjtë,

i jepte lavdi rrethinës së shenjtërores.

12Kur merrte hisen nga duart e priftërinjve,

qëndronte pranë mangallit të altarit,

me vëllezërit përreth si kurorë,

si filiz i cedrave të Libanit,

rrethuar me trungje palmash.

13Të gjithë bijtë e Aronit në lavdinë e tyre

mbanin në duar kushtimet për Zotin

para mbarë bashkësisë së Izraelit.

14Kryenin shërbesën në altar,

zbukuronin kushtimin e të Tejlartit të gjithëpushtetshëm.

15Ai shtrinte dorën te kupa

dhe derdhte gjakun e rrushit,

e stërpikte te themelet e altarit,

amësim erëmirë për të Tejlartin,

mbretin e gjithësisë.

16Atëherë ngrinin zërin bijtë e Aronit,

u binin borive të metalta,

lëshonin një ushtimë të madhe,

si kujtim për të Tejlartin.

17Atëherë tërë populli së bashku shpejtonte,

binte me fytyrë përdhe,

adhuronte Zotin e vet,

të gjithëpushtetshmin, Perëndinë e tejlartë.

18Këngëtarët këndonin me zërat e tyre,

me zë të plotë, të ëmbël si mjalti.

19Populli i lutej Zotit të tejlartë,

në lutje para të mëshirshmit,

derisa të kryhej shërbesa e bukur e Zotit

e të përfundonte shërbesa.

20Atëherë zbriste me duart ngritur

mbi tërë bashkësinë e bijve të Izraelit,

për të dhënë bekimin e Zotit me buzët e veta,

për t'u krenuar me emrin e tij.

21Ata përkuleshin përsëri,

për të marrë bekimin nga i Tejlarti.

Ftesë për lutje

22Tani bekojeni Perëndinë e gjithësisë,

që bën kudo madhështi,

na i shton ditët që në bark të nënës,

vepron me ne sipas mëshirës së vet.

23Ai na dhëntë gëzimin e zemrës

e u ardhtë paqja ditëve tona

në Izrael gjer në amshim!

24Na qëndroftë besnike mëshira e tij

e na çliroftë në ditët tona!

Mbyllje

25Dy kombe më neveriten me gjithë shpirt,

i treti nuk është komb.

26Banorët e Samarisë e të Filistesë

dhe populli i marrë që banon në Shekem.

27Mësimin e mençurisë e të diturisë

e shkroi në këtë libër Jezui,

biri i Sirakut të Eleazarit nga Jerusalemi,

prej zemrës së të cilit u zbraz urtia.

28Lum ata që merren me këto,

kush i mban në zemër, bëhet i urtë.

29Po t'i zbatojë, është i fortë në gjithçka,

drita e Zotit është gjurma e tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help