Siraku 22 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Urtia dhe prapësitë

1Përtaci i ngjan gurit të përmjerrë,

gjithkush i fërshëllen çnderimit të tij.

2Përtaci i ngjan grumbullit të plehut,

kush e kap, shkund dorën.

3Fëmija i patakt, çnderimi i të atit,

po të jetë vajzë, është humbje.

4Vajza e mençur gjen burrë,

por e pacipa është brengë për atë që e lindi.

5Të atin dhe të shoqin i çnderon lozonjarja,

prandaj të dy e përçmojnë.

6Fjalosja e pakohë, si muzika në zi,

por thupra e qortimi, gjithmonë urti.

7[Fëmijët e mësuar mirë

nuk dëftejnë prejardhjen e thjeshtë të prindërve.

8Fëmijët mendjemëdhenj e mburravecë

njollosin fisnikërinë e fisit.]

9Të mësosh të marrin është si të ngjitësh vorbën,

si të zgjosh gjumashin nga gjumi i thellë.

10T'i flasësh të marrit është si t'i flasësh të përgjumurit

që në fund thotë: «Ë?».

11Vajto të vdekurin, se i ka ikur drita,

edhe të marrin vajto, se e ka lënë mendja,

por më pak të vdekurin, se ka gjetur prehje,

jeta e të marrit është më e ligë se vdekja.

12Shtatë ditë vajtohet i vdekuri,

por çdo ditë të jetës i marri e i pafeu.

13Me të pamaturin mos e zgjat,

mos shko tek i pamendi.

Rriji larg, që të mos mundohesh

e të mos ndotesh kur të shkundet.

Shmangiu, se gjen prehje

e nuk do të sfilitesh nga marrëzitë e tij.

14Çfarë është më e rëndë se plumbi?

S'ka tjetër emër përveç të marrit.

15Rëra, kripa e një copë hekur

mbarten më lehtë se njeriu pa mend.

16Trau i drunjtë lidhur në ndërtesë

nuk shkëputet nga tërmeti,

as zemra e mbështetur në një vendim të menduar

nuk trembet kur të vijë koha.

17Zemra e ngulitur në mendime të zgjuara

është si zbukurim në suvanë e murit të lëmuar.

18Guriçkat e vëna pirg

nuk i bëjnë ballë erës.

As zemra e trembur me mendime të marra

s'i bën ballë asnjë frike.

Miqësia

19Kush ngacmon sytë, derdh lot,

kush ngacmon zemrën shfaq ndjenjat.

20Kush gjuan zogjtë me gurë, i tremb,

kush fyen mikun, prish miqësinë.

21Edhe po të ngresh shpatën kundër mikut,

mos u dëshpëro, se mund të kthehet.

22Po të hapësh gojën kundër mikut,

mos u mërzit, se mund të pajtoheni.

Por fyerja, krekosja, nxjerrja e të fshehtave

dhe goditja pas shpine

tëhuan çdo mik.

23Të afërtin bëje për vete sa është i varfër,

që të marrësh pjesë edhe në begatinë e tij.

Qasju në kohë ngushtice,

që ta ndajë me ty trashëgiminë.

24Para zjarrit, tymtari qet avull e tym,

edhe gjakderdhjes i paraprijnë fyerjet.

25As kam turp t'i dal zot mikut,

as fshihem prej tij.

26Nëse prej tij më vjen e keqja,

kush e merr vesh, do t'i ruhet.

Lutje për vetëpërmbajtje

27Kush mund të m'i vërë rojë gojës

e buzëve një vulë të rëndë,

që të mos rrëzohem prej tyre

e të mos rrënohem prej gjuhës?

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help