Numrat 21 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Mbreti i Aradit

1Mbreti kananit i Aradit, që jetonte në Negev, dëgjoi se Izraeli po vinte udhës së Atarimit. Ai i sulmoi e zuri rob disa prej tyre.

2Atëherë Izraeli iu zotua Zotit: «Nëse ma dorëzon me të vërtetë këtë popull, do t'i rrënoj qytetet e tyre».

3Zoti e dëgjoi Izraelin dhe ia dorëzoi kananitët. Izraelitët i rrënuan krejt banorët e qytetet e tyre. Kështu, vendi u quajt Hormah.

Gjarpri prej bronzi

4Izraelitët u nisën nga mali Hor rrugës së detit të Kuq për t'i rënë përqark tokës së Edomit. Por rrugës, populli e humbi durimin

5e foli kundër Perëndisë e Moisiut: «Përse na nxorët nga Egjipti, që të vdesim në shkretëtirë? S'ka bukë, s'ka ujë e kjo bukë e shpifur na u neverit!».

6Atëherë Zoti dërgoi mes popullit gjarpërinj helmues dhe ata e kafshuan popullin. Shumë prej izraelitëve vdiqën.

7Populli shkoi te Moisiu e i tha: «Mëkatuam, sepse folëm kundër Zotit e kundër teje. Lutju Zotit që t'i largojë gjarpërinjtë prej nesh». Moisiu u lut për popullin

8dhe Zoti i tha: «Bëj një gjarpër helmues dhe vendose në një shtyllë. Kushdo që është kafshuar, ta shikojë e ka për të jetuar».

9Atëherë Moisiu bëri një gjarpër prej bronzi dhe e vendosi mbi një shtyllë. Nëse gjarpri kafshonte dikë, ai vështronte drejt gjarprit prej bronzi dhe jetonte.

Udhëtimi drejt Moabit

10Izraelitët vijuan udhëtimin e fushuan në Obot.

11Pastaj u nisën nga Oboti e fushuan në Ijim Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, në lindje.

12U nisën prej andej e fushuan në luginën e Zeredit.

13U nisën edhe prej Zeredit e fushuan matanë Arnonit që ndodhet në shkretëtirën përtej kufijve të amoritëve. Arnoni është në kufi me Moabin, mes Moabit e amoritëve,

14prandaj edhe thuhet në librin e «Luftrave të Zotit»:

«Vahebi në Sufa

dhe luginat e Arnonit.

15Rrëpira e luginave

që shtrihet drejt banesave të Arit

e përqafon kufijtë e Moabit».

16Prej këndej shkuan në Beer. Ky është pusi ku Zoti i tha Moisiut: «Mblidhe bashkësinë që t'u jap ujë».

17Dhe Izraeli këndoi këtë këngë:

«Gurro, o pus,

18e ju këndojini pusit

që hapën prijësit,

që fisnikët e popullit gërmuan,

me skeptër e me shkop».

Pastaj prej shkretëtirës shkuan në Matanë,

19prej Matanës në Nahaliel, prej Nahalielit në Bamot,

20prej Bamotit në luginën që është në vendin e Moabit, në majë të Pisgahut prej nga shihet Jishmoni.

Mbreti i Sihonit

21Izraeli dërgoi disa lajmëtarë te Sihoni, mbreti i amoritëve, e i tha:

22«Më lër të kaloj përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë as nëpër ara e as nëpër vreshta, as nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore derisa të kalojmë përtej kufijve të tu».

23Por Sihoni nuk e la të kalojë përmes tokës së tij. Ai mblodhi tërë popullin dhe i doli para në shkretëtirë. Mbërriti në Jahac dhe e sulmoi.

24Por Izraeli e shkoi në teh të shpatës dhe e pushtoi tokën e tij, nga Arnoni deri në Jabok, deri te pasardhësit e Amonit, sepse kufijtë e amonitëve ishin të mbrojtur mirë.

25Izraeli i pushtoi të gjitha këto qytete amorite e banoi në to, në Heshbon dhe në të gjitha rrethinat.

26Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar kundër mbretit të mëparshëm të Moabit dhe ia kishte pushtuar tërë vendin që zotëronte, deri në Arnon.

27Prandaj dhe rapsodët thoshin:

«Ejani në Heshbon!

Të ndërtohet e themelohet qyteti i Sihonit.

28Zjarr shpërtheu prej Heshbonit,

flakë prej qytetit të Sihonit.

E përpiu Arin e Moabit,

i përlau majat e Arnonit.

29Mjerë ti, o Moab!

Kaq e pate, o popull i Kemoshit!

Djemtë e tu i bëre ikanakë,

vajzat e tua robinja të Sihonit,

mbretit të amoritëve.

30Me shigjeta i qëlluam.

Heshboni deri në Dibon u shkatërrua.

E rrënuam derisa zjarri u përhap në Medebë».

31Kështu, Izraeli banoi në tokën e amoritëve.

32Atëherë Moisiu dërgoi disa njerëz që të përgjojnë Jazerin. Ata i pushtuan rrethinat e Jazerit e i dëbuan amoritët që ishin atje.

Mbreti i Bashanit

33Izraelitët u kthyen e shkuan rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin, u doli përpara në Edrej, që të ndeshej me ta.

34Zoti i tha Moisiut: «Mos e ki frikë, se ta kam dorëzuar atë, gjithë popullin dhe tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon».

35Kështu, izraelitët i ranë aq fort Ogut, bijve e gjithë popullit të tij, sa askush nuk shpëtoi. Ata e pushtuan tokën e tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help