Ligji i përtërirë 20 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rregullat e luftës

1«Kur të dalësh për luftë kundër armiqve e të shohësh kuaj, karroca e popuj më të mëdhenj se ti, mos ki frikë, sepse me ty është Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga toka e Egjiptit.

2Para se të nisesh për luftë, do të vijë prifti e do t'i thotë popullit:

3“Dëgjo Izrael, sot po nisesh për luftë kundër armiqve. Mos t'ju lëshojë zemra, mos kini frikë, mos u trembni e mos u tmerroni para tyre.

4Zoti, Perëndia juaj, do të dalë në luftë bashkë me ju, për të luftuar kundër armiqve tuaj e për t'ju dhënë fitoren”.

5Pastaj eprorët do t'i thonë popullit: “Kushdo që ka ndërtuar shtëpi të re, por nuk ka hyrë ende në të, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të hyjë dikush tjetër.

6Kushdo që ka mbjellë një vresht e nuk e ka gëzuar ende, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e t'ia gëzojë dikush tjetër.

7Kushdo që është i fejuar, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të martohet dikush tjetër me të fejuarën”.

8Pastaj eprorët do të shtojnë: “Kushdo që është frikacak e zemërlëshuar, të kthehet mbrapa, që të mos ua ligështojë zemrën të tjerëve”.

9Kur të mbarojnë së foluri eprorët, prijësit e ushtrisë të vihen në krye të popullit.

10Kur t'i afrohesh qytetit që do të sulmosh, njoftoi kushtet e paqes.

11Nëse i pranon e t'i hap portat, i gjithë populli i qytetit do të të shërbejë me punë të detyruar.

12Nëse nuk i pranon e të bën luftë, rrethoje.

13Zoti, Perëndia yt, do të ta dorëzojë. Shkoi në teh të shpatës të gjithë meshkujt e qytetit,

14por gratë, fëmijët, kafshët e gjithçka në të, pra tërë plaçka e qytetit, është e jotja. Gëzoje prenë e armikut që të dha Zoti, Perëndia yt.

15Kështu vepro me të gjitha qytetet që janë shumë larg e nuk u përkasin këtyre kombeve.

16Por, në këto qytete që po të jep trashëgimi Zoti, Perëndia yt, mos lër frymë gjallë.

17Shkatërroji plotësisht hititët, amoritët, kananitët, perizitët, hivitët e jebusitët, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt,

18që mos t'ju mësojnë tërë veprat e tyre të neveritshme, që ata bëjnë për perënditë e tyre, dhe, si pasojë, të mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj.

19Kur sulmon ndonjë qytet, për ta pushtuar dhe e rrethon për një kohë të gjatë, mos i prit me sëpatë pemët përreth. Do të hash prej tyre, prandaj mos i prit. A mos janë njerëz pemët e fushës, që t'i sulmosh?

20Vetëm pemët që e di se nuk janë frutore mund t'i shkatërrosh ose presësh, për të ndërtuar mjete për rrethimin e qytetit, që po bën luftë kundër teje, derisa ai të bjerë».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help