1Atë ditë mbreti Kserks i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit, përndjekësit të judenjve. Mordakai doli para mbretit, sepse Estera i kishte treguar kush ishte ai për të.
2Atëherë mbreti hoqi unazën, që i kishte marrë Hamanit, dhe ia dha Mordakait. Pastaj Estera e caktoi Mordakain zot të shtëpisë së Hamanit.
3Estera doli për të folur përsëri para mbretit, ra te këmbët e tij, qau dhe i kërkoi të shmangej ligësia e Haman Agagitit e shestimi i tij kundër judenjve.
4Mbreti shtriu drejt Esterës skeptrin e artë dhe Estera u ngrit, qëndroi para mbretit
5e tha: «Nëse i pëlqen mbretit, nëse kam gjetur hir para tij, nëse i duket gjë e përshtatshme mbretit e nëse unë i dukem e pranueshme, le të shkruhet një letër për të kthyer mbrapsht letrat me shestimet e Haman Agagitit, birit të Hamdatait, që ai ia ka shkruar për të rrënuar judenjtë e të gjitha krahinave të mbretit.
6Sepse, si do të mund të duroj e ta shoh zezonën që do ta zërë popullin tim? Si do të duroj e ta shoh rrënimin e fisit tim?».
7Mbreti Kserks iu përgjigj mbretëreshës Ester dhe judeut Mordakai: «Ja, shtëpinë e Hamanit ia dhashë Esterës dhe atë e vara në shtyllë, sepse ngriti dorë kundër judenjve.
8Shkruani për judenjtë si t'ju pëlqejë, në emër të mbretit, dhe vulosni me unazën e mbretit, sepse çfarë shkruhet në emër të mbretit dhe vuloset me unazën e mbretit nuk mund të kthehet mbrapsht».
9Në atë kohë, më njëzet e tre të muajit të tretë, që është muaji Sivan, thirrën shkruesit e mbretit sipas të gjitha urdhrave të Mordakait. Ata u shkruan judenjve, satrapëve, qeveritarëve dhe kryetarëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, nga India në Kush, secilës krahinë sipas shkrimit të vet dhe secilit popull sipas gjuhës së vet, si edhe judenjve sipas shkrimit të vet dhe sipas gjuhës së vet.
10Letrat u shkruan në emër të mbretit Kserks, u vulosën me unazën e mbretit dhe u dërguan me anë të lajmëtarëve që kalëronin kuajt e mbretit, kuaj race.
11Kështu, mbreti i lejoi judenjtë në të gjitha qytetet të mblidheshin e të mbronin jetën e vet, të shkatërronin, të vrisnin e të rrënonin çdo ushtri armike, të çdo populli apo krahine që do t'i sulmonte, me foshnja e me gra, si dhe t'i plaçkitnin e t'i grabitnin
12në një ditë të vetme të gjitha krahinat e mbretit Kserks, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë që është muaji Adar.
12a Sa vijon është kopja e letrës përkatëse:
12b «Mbreti i madh Kserks krerëve të krahinave nga India në Etiopi, njëqind e njëzet e shtatë krahina, dhe atyre që i përkrahin punët tona, përshëndetje.
12c Shumë vetë, sa më shumë të nderohen falë njerëzisë së skajshme të bamirësve, aq më shumë krekosen. Ata jo vetëm që përpiqen të dëmtojnë të nënshtruarit tanë, por, prej paaftësisë për ta përmbajtur krenarinë, bëjnë trillime kundër bamirësve.
12ç Jo vetëm që u heqin mirënjohjen nga zemra njerëzve, por, të rrëmbyer nga mburrja e atyre që nuk e njohin fare mirësinë, pandehin se do t'i shpëtojnë drejtësisë së Perëndisë që sheh gjithçka gjithmonë dhe e urren të ligën.
12d Shpeshherë ata që kanë marrë pushtetin janë bërë pjesërisht përgjegjës për gjakderdhje të pafajshme dhe kanë marrë pjesë në fatkeqësi të pandreqshme, sepse u kanë besuar miqve mbarëvajtjen e punëve shtetërore dhe janë ndikuar prej tyre.
12dh Arsyetimet e rreme të të ligjve e kishin shtrembëruar mirëbesimin e pafajshëm të pushtetarëve.
12e Kjo mund të shihet jo vetëm në ndodhitë më të hershme, të cilat i kemi përmendur, por edhe po të vërejmë ligësinë e ushtruar nga ata që mbajnë pushtetin padenjësisht.
12ë Në të ardhmen do të kujdesemi ta bëjmë mbretërinë tonë të qetë e paqësore për të gjithë,
12f duke bërë ndryshimet e duhura dhe duke i gjykuar me rreptësi e me të barabartë gjithçka të na paraqitet.
12g Kështu ndodhi me Hamanin, birin e Hamdata Maqedonasit. Ai, në të vërtetë, ishte i huaj për gjakun pers dhe fare larg nga mirësia jonë, por qe pranuar prej nesh si bujtës
12gj dhe ka përfituar shumë nga miqësia që i japim çdo kombi, aq sa u shpall ati ynë, mori rangun e dytë në fronin mbretëror dhe të gjithë e nderonin me përkulje.
12h Por, meqë nuk i vuri dot fre krenarisë, nisi të na marrë mbretërinë e shpirtin
12i dhe, me arsye të rreme e dredhi, kërkoi dënimin me vdekje për Mordakain, shpëtimtarin tonë dhe bamirësin e përhershëm, për Esterën, bashkëpunëtoren e paqortueshme të mbretërisë sonë dhe për mbarë popullin e tyre.
12j Por neve na duket se këta judenj, që ai njeri trefish i mbrapshtë i kishte caktuar për shfarosje, nuk janë keqbërës, por qeverisen me ligje shumë të drejta,
12k janë bij të Perëndisë së tejlartë, madhështor e të gjallë, i cili e ka sjellë mbretërinë në gjendjen më të mirë për ne e për etërit tanë.
12l Do të bëni mirë, prandaj, të mos i zbatoni ato që kemi shkruar në letrat që janë dërguar me Hamanin, birin e Hamdatait, sepse ai që kreu këto veprime, është varur në shtyllë bashkë me tërë familjen te Porta e Shushanit, me ndëshkimin e drejtë që i dha shpejt Perëndia, sunduesi i çdo gjëje.
12ll Vendosni një kopje të kësaj letre në çdo vend dhe lejoni hebrenjtë të jetojnë haptas sipas ligjeve të tyre. Ndihmojini të dëbojnë këdo të dojë t'i sulmojë në ditën e përndjekjes, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë Adar, pikërisht atë ditë.
12m Perëndia, që sundon gjithçka, e shndërroi këtë ditë në gëzim për popullin e vetë të zgjedhur, në vend që të ishte ditë rrënimi për ta.
12n Ndërsa ju, ndër festat tuaja përkujtimore, mbajeni këtë si ditë të shënuar, me çdo lloj gostie, që të mbetet si kujtim shpëtimi për ne e për perisanët mirëdashës, tani e në të ardhmen, por, për ata që ngrenë kurthe kundër nesh, qoftë kujtimi i rrënimit të tyre.
12nj Çdo qytet e çdo vend, pa përjashtim, që nuk do të veprojë sipas këtyre vendimeve, do të rrënohet furishëm, me hekur e me zjarr. Do të bëhet i paarritshëm jo vetëm për njerëzit, por edhe për egërsirat e shpendët do të mbetet i urryer për të gjitha kohërat».
13Një kopje e shkresës, që duhej paraqitur si ligj në çdo krahinë, iu dëftua të gjithë popujve, që judenjtë të ishin të gatshëm atë ditë për t'u hakmarrë me armiqtë.
14Lajmëtarët, që kalëronin kuajt mbretërorë, dolën me nxitim dhe rendën sipas urdhrit të mbretit. Ligji u shpall në kështjellën e Shushanit.
15Atëherë Mordakai u largua nga mbreti me veshje mbretërore vjollcë e të bardha, me kurorë të artë e të madhe e me një petk liri e purpuri. Qyteti i Shushanit brohoriti e u gëzua.
16Judenjtë u mbushën me dritë, gëzim, hare e nderim.
17Në çdo krahinë e në çdo qytet, kudo që arrinte urdhri i mbretit e ligji i tij, për judenjtë ishte gëzim e hare, gosti e ditë e lume. Shumë nga popujt e tokës u bënë judenj, se i kishte zënë frika nga judenjtë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.