2 Makabenjve 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Sulmi i Jasonit

1Rreth asaj kohe Antioku po përgatitte sulmin e dytë kundër Egjiptit.

2Për rreth dyzet ditë u shfaqën kalorës veshur me petka të arta, që çanin ajrin nëpër tërë qytetin,

3trupa kalorësie të rreshtuara për betejë, që sulmonin njëra-tjetrën, mburoja që tundeshin, heshta të shumta, shigjetagjuajtëse, shkëlqime stolish të arta dhe parzmoresh të shumëllojshme.

4Të gjithë luteshin që kjo shfaqje të dilte për mirë.

5Kur doli fjala e rreme se kishte vdekur Antioku, Jasoni mori jo më pak se një mijë burra dhe sulmoi qytetin në befasi. Mbrojtësit e mureve u sprapsën e në fund qyteti u mor prej Jasonit, kurse Menelau u strehua në fortesë.

6Jasoni i theri pa mëshirë qytetarët e vet, pa kuptuar se fitorja mbi njerëzit e vet ishte fatkeqësia më e madhe, a thua se po shpartallonte armiqtë e jo bashkëkombësit.

7Megjithatë, nuk e mori pushtetin dhe tradhtia e tij përfundoi me turp, se u zmbraps e u strehua tek amanititët.

8Jasoni pati një fund të keq. E paditën tek Areta, mbreti i arabëve, prandaj u detyrua të endej qytet më qytet i përzënë nga të gjithë, i urryer si shkelës i ligjeve dhe i përbuzur si vrasës i atdheut e i bashkëqytetarëve, derisa u dëbua në Egjipt.

9Ai që dëboi shumë njerëz nga atdheu i vet, vdiq në mërgim mes lakedemonëve, ku kishte shkuar me shpresën për të gjetur strehë.

10Ai që kishte lënë shumë njerëz të pavarrosur, mbeti vetë i pavarrosur, pa njeri ta vajtonte, jashtë varrit të të parëve.

11Kur mbreti mori vesh ç'kishte ndodhur, kujtoi se kishte ngritur krye gjithë Judeja. E la Egjiptin dhe, i egërsuar si bishë, e pushtoi qytetin me armë.

12I urdhëroi ushtarët të vrisnin këdo t'u dilte para e të thernin ata që strehoheshin nëpër shtëpi.

13U vranë të rinj e pleq, burra e gra, fëmijë, vasha e foshnja.

14Për tri ditë të tëra vranë tetëdhjetë mijë vetë: dyzet mijë në betejë dhe jo më pak se ata që u vranë u shitën skllevër.

Plaçkitja e tempullit

15I pakënaqur me kaq, guxoi të hynte në vendin më të shenjtë të mbarë dheut, i prirë nga Menelau, që kishte tradhtuar ligjet dhe atdheun.

16Kapi enët e shenjta me duar të ndyra dhe kushtimet që kishin bërë mbretërit e tjerë për t'i shtuar pasurinë e, për t'i rritur nderin vendit, i plaçkiti me duar të përdhosura.

17Antioku u krenua, pa menduar se Zoti ishte zemëruar përkohësisht me qytetin, për shkak të mëkateve të tij, dhe prandaj nuk e kishte mbrojtur vendin.

18Po të mos ishin përfshirë në mëkate të shumta, do ta kishte fshikulluar e do t'ia kishte prerë hovin si Heliodorit, të cilin e pati dërguar mbreti Seleuk për të marrë thesarin.

19Mirëpo Zoti nuk kishte zgjedhur kombin për vendin, por vendin për kombin.

20Prandaj edhe vendi, pasi pësoi mjerimet që kishte pësuar populli, përfitoi edhe nga të mirat. Çfarë qe braktisur kur u zemërua i gjithëpushtetshmi u përtëri në tërë lavdinë e vet në kohën e pajtimit të sunduesit të madh.

21Antioku mori dyzet e tetë tonë argjend nga tempulli dhe u nis me ngut për në Antioki, duke menduar, me krenari, se tokën mund ta çante me anije e detin mund ta kalonte më këmbë.

22La pas mbikëqyrës për t'i bërë të këqija të tjera popullit: në Jerusalem la Filipin me prejardhje nga Frigjia, por në shpirt edhe më barbar se ai që e caktoi;

23në Gerizim la Andronikun dhe, veç këtyre, la edhe Menelaun, i cili sillej me qytetarët më keq se dy të parët, se i urrente haptas judenjtë.

24Ndërkaq dërgoi dhe Apollonin, qeveritarin e Misisë, bashkë me një ushtri prej njëzet e dy mijë ushtarësh, të cilin e urdhëroi të vriste çdo të rritur, ndërsa gratë dhe fëmijët t'i shiste skllevër.

25Kur arriti në Jerusalem, Apolloni u shtir si të kishte qëllime paqësore, prandaj priti deri ditën e shenjtë të së shtunës, kur judenjtë bënin pushim, dhe i urdhëroi njerëzit e vet të bënin një parakalim.

26Ai i vrau me shpatë të gjithë ata që kishin dalë për të parë parakalimin, pastaj iu sul qytetit me armë dhe vrau shumë vetë.

27Mirëpo Judë Makabeu, vetë i dhjeti, ia mbathi në shkretëtirë dhe jetoi si egërsirat nëpër male bashkë me ata që e shoqëronin. Për të mos u bërë të papastër, hanin barishte.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help