Jozuehu 9 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Marrëveshja me gibeonitët

1Me të dëgjuar këto gjëra, të gjithë mbretërit që sundonin në perëndim të Jordanit, në malësi, në ultësirë e përgjatë mbarë bregut të detit të Madh deri në Liban, mbretërit e hititëve, amoritëve, kananitëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve,

2u mblodhën e bënë marrëveshje për të luftuar së bashku kundër Jozuehut e Izraelit.

3Banorët e Gibeonit dëgjuan çfarë i kishte bërë Jozuehu Jerikosë e Ajit.

4Ata vepruan me dinakëri e u bënë gati për udhë. Me vete morën edhe ushqime. Mbi gomarë ngarkuan thasë të vjetruar e kacekë të vjetër vere, të shqyer e të arnuar.

5U mbathën me sandale të vjetra e të grisura, u veshën po me rroba të vjetruara dhe për ushqim morën bukë të tharë e të thërrmuar.

6Ata shkuan te Jozuehu në fushimin e Gilgalit e i thanë atij dhe gjithë izraelitëve: «Ne vijmë nga një vend i largët e duam të bëjmë marrëveshje me ju».

7Izraelitët u thanë hivitëve: «Mos ndoshta banoni afër nesh? Si mund të bëjmë marrëveshje me ju atëherë?».

8Ata i thanë Jozuehut: «Jemi shërbëtorët e tu». Por Jozuehu i pyeti: «Kush jeni e nga vini?».

9Ata iu përgjigjën: «Shërbëtorët e tu vijnë nga një vend shumë i largët, se dëgjuam për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, për gjithçka bëri në Egjipt

10e për gjithçka u bëri dy mbretërve të amoritëve, që banonin përtej Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtarot.

11Pleqtë e gjithë banorët e vendit tonë na thanë të merrnim ushqime me vete për rrugë e të vinim t'ju takonim e t'ju thoshim se jemi shërbëtorët tuaj, si edhe të bënim marrëveshje me ju.

12Ja ku e keni bukën tonë! E morëm të ngrohtë nga shtëpia, kur u nisëm për të ardhur këtu, dhe tani është tharë e është bërë thërrime.

13Këta janë kacekët e verës. Ishin të rinj kur i mbushëm me verë dhe tani janë çarë. Ja edhe rrobat e këpucët tona! Janë ngrënë prej udhëtimit të gjatë».

14Burrat e Izraelit provuan disa nga ushqimet e tyre, por nuk u këshilluan me Zotin.

15Jozuehu bëri marrëveshje paqeje me ta e i siguroi se do t'i linte gjallë. Për këtë u betuan edhe prijësit e bashkësisë.

16Tri ditë pasi bënë marrëveshjen, izraelitët morën vesh se ishin fqinj me ata njerëz dhe se ata banonin aty rrotull.

17Izraelitët u nisën sërish për udhë dhe pas tri ditësh mbërritën në qytetet e atyre njerëzve. Qytetet e tyre ishin Gibeoni, Kefirahu, Beroti e Kirjat Jearimi.

18Izraelitët nuk i sulmuan, për shkak se prijësit e bashkësisë u ishin betuar në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit. E gjithë bashkësia shfrynte kundër prijësve.

19Atëherë prijësit i thanë bashkësisë: «U jemi betuar në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit, prandaj nuk mund t'i prekim.

20Do t'i lëmë të jetojnë, përndryshe, nëse thyejmë betimin që u kemi bërë, ka për të rënë mbi ne zemërimi i Zotit.

21Do t'i lëmë të jetojnë e do t'i bëjmë të presin dru e të mbushin ujë për ne». Prijësit ia parashtruan këto gjëra bashkësisë dhe ashtu u bë.

22Atëherë Jozuehu i thirri gibeonitët e u tha: «Përse na mashtruat duke na thënë se vini nga shumë larg, ndërkohë që banoni këtu rrotull nesh?

23Mallkuar qofshi, pra! Do të mbeteni gjithmonë skllevër. Do të prisni dru e do të mbushni ujë për shtëpinë e Perëndisë tim».

24Por ata i thanë Jozuehut: «Ne, shërbëtorët e tu, dëgjuam çfarë i kishte urdhëruar Zoti, Perëndia yt, Moisiut, shërbëtorit të tij, se do t'jua jepte juve tërë vendin dhe se do t'i shfaroste para jush të gjithë banorët e kësaj toke. Patëm shumë frikë nga ju për jetën tonë, prandaj edhe vepruam kështu.

25Tani, jemi në dorën tënde. Bëj me ne si të pëlqen e si të duket e drejtë».

26E ashtu bëri Jozuehu me ta. I shpëtoi nga duart e izraelitëve, që të mos i vrisnin.

27Atë ditë Jozuehu vendosi që ata të prisnin dru e të mbushnin ujë për bashkësinë e Izraelit dhe për altarin e Zotit, që Zoti do të zgjidhte, siç ndodh sot e kësaj dite.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help