Siraku 9 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Gratë

1Mos u bëj xheloz për gruan që mban në kraharor,

që të mos e mësosh keq kundër teje.

2Mos iu jep gruas me gjithë shpirt,

që të mos sundojë mbi ty.

3Rriji larg gruas së përdalë,

që të mos biesh në kurthet e saj.

4Mos dil me këngëtare,

që të mos biesh pre e dredhive të saj.

5Mos ia ngul sytë vashëzës,

që të mos i pësosh ti ndëshkimet e saj.

6Mos u lësho pas lavireve,

që të mos humbasësh trashëgiminë.

7Mos u end udhëve të qytetit,

mos humb skutave të tij.

8Hiqi sytë nga gruaja shtatderdhur,

mos i vështro hiret e gruas së tjetërkujt.

Shumë janë gënjyer nga bukuria e gruas,

sepse si zjarri e ndez dëshirën.

9Mos u shoqëro me gruan e martuar,

mos pi verë me të,

se drejt saj do të të priret zemra

dhe shpirtin do ta zhytësh në rrënim.

Miqësitë

10Mos e braktis mikun e vjetër,

se miku i ri nuk është si ai.

Miku i ri është si vera e re,

kur vjetrohet, e pi me kënaqësi.

11Mëkatarit mos ia ki zili lavdinë,

ti nuk e di si do t'i vijë rrënimi.

12Mos u kënaq me kënaqësinë e të pafeve,

kujtohu se do të ndëshkohen pa shkuar në skëterrë.

13Rriji larg atij që ka pushtetin të vrasë,

që të mos të zërë frika e vdekjes.

Po i qëndrove pranë, mos u gënje

që të mos të marrë jetën.

Dije se po kalon mes kurthesh,

po ecën majë mureve të qytetit.

14Sa të mundesh, njihi fqinjët e tu,

me të urtët këshillohu.

15Fol me njerëz të mençur,

çdo bisedë e jotja, sipas ligjit të të Tejlartit.

16Ha me njerëzit e drejtë,

krenohu me drojën e Zotit.

17Vepra lëvdohet falë zotësisë së mjeshtrit,

urtia e prijësit falë fjalëve të tij.

18Fjalamanit i trembet mbarë qyteti,

gojëzgjidhurin do ta urrejnë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help