Siraku 42 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Arsye për t'u krenuar

1Për këto mos u turpëro

e mos merr pamjen e mëkatarit:

2për ligjin e të Tejlartit e besëlidhjen,

për gjyqin që liron të pafeun,

3për llogaritë me shokun e bashkëudhëtarin,

për ndarjen e trashëgimisë me miqtë,

4për përpikërinë në peshore e në masa,

për blerjet e mëdha a të vogla,

5për fitimin në marrëveshje me tregtarët,

për qortimin e rreptë të fëmijëve,

për gjakosjen e shërbëtorit të keq,

6për gruan e mbrapshtë, se dryni është i mirë

e ku ka shumë duar duhet kyçi,

7kur bën dorëzime dhe numëron e peshon,

kur jep a merr e shkruan gjithçka,

8kur ndreq të pamendin e të marrin,

apo plakun që hiqet si i ri.

Atëherë do të jesh vërtet i ditur

e i sprovuar para çdo të gjalli.

Bijat dhe etërit

9Vajza është për të atin shqetësim i fshehtë,

trazimi i saj nxjerr gjumin.

10Kur është virgjëreshë, që të mos përdhoset

e të mos mbesë me barrë në shtëpinë atnore,

kur bëhet me burrë, që të mos gabojë,

dhe, si e martuar, të mos jetë beronjë.

11Vajzën e panënshtruar ruaje fort,

se mos të bën tallje për armikun,

gaz për qytetin, shpoti për popullin

e të turpëron para turmës së madhe.

12Mos shiko bukurinë e gjithkujt

e mos rri në kuvendin e grave,

13se me pëlhurë bëhen petkat

e me gruan ligësia femërore.

14Më mirë ligësia e burrit, se bamirësia e gruas,

se gruaja turpëron e poshtëron.

Madhështia e Perëndisë

15Do të kujtoj veprat e Zotit

e do të tregoj çfarë kam parë.

Prej fjalës së Zotit vijnë veprat e tij.

16Dielli vezullues shikon gjithandej,

plot me lavdinë e Zotit janë veprat e tij.

17As të shenjtët e Zotit nuk ia dalin

t'i tregojnë gjithë mrekullitë e tij,

që Zoti i gjithëpushtetshëm kreu,

që gjithësia ta kishte themelin në lavdi.

18Ai mat humnerën e zemrën e njeriut,

i njeh mirë dredhitë e tyre.

Se i Tejlarti njeh gjithçka mund të njihet,

shikon shenjat e kohës.

19Ai kumton të shkuarën e të ardhmen,

zbulon gjurmët e të fshehtave.

20Nuk i shpëton asnjë mendim,

asnjë fjalë nuk i fshihet dot.

21Madhështitë e urtisë së tij i ka renditur,

ai, që është nga amshimi në amshim.

Asgjë nuk i shtohet, as i hiqet,

nuk i duhet këshilla e askujt.

22Sa të dëshirueshme janë tërë veprat e tij,

edhe pse mund t'u shihet veç një shkëndijë.

23Të gjithë këto jetojnë e mbeten përgjithmonë,

të gjitha nevojiten e të gjitha binden.

24Të gjitha janë çift, njëri kundruall tjetrit,

nuk ka bërë asgjë me të metë.

25Njëri përforcon të mirat e tjetrit,

e kush lodhet duke kundruar lavdinë e tij?

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help