1Në vitin e njëqindepesëdhjetenjëtë, Dhimitri, biri i Seleukut, iku nga Roma, me disa burra, në një qytet pranë detit e mbretëroi atje.
2Kur po hynte në pallatet mbretërore të etërve të tij, ushtria kapi Antiokun e Lisinë dhe i sollën para tij.
3Ai e mori vesh e tha: «Mos t'ua shoh fytyrën!».
4Atëherë ushtarët i vranë e Dhimitri mori fronin e mbretërisë së vet.
5Pastaj erdhën para tij të gjithë njerëzit e paudhë e të pafe nga Izraeli. U printe Alkimi që donte të bëhej kryeprift.
6Ata e paditën popullin para mbretit e thanë: «Juda e vëllezërit e tij i kanë zhbirë të gjithë miqtë e tu dhe ne na kanë përzënë nga vendi ynë.
7Tani, dërgo një njeri të besuar, që të shkojë e të shohë gjithë rrënimin që na shkaktoi Juda neve dhe tokës së mbretit. Le t'i ndëshkojë bashkë me të gjithë ata që i ndihmuan».
8Mbreti zgjodhi Bakidin, një nga miqtë e tij, që sundonte përtej Eufratit. Ai ishte i rëndësishëm në mbretëri e besnik i mbretit.
9E dërgoi me Alkimin e pafe, të cilin e bëri kryeprift, e i urdhëroi të ndëshkonin bijtë e Izraelit.
10Ata u nisën e mbërritën me një ushtri të madhe në tokën e Judesë. Judës e të vëllezërve u dërguan fjalë të rreme paqeje,
11por këta nuk u vunë vesh fjalëve të tyre, ngaqë e panë se kishin ardhur me ushtri të madhe.
12Një shpurë shkruesish u mblodh tok para Alkimit e Bakidit për të kërkuar të drejtën.
13Hasidimët ishin të parët nga bijtë e Izraelit që u kërkuan paqe.
14Ata thanë: «Një prift nga fara e Aronit ka ardhur me ushtri e nuk do të na bëjë padrejtësi».
15Ai foli me ta paqësisht, u betua e u tha: «Nuk duam t'ju bëjmë keq as juve, as miqve tuaj».
16Ata i besuan, por ai kapi gjashtëdhjetë burra prej tyre e i vrau brenda ditës, sipas fjalës që ishte shkruar:
17«Mishin e shenjtorëve të tu e gjakun e tyre i shpërndanë përqark Jerusalemit e s'kishte kush t'i varroste».
18Atëherë mbi të gjithë popullin ra frikë e tmerr e thoshin: «Këta nuk kanë as të vërtetë, as drejtësi. Shkelën marrëveshjen dhe betimin që bënë».
19Bakidi u largua nga Jerusalemi e u vendos në Betzait. Ai urdhëroi të kapeshin shumë prej burrave që kishin kaluar në anën e tij, si dhe të tjerë prej popullit. I theri e i hodhi në një pus të madh.
20Caktoi në atë vend Alkimin, të cilit i la një ushtri, që ta ndihmonte. Pastaj Bakidi u kthye te mbreti.
21Alkimi luftoi të bëhej kryeprift.
22Të gjithë ngatërrestarët e popullit u mblodhën tek ai. Ata vunë nën sundim dheun e Judesë e i bënë dëme të mëdha Izraelit.
23Juda pa se të këqiat që i kishin bërë Izraelit Alkimi me të tijtë ishin më të mëdha se ato të kombeve,
24prandaj doli nëpër mbarë trojet e Judesë, ndëshkoi ata që kishin bërë tradhti e ua ndaloi të dilnin nëpër krahinë.
25Kur Alkimi pa se Juda me të tijtë ishin forcuar dhe e kuptoi se nuk u bënte dot ballë, u kthye te mbreti e i paditi për keqbërje.
26Mbreti dërgoi Nikanorin, njërin nga prijësit e tij të lavdishëm, i cili i urrente izraelitët e i shikonte si armiq, dhe e urdhëroi ta zhbinte popullin.
27Nikanori erdhi në Jerusalem me një ushtri të madhe dhe u dërgoi fjalë të rreme paqeje Judës e të vëllezërve, duke thënë:
28«Të mos ketë betejë mes meje e teje. Do të vij me pak njerëz, që t'ju shoh në paqe».
29Ai erdhi te Juda e u përshëndetën paqësisht, por armiqtë ishin gati ta rrëmbenin Judën.
30Juda e kuptoi qëllimin e Nikanorit, se kishte ardhur me paqe të rreme, e pati frikë dhe nuk deshi t'ia shihte më fytyrën.
31Kur Nikanori e kuptoi se i ishte zbuluar synimi, doli të ndeshej në betejë me Judën afër Kafarsalamasë.
32Pesëqind burra të Nikanorit ranë dhe të tjerët ikën në qytetin e Davidit.
33Pas këtyre, Nikanori shkoi në malin Sion. Disa prej priftërinjve e pleqve dolën nga shenjtërorja për ta pritur paqësisht e për t'i treguar flinë e shkrumbimit që po kushtonin për mbretin.
34Mirëpo ai i talli, i përqeshi, i përdhosi, u foli me përçmim
35e u betua i zemëruar: «Nëse Juda dhe ushtria e tij nuk do të më dorëzohen këtë herë, po u ktheva shëndoshë e mirë, do t'ia djeg këtë shtëpi!». Dhe doli i zemëruar rëndë.
36Atëherë priftërinjtë hynë, qëndruan përballë altarit e tempullit e vajtuan duke thënë:
37«Ti e zgjodhe këtë tempull, që të thirrej në të emri yt, që të ishte shtëpi lutjeje e përgjërimi për popullin tënd.
38Merr hak në këtë njeri e në ushtrinë e tij. Le të bien nga shpata. Kujto blasfeminë e tyre e mos u jep më jetë».
39Nikanori doli nga Jerusalemi e fushoi në Bet Horon, ku iu bashkua një ushtri nga Siria.
40Juda fushoi në Adasë me tre mijë burra. Atje Juda u lut e tha:
41«Kur të dërguarit e mbretit thanë blasfemi, doli engjëlli yt e shkatërroi njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë vetë.
42Prandaj shtype edhe këtë ushtri para nesh sot, që të tjerët të mësojnë se ai foli keq kundër shenjtërores sate, e gjykoje sipas ligësisë së tij».
43Ushtritë u ndeshën në betejë më trembëdhjetë të muajit Adar. Ushtria e Nikanorit u shkatërrua e ai vetë ra i pari në betejë.
44Kur ushtarët panë se Nikanori ra, hodhën armët e morën arratinë.
45Izraelitët i ndoqën një ditë rrugë, nga Adasa deri në Gazarë, dhe, teksa i ndiqnin, u binin borive të luftës.
46Nga të gjitha fshatrat rreth Judesë dolën e i rrethuan. Ata i suleshin njëri-tjetrit e ranë të gjithë prej shpatës. Askush nuk mbeti i gjallë.
47Judenjtë morën plaçkën e luftës e mallin. Nikanorit i prenë kokën dhe krahun e djathtë, të cilin e kishte shtrirë me mujshi kundër tyre. Pastaj i sollën e i varën afër Jerusalemit.
48Populli u gëzua shumë dhe atë ditë e kaluan si ditë hareje të madhe.
49Vendosën ta festonin çdo vit këtë ditë më trembëdhjetë të Adarit.
50Kështu toka e Judesë pati paqe për pak ditë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.