Fjalët e urta 14 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Gruaja e urtë e lartëson shtëpinë,

e marra e shemb me duart e veta.

2Kush shkon udhës së drejtë, druan Zotin,

kush e shmang udhën e Zotit, e nënçmon.

3Në gojën e të marrit mbin thupra e mendjemadhësisë,

por të urtët do të shpëtohen prej fjalëve të veta.

4Grazhdi pa qe mbetet i zbrazur,

falë fuqisë së një kau, gëlojnë të korrat.

5Dëshmitari besnik nuk rren,

dëshmitari i rremë nxjerr veç gënjeshtra.

6Përqeshësi e kërkon urtinë, por s'e gjen;

të mençurit i vjen lehtë dija.

7Hiqju të marrit,

se nuk do të nxësh fjalët e dijes.

8I mprehti e shqyrton me urti sjelljen e vet,

të marrët i pështjellon marrëzia.

9Të marrët tallen me mëkatin,

por të drejtët gjejnë hir.

10Veç zemra e njeh hidhërimin e vet,

e gëzimin e saj s'e ndan dot i huaji.

11Shtëpia e të paudhëve do të rrënohet,

por streha e të drejtëve do të lulëzojë.

12Dikujt mund t'i duket e drejtë një rrugë,

por ja që sos shtigjeve të vdekjes.

13Zemra dhemb edhe në gaz

e gëzimi mund të kthehet në vaj.

14Dredharaku do të ngopet me sjelljet e veta,

njeriu i mirë edhe më shumë.

15Thjeshtaku beson gjithçka,

ndërsa i përkori e di ku e hedh hapin.

16I urti e njeh frikën, ndaj i ikën së keqes,

ndërsa i marri është i cekët e ngulakëmbës.

17Njeriu idhnak bën marrëzira,

njeriu dinak është i urryer.

18Thjeshtakët trashëgojnë marrëzinë,

ndërsa të mprehtët kurorëzohen me dije.

19Të këqijtë përkulen para njerëzve të mirë

e të paudhët te portat e të drejtëve.

20Të varfrin e urren edhe fqinji i vet,

por të shumtë janë ata që e duan të pasurin.

21Kush e përçmon të afërtin, mëkaton,

por lum kush përkrah skamnorët.

22A nuk birren ata që veprojnë keq?

Mirësi e besnikëri për ata që veprojnë mirë!

23Çdo mund e sjell një dobi,

ndërsa fjalët e shumta janë varfëri.

24Të urtët kanë për kurorë pasurinë,

por të marrët shkojnë nga marrëzia në marrëzi.

25Dëshmitari i vërtetë shpëton jetë,

por kush gënjen përhap mashtrim.

26Në drojën e Zotit mbështetja është e fortë,

ajo është strehim për bijtë e tij.

27Droja e Zotit është burim jete,

të largon nga leqet e vdekjes.

28Një popull i madh është lavdia e mbretit,

ndërsa një princ pa popull është i rrënuar.

29Kush nuk zemërohet shpejt, është plot mend,

një shpirt i ngutur nxjerr në pah marrëzinë.

30Mendja e shëndoshë e gjallëron trupin,

kurse smira bren eshtrat.

31Kush nëpërkëmb të vobektin, fyen krijuesin e tij,

por kush përkrah nevojtarin, e nderon.

32I paudhi rrëzohet prej paudhësisë së vet,

për të drejtin edhe vdekja është strehë.

33Urtia prehet në zemrën e të mençurit,

por shfaqet edhe mes të marrëve.

34Drejtësia e lartëson një komb,

mëkati është turpi i popujve.

35Mbreti e përkrah shërbëtorin e mbarë,

por zemërohet me turpëruesin.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help