1Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën me Jakobin në Egjipt bashkë me familjet e tyre:
2Rubeni, Simeoni, Levi, Juda,
3Isahari, Zabuloni, Benjamini,
4Dani, Neftaliu, Gadi e Asheri.
5Të gjithë pasardhësit e Jakobit ishin shtatëdhjetë veta. Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt.
6Jozefi, gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni vdiqën.
7Bijtë e Izraelit u shtuan, u rritën, u shumuan e u forcuan tej mase. Kështu, vendi u mbush me ta.
Shtypja e Izraelit8Atëkohë në Egjipt doli një mbret i ri që nuk e njihte Jozefin.
9Ai i tha popullit të tij: «Ja, populli i Izraelit është më i madh e më i fuqishëm se ne!
10Ejani, të tregohemi të zgjuar me ta, përndryshe do të shtohen dhe, në rast lufte, do të bashkohen me armiqtë tanë. Do të na luftojnë e do të largohen nga ky vend».
11Kështu, caktuan mbikëqyrës skllevërish që t'i shtypnin me punë të detyruar. Bijtë e Izraelit ndërtuan për faraonin qytetet-depo të Pitomit e të Ramsesit.
12Por, sa më shumë që i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin. Egjiptianët filluan t'i kishin frikë bijtë e Izraelit.
13Egjiptianët i munduan si skllevër bijtë e Izraelit.
14Ua nxinë jetën me punë të rënda duke i detyruar të bënin llaç e tulla dhe çdo lloj pune në fushë. Ua morën shpirtin në të gjitha punët që bënin.
15Mbreti i Egjiptit foli edhe me mamitë e hebrenjve. Njëra prej tyre quhej Sifra, ndërsa tjetra Pua.
16Ai u tha: «Kur të ndihmoni gratë hebreje gjatë lindjes, nëse shihni se foshnja është djalë, vriteni, por nëse është vajzë, lëreni të rrojë».
17Mamitë i druheshin Perëndisë dhe nuk bënë siç u tha mbreti i Egjiptit. Ato i lanë gjallë foshnjat meshkuj.
18Atëherë mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e u tha: «Përse po i mbani gjallë djemtë?».
19Ato i thanë faraonit: «Gratë hebreje nuk janë si egjiptianet. Janë të forta dhe lindin para se t'iu vijë mamia».
20Perëndia u tregua i mirë me mamitë dhe populli u shtua e u bë shumë i fortë.
21Meqë mamitë i druheshin Perëndisë, ai u dha trashëgimtarë.
22Atëherë faraoni e urdhëroi tërë popullin e tij: «Hidhni në Nil çdo djalë që lind, ndërsa vajzat lërini gjallë!».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
