1Kush vepron me mëshirë, i jep hua të afërtit,
shtrin dorën e mban urdhërimet.
2Jepi hua të afërtit në kohë nevoje
e ktheje huanë në kohë.
3Mbaja fjalën, rriji besnik
e në çdo rast do të gjesh ç'ka të duhet.
4Shumë e shohin huanë si gjë të gjetur
e u qesin punë ndihmësve të vet.
5Sa të marrësh prej tij, ia puth dorën,
flet me zë të butë për paratë e të afërtit,
por në çastin e kthimit shtyn kohën,
kthen fjalë të kota
e ia vë fajin kohës së caktuar.
6Po ia doli, huadhënësi mezi merr gjysmën
e i duket gjë e gjetur.
Nëse jo, i vidhet pasuria
dhe e bën armik kot.
Do t'ia kthejë me mallkime e nëmë,
në vend të nderit do t'i kthejë turpin.
7Shumë nuk japin hua, jo nga ligësia,
por nga frika se u shkon kot huaja.
8Nejse, ji i duruar me nevojtarin,
mos e lër të presë lëmoshë.
9Për hir të urdhërimit, ndihmoje skamnorin,
mos e shporr duarzbrazët në nevojë.
10Zgjidhe qesen për vëllanë e për mikun,
mos të të myket nën gur e të humbë.
11Përdore thesarin sipas urdhërimeve të të Tejlartit
e do të të vlejë më shumë se ari.
12Mblidh në qilar lëmoshën e dhënë,
se të çliron nga çdo fatkeqësi.
13Më shumë se gjarpri i fuqishëm dhe se heshta e rëndë
do të luftojë për ty kundër armikut.
Dorëzania14Njeriu i mirë bëhet dorëzanë për të afërtin,
i paturpi e braktis.
15Dorëzanit mos ia harro nderin,
se të ka dhënë shpirtin.
16Mirësinë e dorëzanit e shpërdoron mëkatari,
shpenguesin e braktis me dije bukëshkali.
17Shumë të begatë i ka rrënuar dorëzania,
i ka përplasur si valët e detit.
18Ka dëbuar burra të fortë
që janë endur nëpër kombe të huaja.
19Mëkatari që hyn dorëzanë për të fituar,
bie në gjyq.
20Ndihmoje të afërtin sa të mundesh,
por kujdes se mos bie vetë.
Mikpritja21Themeli i jetesës, uji, buka e veshja,
dhe një shtëpi që s'të lë zbuluar.
22Skamnorit i shijon jeta në shtëpinë e vet
më shumë se haja e mirë te të tjerët.
23Kënaqu me pak e me shumë
e nuk do të dëgjosh qortime për mikpritjen.
24Shtëpi më shtëpi, është jetë e rëndë,
se si bujtës s'e hap dot gojën.
25Pret miq, u jep të pinë falas,
pastaj dëgjon hidhësira:
26«Eja, o i huaj, shtro tryezën,
më ushqe me ç'të kesh.
27Ik, o i huaj, liroja vendin një të nderuari,
më erdhi mik vëllai e më duhet shtëpia».
28Këto i bien rëndë njeriut të mençur:
sharja e shtëpisë e fyerja e huadhënësit.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
