Siraku 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Mëshira për skamnorin

1Bir, të varfrit mos ia moho jetesën,

mos i shpërfill sytë e nevojtarit.

2Shpirtin e të uriturit mos e trishto,

mos e zemëro njeriun e pikëlluar.

3Zemrën e mëritur mos e trazo,

mos ia vono dhuratën nevojtarit.

4Lypësin e mjerë mos e përbuz,

mos ia kthe kurrizin të varfrit.

5Mos ia hiq sytë nevojtarit,

mos i jep shkak askujt të të mallkojë.

6Në të mallkoftë me shpirt të hidhëruar,

krijuesi ia dëgjon përgjërimin.

7Bëhu i dashur në bashkësi,

ul kokën para burrave të mëdhenj.

8Vëri vesh të varfrit,

përgjigjju paqësisht e me butësi.

9Shpëtoje të shtypurin nga dora e të padrejtit,

mos u mpak kur të gjykosh.

10Bëhu si atë për jetimët,

në vend të burrit për nënat e tyre.

Atëherë do të jesh si bir i të Tejlartit,

ka për të të dashur më shumë se nëna jote.

11Urtia i larton bijtë e saj,

kujdeset për ata që e kërkojnë.

12Kush dashuron urtinë, dashuron jetën,

kush e kërkon që në mëngjes, mbushet me gëzim.

13Kush e zotëron, trashëgon lavdinë,

Zoti do ta bekojë kudo që të shkojë.

14Kush e adhuron urtinë, i shërben të Shenjtit,

ata që e dashurojnë do të dashurohen prej Zotit.

15Kush i bindet urtisë do të gjykojë kombet,

kush i përkushtohet do të jetojë i qetë.

16Kush i zë besë do ta trashëgojë,

edhe pasardhësit e tij do ta zotërojnë.

17Do ta shoqërojë udhëve të vështira në fillim,

do t'i shkaktojë tmerr e frikë,

me qortime ka për ta munduar,

derisa të ketë besim tek ai

e të jetë sprovuar nga gjykimet e saj.

18Do të vijë sërish tek ai e do ta gëzojë,

do t'i zbulojë të fshehtat e saj.

19Të mashtruarin e braktis,

ia lë në dorë rrënimit.

20Kap kohën e volitshme, ruaju prej të ligut,

mos të të vijë turp nga vetja.

21Një turp të shpie në mëkat,

një turp të sjell lavdi e hir.

22Mos mbaj anë në dëm të vetes,

që të mos biesh e të turpërohesh.

23Mos e kurse fjalën në rast nevoje,

[mos e fshih urtinë për t'u dukur.]

24Urtia njihet nga fjala,

dituria nga gjërat që thua.

25Mos e kundërshto të vërtetën,

turpërohu me padijen tënde.

26Rrëfeji pa turp mëkatet,

mos u rrek ta ndalësh lumin.

27Mos iu nënshtro njeriut të marrë,

mos ia mbaj anën e sundimtarit.

28Lufto për të vërtetën deri në vdekje

dhe Zoti Perëndi do të luftojë për ty.

29Mos u ngut në fjalët e tua,

mos ji i ngathët e i plogësht në punët e tua.

30Mos u sill si luan në shtëpi,

mos ji dyshues me shërbëtorët e tu.

31Mos e mbaj dorën shtrirë për të marrë

e mos e mbyll për të dhënë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help