2 Kronikave 22 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Ahazjahu, mbret i Judës

1Në vend të Jehoramit banorët e Jerusalemit bënë mbret Ahazjahun, djalin e tij të vogël, sepse të gjithë djemtë e tij më të mëdhenj ishin vrarë nga hordhitë që kishin hyrë bashkë me arabët në fushimin e Judës. Kështu, Ahazjahu, biri i Jehoramit, u bë mbreti i Judës.

2Ahazjahu ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për një vit në Jerusalem. E ëma e tij quhej Atalia dhe ishte bija e Omriut.

3Edhe Ahazjahu u soll si shtëpia e Ahabit, sepse ishte e ëma ajo që e këshillonte të bënte ligësi.

4Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ahabit, sepse, pas vdekjes së të atit, ishin ata që e këshillonin dhe që e çuan drejt shkatërrimit.

5Ahazjahu ndoqi këshillën e tyre dhe u bashkua me Joramin, birin e Ahabit, mbretit të Izraelit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Aramit, në Ramot të Gileadit. Arameasit e plagosën Joramin.

6Jorami u kthye në Izrel për t'u shëruar nga plagët që i shkaktuan arameasit në Ramah gjatë betejës kundër Hazaelit, mbretit të Aramit. Ahazjahu, biri i Jehoramit, mbreti i Judës, shkoi në Izrel për ta takuar Joramin, birin e Ahabit, që dergjej i sëmurë.

7Por Perëndia kishte vendosur shkatërrimin e Ahazjahut. Kështu, Ahazjahu shkoi te Jorami e iu bashkua për të sulmuar Jehun, birin e Nimshit, të cilin Zoti e kishte vajosur mbret për të shfarosur shtëpinë e Ahabit.

8Kur Jehu vendosi drejtësinë e Perëndisë kundër shtëpisë së Ahabit, ai i gjeti zyrtarët e Judës dhe bijtë e vëllezërve të Ahazjahut, teksa i shërbenin atij, e i vrau.

9Kërkoi edhe Ahazjahun, i cili ishte fshehur në Samari. E kapën, e sollën te Jehu dhe ai e vrau. Mandej e varrosën, sepse thanë: «Është pasardhësi i Joshafatit, i cili ishte dhënë pas Zotit me gjithë zemër». Nga shtëpia e Ahazjahut nuk mbeti askush që të mund të mbretëronte.

Mbretërimi i Atalisë në Judë

10Kur Atalia, nëna e Ahazjahut, pa se i biri vdiq, i shfarosi të gjithë pasardhësit mbretërorë të shtëpisë së Judës.

11Por Jehosheba, bija e mbretit, e rrëmbeu fshehurazi Joashin, të birin e Ahazjahut, nga mesi i bijve të mbretit, që ishin për t'u vrarë, dhe e fshehu bashkë me tajën e tij në një nga dhomat e gjumit. Jehosheba, bija e mbretit Jehoram dhe gruaja e priftit Jehojada, motra e Ahazjahut, e fshehu Joashin prej Atalisë e kështu ajo nuk e vrau.

12Joashi qëndroi i fshehur për gjashtë vjet bashkë me to në tempullin e Perëndisë, për aq kohë sa mbretëroi Atalia.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help