Jeremia 21 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Sedekia kërkon këshillë

1Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë kur mbreti Sedeki dërgoi tek ai Pashhurin, birin e Malkjahut, dhe priftin Sofoni, birin e Masejahut, për t'i thënë:

2«Pyete Zotin për ne, se Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, na ka hapur luftë. Ndoshta Zoti do të veprojë me ne sipas tërë mrekullive të veta që ai të largohet prej nesh».

3Jeremia iu përgjigj: «Kështu thuajini Sedekisë:

4kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: ja, do t'i kthej armët e luftës që keni në dorë, me të cilat luftoni kundër mbretit të Babilonisë e kundër kaldenjve, që u kanë vënë rrethimin jashtë mureve, e do t'i grumbulloj në mes të këtij qyteti.

5Unë vetë do të luftoj kundër jush, me dorë të shtrirë e me krah të fuqishëm, me zemërim, me tërbim e me furi të madhe.

6Do t'i godas banorët e këtij qyteti, njerëzit e kafshët. Nga murtaja e rëndë do të vdesin.

7E pastaj, kumton Zoti, Sedekinë, mbretin e Judës, shërbëtorët e tij dhe popullin që do t'i ketë shpëtuar murtajës, shpatës e urisë në këtë qytet, do t'ia dorëzoj Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, do t'i lë në duart e armiqve të tyre dhe në duart e atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Ai do t'i shkojë në teh të shpatës, pa keqardhje për ta, pa mëshirë e pa përdëllim.

8Ndërsa këtij populli thuaji: “Kështu thotë Zoti: ja, po ju vë përpara udhën e jetës dhe udhën e vdekjes.

9Kush do të mbesë në këtë qytet, do të vdesë prej shpatës, prej urisë e prej murtajës, ndërsa ata që do të ikin e do t'u dorëzohen kaldenjve, që ju kanë rrethuar, do të jetojnë e do të kenë për plaçkë jetën e vet,

10se jam drejtuar kundër këtij qyteti për keq e jo për mirë, kumton Zoti. Do të bjerë në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta djegë me zjarr”».

Kundër mbretërve të Judës

11Shtëpisë së mbretërve të Judës thuaji: «Dëgjojeni fjalën e Zotit,

12o shtëpia e Davidit. Kështu thotë Zoti:

gjykoni me drejtësi çdo mëngjes,

lirojeni nga dora e shtypësit

atë që e kanë vjedhur,

që të mos shpërthejë si zjarr zemërimi im,

të mos përflaket pa e shuar askush,

për shkak të veprave tuaja të liga.

13Kundruall më ke, o banorja e luginës,

o shkëmbi i rrafshinës, kumton Zoti,

ju që thoni: kush do të zbresë kundër nesh,

kush do të hyjë në vendstrehimet tona?

14Do t'ju ndëshkoj sipas frytit të veprave tuaja, kumton Zoti,

do t'i vë zjarrin pyllit të saj

e rreth saj do të djegë gjithçka».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help