2 Kronikave 23 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Jehojadai kundër Atalisë

1Në vitin e shtatë Jehojadai u bë i guximshëm dhe bëri një besëlidhje me tërë kryeqindësit, me Azarjahun, birin e Jerohamit, me Ishmaelin, birin e Jehohananit, me Azarjahun, birin e Obedit, me Masejahun, birin e Adajahut dhe me Elishafatin, birin e Zikriut.

2Ata shkuan anekënd Judës, mblodhën nga të gjitha qytetet e Judës levitët dhe krerët e familjeve të Izraelit dhe erdhën në Jerusalem.

3Të gjithë u mblodhën dhe bënë një besëlidhje me mbretin në tempullin e Perëndisë. Pastaj Jehojadai u tha: «Ky është biri i mbretit! Ai duhet të mbretërojë, siç ka thënë Zoti për pasardhësit e Davidit.

4Ja se ç'duhet të bëni: një e treta e priftërinjve dhe levitëve, që marrin shërbimin të shtunën, do të ruajnë portat e tempullit,

5një e treta pallatin mbretëror dhe një e treta Portën e Themelit. Populli të mblidhet i gjithi në tremet e tempullit të Zotit.

6Askush të mos hyjë në tempullin e Zotit, përveç priftërinjve dhe levitëve që kryejnë shërbesën. Ata mund të hyjnë, sepse janë të shenjtëruar. Mbarë populli të zbatojë urdhëresën e Zotit.

7Levitët do të qëndrojnë rreth e rrotull mbretit me armë në dorë dhe do të vrasin këdo që do t'i afrohet tempullit. Do ta shoqërojnë mbretin kudo që të shkojë».

8Levitët e mbarë Juda bënë siç u urdhëroi prifti Jehojada. Secili prej tyre mblodhi burrat e vet që do të merrnin apo do të linin shërbimin të shtunën. Prifti Jehojada nuk kishte lënë asnjë nga njësitë të largoheshin.

9Prifti Jehojada u dha kryeqindësve ushtat, mburojat dhe shqytet, që kishte pasur mbreti David e që gjendeshin në tempullin e Perëndisë.

10Të gjithë luftëtarët u vendosën të armatosur përpara tempullit, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tij, për të mbrojtur mbretin nga çdo anë.

11Atëherë ata nxorën birin e mbretit, i vunë kurorën në kokë dhe i dorëzuan rrotullën e dëshmisë. Pastaj Jehojadai dhe bijtë e tij e vajosën mbret, duartrokitën e brohoritën: «Rroftë mbreti!».

12Atalia dëgjoi popullin, që vraponte e brohoriste për mbretin, prandaj shkoi te populli në tempullin e Zotit.

13Kur pa mbretin tek qëndronte pranë shtyllës në hyrje të tempullit, luftëtarët dhe borizanët, që i qëndronin pranë, popullin, që gëzonte e u binte borive, këngëtarët dhe muzikantët, që udhëhiqnin lavdërimin me veglat e tyre, shqeu rrobat e bërtiti: «Tradhti! Tradhti!».

14Atëherë prifti Jehojada urdhëroi kryeqindësit e ushtrisë e u tha: «Nxirreni jashtë nga radhët tuaja dhe vritni me shpatë këdo që i shkon pas». Veçse, u kishte thënë të mos e vrisnin brenda në tempullin e Zotit.

15Atëherë e kapën dhe e vranë sapo ajo arriti në pallatin mbretëror, te hyrja e Portës së Kuajve.

16Jehojadai bëri një besëlidhje mes tij, popullit dhe mbretit, që populli t'i përkiste Zotit.

17Atëherë mbarë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërruan. Altarët dhe idhujt e tij i rrënuan dhe Matanin, priftin e Baalit, e vranë para altarëve.

18Mandej Jehojadai caktoi roja rreth tempullit të Zotit, nën mbikëqyrjen e priftërinjve dhe levitëve, siç i kishte caktuar Davidi në tempullin e Zotit, për t'i kushtuar fli shkrumbimi Zotit, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me gëzim e me këngë, siç kishte urdhëruar Davidi.

19Ai vendosi edhe derëtarët te portat e tempullit të Zotit, që të mos linin të hynte asnjë që ishte bërë i papastër për çfarëdo arsye.

20Ai mblodhi kryeqindësit, fisnikët, qeveritarët e mbarë popullin dhe e shoqëruan mbretin nga tempulli i Zotit për në pallatin mbretëror përmes Portës së Epërme. Mbreti Joash u ul në fronin mbretëror.

21Mbarë populli i vendit u gëzua dhe qyteti ra në paqe. Atalinë e vranë me shpatë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help