2 Makabenjve 10 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Kushtimi i Tempullit

1Makabeu dhe shoqëruesit e tij, nën udhëheqjen e Zotit, morën tempullin e qytetin,

2shkatërruan altarët që kishin ndërtuar të huajt në sheshe dhe rrënuan faltoret.

3Pastruan tempullin, ndërtuan një altar tjetër, ndëzën zjarr me strall, kushtuan fli pas dy vjetësh, dogjën temjan, ndezën kandilë dhe paraqitën bukët e paravënies.

4Pasi kryen këto, ranë përmbys e iu lutën Zotit, që të mos u binin përsëri fatkeqësi të tilla, dhe, po të mëkatonin sërish, t'i ndëshkonte me durim e të mos i linte në dorë të blasfemuesve e të kombeve barbare.

5Po atë ditë, kur tempulli u ndot nga të huajt, po atë ditë edhe u pastrua, pra më njëzet e pesë të muajit Haselev.

6Festimet zgjatën hareshëm tetë ditë, siç bënin për festën e Kasolleve, pa harruar se para pak kohe e kishin kremtuar festën e Kasolleve në male e në shpella, si egërsira.

7Mbanin në duar shkopinj të stolisur me kurora urthi e me degë palme dhe i këndonin himne atij që kishte ndihmuar të pastrohej vendi i vet.

8Vendosën bashkarisht me miratimin e mbarë kombit të judenjve që këtë ditë ta mbanin çdo vit.

9Këtë fund pati Antioku i quajtur Epifan.

Antiok Eupatori

10Tani do të tregojmë ngjarjet që ndodhën me Antiok Eupatorin, të birin e të pafeut, dhe do të rrëfejmë shkurtimisht fatkeqësitë kryesore të luftrave.

11Kur ai mori mbretërinë, vendosi në krye të punëve njëfarë Lisie, qeveritarin kryesor të Sirisë së Madhe e të Fenikës.

12Ptolemeu, i quajtur Makron, veproi me drejtësi kundrejt judenjve, të cilët kishin pësuar padrejtësi, e u përpoq të mbante lidhje paqësore me ta,

13prandaj miqtë e paditën tek Eupatori. Kishte dëgjuar se e quanin shpesh tradhtar, se kishte braktisur Qipron, që ia kishte besuar Filometori, dhe kishte mbajtur anën e Antiok Epifanit. Meqë nuk mund ta mbronte më nderin e vet, piu helm e i dha fund jetës.

Fushata e Idumesë

14Kur Gorgia u bë kryeushtarak i atyre vendeve, mblodhi një ushtri me pagesë dhe i sulmonte shpesh judenjtë.

15Veç kësaj, edhe idumenjtë, të cilët prej kohësh zotëronin fortesa, i shqetësonin shpesh judenjtë. Ata strehonin të dëbuarit nga Jerusalemi e përpiqeshin ta mbanin luftën ndezur.

16Mirëpo makabenjtë, pasi bënë një lutje dhe i kërkuan Perëndisë të luftonte me ta, u lëshuan mbi fortesat e idumenjve,

17i sulmuan egër dhe morën në zotërim të gjitha vendet. Ata që mbroheshin nga sipër mureve, i rrëzuan e vranë ata që u dolën para, pak më shumë se njëzet mijë burra.

18Jo më shumë se nëntë mijë burra u mblodhën në dy fortesa, të pajisura për ta përballuar rrethimin.

19Makabeu u largua për në vendet ku kishte më shumë nevojë për të dhe la Simonin, Jozefin e Zakeun, bashkë me njerëzit e tyre, të vijonin rrethimin.

20Mirëpo njerëzit e Simonit, të etur për para, morën mitë prej të rrethuarve nëpër kulla, rreth shtatëdhjetë mijë drahma, dhe i lanë të largoheshin.

21Kur Makabeut i erdhi lajmi për çfarë kishte ndodhur, mblodhi prijësit e popullit dhe paditi ata që për pak para kishin shitur vëllezërit dhe kishin lënë të lirë armiqtë.

22Tradhtarët i vrau dhe pushtoi dy kullat.

23Meqë kishte mbarësi me armë në gjithçka kapte në dorë, vrau më shumë se njëzet mijë vetë në të dyja kullat.

Mposhtja e Timoteut

24Timoteu, që ishte mundur nga judenjtë edhe më parë, mblodhi një ushtri të madhe me ushtarë të huaj, solli edhe shumë kuaj nga Azia dhe erdhi në Jude, për ta pushtuar befas.

25Kur po afrohej ushtria, Makabeu e njerëzit e tij hodhën pluhur në kokë dhe ngjeshën ijët me grathore, si lutje ndaj Perëndisë.

26Ranë tek shkallët para altarit, i kërkuan të tregohej i mirë me ta e të bëhej armik i armiqve të tyre e kundërshtar i kundërshtarëve të tyre, siç e përcakton edhe ligji.

27Si përfunduan lutjen, rrëmbyen armët e dolën larg qytetit. Kur iu afruan armikut, u ndalën.

28Në agim, të dyja ushtritë filluan sulmin. Njëra palë mbështetej për mbarësi e fitore jo vetëm në trimërinë e vet, por edhe duke besuar në Zotin, ndërsa palën tjetër e printe në betejë zemërimi.

29Kur beteja kishte arritur kulmin, armiqve iu shfaqën prej qiellit pesë burra madhështorë, hipur mbi kuaj me frerë të artë që u prinin judenjve.

30Makabeun e vunë në mes dhe e mbuluan me mburojat e tyre, që ta ruanin nga plagosja, kurse armiqve u lëshonin shigjeta e shkreptima, prandaj u trullosën e u shpërndanë, të tronditur e të verbuar.

31Mbetën të vrarë njëzet e pesë mijë këmbësorë dhe gjashtëqind kalorës.

32Vetë Timoteu shkoi në një fortesë që quhej Gazara, e ruajtur mirë me ushtarë, ku ishte prijës Kereu.

33Makabeu e njerëzit e tij e rrethuan me furi fortesën për katër ditë.

34Të rrethuarit, të sigurt për fortifikimin e pamposhtur, shanin së tepërmi e flisnin fjalë të ndyra.

35Por, kur agoi dita e pestë, njëzet djelmosha nga njerëzit e Makabeut u ndezën nga zemërimi prej sharjeve, i sulmuan muret burrërisht dhe, me zemërim të flaktë, prenë me shpatë këdo u doli para.

36Burrat e tjerë u sulën në një pjesë tjetër të rrethimit kundër atyre që ndodheshin brenda, i vunë zjarrin e i dogjën të gjallë sharësit. Disa të tjerë shkallmuan dyert, pastaj hyri brenda ushtria dhe e pushtoi qytetin.

37Timoteun, që ishte fshehur në një gropë, e vranë bashkë me të vëllanë, Kereun, dhe me Apollofanin.

38Si i përfunduan të gjitha këto, me himne e falënderime bekonin Zotin, që e përkrahu madhërisht Izraelin e i dha fitoren.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help