1Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë.
2Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë.
3Të gjithë shkonin për t'u shënuar, secili në qytetin e vet.
4Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit,
5për t'u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë.
6Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur
7dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta.
Barinjtë dhe engjëjt8Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre.
9Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë,
10por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin:
11sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot.
12Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd».
13Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu:
14«Lavdi i qoftë Perëndisë
në lartësitë qiellore
e paqe në tokë
njerëzve që ai i ka për zemër».
15Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti».
16Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd.
17Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën.
18Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve.
19Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj.
20Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë.
21Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej.
Jezui foshnjë në tempull22Kur erdhi koha e pastrimit të tyre në tempull, sipas ligjit të Moisiut, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në Jerusalem për t'ia paraqitur Zotit,
23siç është shkruar në ligjin e Zotit: çdo djalë i parë do t'i kushtohet Zotit
24dhe për të kushtuar flinë siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël.
25Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të.
26Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit.
27I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit,
28Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu:
29«Tani, o Zot,
lëre shërbëtorin tënd
të shkojë në paqe,
sipas fjalës sate,
30se me sytë e mi
e pashë shpëtimin tënd
31që ti e përgatite
në sytë e të gjithë popujve,
32dritë për të ndriçuar kombet
e lavdi për popullin tënd, Izraelin».
33I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të.
34Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi,
35që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin».
36Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj
37e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur.
38Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.
Kthimi në Nazaret39Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.
40Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.
Jezui fëmijë në tempull41Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës.
42Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit.
43Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t'u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë.
44Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit,
45por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
46Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste.
47Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij.
48Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth».
49Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?».
50Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.
51Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër.
52Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.