2 Makabenjve 11 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Lisia dhe judenjtë

1Pak më vonë, Lisia, kujdestari i mbretit dhe i afërmi i tij, i ngarkuari me punë, i rënduar nga ngjarjet e fundme,

2mblodhi rreth tetëdhjetë mijë burra, bashkë me gjithë kalorësinë e tij, e u nis kundër judenjve, duke menduar ta kthente qytetin në vendbanim të helenëve

3e t'i vinte tagër tempullit, siç kishte bërë me faltoret e kombeve të tjera, kurse priftërinë ta nxirrte në shitje për çdo vit.

4Nuk e përfilli aspak fuqinë e Perëndisë, se ia kishin marrë mendtë mijëra ushtarë, qindra kalorës e tetëdhjetë elefantë.

5Hyri në Jude, iu afrua Betcurit, vend i fortifikuar rreth njëzet e tetë kilometra larg Jerusalemit, dhe vuri rrethimin.

6Kur njerëzit e Makabeut morën vesh se Lisia i kishte rrethuar fortesat e tyre, ata e mbarë populli iu lutën Zotit me vajtime e lot, që të dërgonte engjëllin e tij të mirë, për ta shpëtuar Izraelin.

7Makabeu rrëmbeu i pari armët e u thirri të tjerëve të rrezikonin jetën bashkë me të, për të shpëtuar vëllezërit e tyre. Atëherë u nisën të gjithë bashkë.

8Kur ishin ende pranë Jerusalemit, u duk para tyre një kalorës veshur me të bardha, duke tundur një parzmore të artë.

9Të gjithë bashkë bekuan Perëndinë e mëshirshëm, morën zemër dhe ishin gati të përballeshin jo vetëm me njerëz, por edhe me bisha të egra, edhe me mure të hekurta.

10Marshonin në rreshta, me një përkrahës qiellor, se Zoti kishte mëshirë për ta.

11U hodhën mbi armikun si luanët, rrëzuan përdhe njëmbëdhjetë mijë prej tyre dhe një mijë e gjashtëqind kalorës, ndërsa të gjithë të tjerëve u dhanë arratinë.

12Shumë prej tyre ikën të plagosur e të zhveshur, ndërsa Lisia ia mbathi i turpëruar.

13Meqë Lisia nuk ishte i pamend, mori mbi vete fajin e humbjes dhe e kuptoi se hebrenjtë ishin të pamposhtur, sepse Perëndia i fuqishëm luftonte krah tyre.

14U dërgoi fjalë për t'u marrë vesh me drejtësi, duke u premtuar se do të bindte edhe mbretin të miqësohej me ta.

15Makabeu ra në një mendje për gjithë sa i tha Lisia, sepse donte të mirën e përbashkët. Edhe mbreti i pranoi kërkesat e Makabeut për Lisinë, në dobi të judenjve.

16Letra e Lisisë për judenjtë ishte kjo: «Lisia, popullit të judenjve: përshëndetje!

17Johanani e Absalomi, të cilët i dërguat ju, na e dhanë letrën e na pyetën për përmbajtjen e saj.

18E kam lajmëruar mbretin për gjithë sa ishte e nevojshme dhe ai pranoi çfarë ishte e mundshme.

19Po të silleni mirë me ne, do të përpiqem t'ju ndihmoj edhe në të ardhmen, që të përparoni.

20Sa për çështjet e veçanta, i kam urdhëruar njerëzit e mi të merren vesh me ju.

21Paçi shëndet! Në vitin njëqind e dyzet e tetë, më njëzet e katër të muajit të Zeusit të Korintit».

22Letra e mbretit për Lisinë ishte kjo: «Mbreti Antiok, vëllait tonë Lisia: përshëndetje.

23Tani që im atë u ngjit te perënditë, dëshirojmë që jeta e nënshtetasve të kalojë pa shqetësime dhe ata të merren me punët e tyre.

24Dëgjuam se judenjtë nuk kishin rënë në një mendje me atin tonë, i cili solli doket e helenëve, kur ata dëshirojnë të ruajnë doket e tyre dhe të zbatojnë ligjet e tyre.

25Prandaj, meqenëse dëshiroj që ky popull të jetojë në paqe, gjykojmë se tempulli i tyre duhet të rindërtohet dhe le të jetojnë sipas dokeve të paraardhësve të vet.

26Do të ishte mirë të dërgoje lajmës tek ata e t'u shtrini dorën, në mënyrë që ata, kur të shohin prirjen tonë të mirë, të gëzohen e të merren me punët e veta me hare».

27Letra e mbretit për kombin jude ishte kjo:

28«Urojmë të jeni mirë. Edhe ne jemi mirë.

29Menelau na bëri me dije se dëshironi të ktheheni në shtëpitë tuaja e të merreni me punët tuaja.

30Ata që kthehen nëpër shtëpi deri më datën tridhjetë të muajit Ksantik, do të kenë mbrojtjen e lejen time.

31Judenjtë le të gëzojnë ushqimet e ligjet e tyre, si më parë, e askush të mos ndëshkohet në asnjë mënyrë për çfarë ka bërë në të shkuarën nga padija.

32Kam dërguar edhe Menelaun, që të qetësoheni.

33Paçi shëndet! Në vitin njëqind e pesëdhjetë e tetë, më pesëmbëdhjetë të muajit Ksantik».

34Edhe romakët u dërguan një letër me këto fjalë:

35«Për çfarë ju lejoi Lisia, nga fisi i mbretit, japim miratimin edhe ne.

36Për gjërat që ai mendon se i duhen parashtruar mbretit, dërgoni menjëherë dikë, pasi të jeni këshilluar, që t'i parashtrojmë siç i takon rastit tuaj. Ne jemi udhës për në Antioki,

37prandaj dërgoni shpejt dikë, që ta dimë edhe ne ç'mendoni.

38Mbetshi me shëndet. Në vitin e njëqindedyzetetetë, më pesëmbëdhjetë të muajit Ksantik».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help