Psalmet 34 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Psalm i Davidit. Kur u shtir si i marrë para Abimelekut, i cili e dëboi dhe Davidi u largua.

Alef

2E bekoj Zotin në çdo kohë,

lavdërimi i tij përherë në gojën time.

Bet

3Në Zotin mburret shpirti im,

le të dëgjojnë skamnorët e le të gëzojnë.

Gimel

4Madhërojeni Zotin bashkë me mua,

le ta lartësojmë së bashku emrin e tij.

Dalet

5E kërkova Zotin e ai m'u përgjigj,

nga të gjitha tmerret më çliroi.

He

6E panë e u ndriçuan,

fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Zain

7Ja, ky skamnor thirri dhe Zoti e dëgjoi,

nga të gjitha fatkeqësitë e çliroi.

Het

8Engjëlli i Zotit bën roje

rreth atyre që e druajnë dhe i shpëton.

Tet

9Shijoni e shihni se i mirë është Zoti.

Lum ai njeri që gjen strehë tek ai!

Jod

10Druajeni Zotin, o të shenjtët e tij,

se atyre që e druajnë, nuk u mungon asgjë.

Kaf

11Luanët mbeten të pangopur e të uritur,

por atyre që kërkojnë Zotin,

nuk do t'u mungojë asnjë e mirë.

Lamed

12Ejani, o bij, e dëgjomëni,

drojën e Zotit do t'ju mësoj.

Mem

13Kush është ai njeri që e dëshiron jetën,

që dëshiron të shohë ditë të mira?

Nun

14Ruaje, pra, gjuhën prej së keqes

e buzët prej fjalëve mashtruese.

Samek

15Largohu nga e keqja e bëj të mirën,

kërko paqen e rend pas saj.

Ain

16Sytë e Zotit janë mbi të drejtët

veshët e tij e dëgjojnë klithmën e tyre.

Pe

17Fytyra e Zotit u kundërvihet keqbërësve,

për ta fshirë prej dheut kujtimin e tyre.

Cade

18 Zoti i dëgjon ata që i përgjërohen,

prej të gjitha fatkeqësive i çliron.

Kof

19 Zoti është pranë zemërthyerve,

të dërrmuarit në shpirt i shpëton.

Resh

20Të shumta janë mundimet e të drejtit,

por Zoti e çliron prej të gjithave.

Sin

21Ai i ruan tërë kockat e tyre,

asnjë prej tyre nuk do të thyhet.

Tau

22E keqja do ta vrasë të paudhin,

ata që urrejnë të drejtin do të ndëshkohen.

23 Zoti e shpengon shpirtin e shërbëtorëve të tij,

kush strehohet tek ai, nuk do të ndëshkohet.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help