Tobia 8 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Tobia dëbon demonin

1Pasi mbaruan së ngrëni e së piri, deshën të flinin, prandaj e morën djaloshin dhe e çuan te dhoma e shtratit.

2Atëherë Tobisë iu kujtuan fjalët e Rafaelit, nxori mëlçinë dhe zemrën e peshkut nga qesja ku i kishte dhe i vuri mbi hirin e temjanit.

3Era e peshkut e përzuri demonit aq sa e flaku deri në viset e Egjiptit. Rafaeli e ndoqi dhe e lidhi atje këmbë e duar menjëherë.

4Prindërit dolën dhe mbyllën derën e dhomës së shtratit. Tobia u ngrit nga shtrati e i tha Sarës: «Motër, ngrihu t'i lutemi e t'i përgjërohemi Zotit të na japë mëshirë e shpëtim».

5Ajo u ngrit dhe filluan të luteshin e të përgjëroheshin që të shpëtonin. Ai nisi e tha:

«Bekuar qofsh, o Perëndi i etërve tanë,

bekuar emri yt në të gjitha breznitë përgjithmonë.

Përgjithmonë të bekoftë qielli

e mbarë krijimi.

6Ti bëre Adamin,

ndihmë e mbështetje i bëre Evën, gruan e tij.

Prej të dyve lindi fara njerëzore

e ti the: “S'është mirë të jetë njeriu vetëm;

do t'i bëj dikë përkrah si veten”.

7Tani unë po e marr këtë motër timen

jo me epsh, por me vërtetësi.

Denjo të kesh mëshirë për mua e për të,

që të plakemi së bashku».

8Pastaj të dy thanë: «Amen, amen».

9Dhe ranë të flinin bashkë atë natë.

10Ragueli u ngrit, mori me vete shërbëtorët dhe shkuan të hapnin varrin, se thoshte: «Mos vdes dhe bëhemi tallje e shpoti».

11Kur mbaruan së hapuri varrin, Ragueli shkoi në shtëpi, thirri gruan

12e i tha: «Nis njërën nga shërbëtoret që të hyjë e të shohë a është gjallë. Nëse ka vdekur, ta varrosim pa e marrë vesh njeri».

13E dërguan shërbëtoren, ndezën kandilin dhe hapën derën. Ajo hyri dhe i gjeti duke fjetur gjumë bashkë.

14Shërbëtorja doli dhe u tregoi se ai ishte gjallë dhe nuk i kishte ndodhur asnjë e keqe.

15Atëherë bekuan Perëndinë e qiellit e thanë:

«Bekuar qofsh, o Perëndi,

me çdo bekim të dëlirë.

Qofsh bekuar në tërë amshimin.

16Bekuar qofsh, se më lumturove,

nuk ndodhi siç kisha pandehur,

u solle me ne me mëshirë të madhe.

17Bekuar qofsh, se pate mëshirë

për dy fëmijë të vetëm.

Vepro me ta me mëshirë,

o sundues, dhe shpëtoi.

Ta sosin jetën me hare e mëshirë».

18Pastaj u tha shërbëtorëve ta mbyllnin varrin para se të agonte.

Dasma

19Ai i kërkoi gruas të piqte shumë bukë dhe vetë shkoi te tufa, solli dy qe e katër desh dhe urdhëroi t'i thernin. Kështu filluan përgatitjet.

20Atëherë thirri Tobinë e i tha: «Për katërmbëdhjetë ditë nuk do të lëvizësh prej këtu, por do të rrish me mua duke ngrënë e duke pirë e do t'i këndellësh shpirtin bijës sime, që ishte mekur.

21Merr gjysmën e pasurisë sime dhe shko shëndoshë tek yt atë. Gjysma tjetër të takon ty pasi të vdes unë dhe ime shoqe. Guxim, o bir. Unë jam yt atë dhe Edna është nëna jote. Do të jemi me ty dhe me motrën tënde tani e përgjithmonë. Guxim, o bir!».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help