2 Makabenjve 13 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Përndjekja vazhdon

1Në vitin njëqind e dyzet e nëntë, judenjve u erdhi lajmi se Antiok Eupatori po vinte në Jude me një ushtri të madhe.

2Bashkë me të ishte edhe Lisia, kujdestari dhe i ngarkuari me punët e qeverisjes. Secili prej tyre kishte me vete ushtri me ushtarë helenë, njëqind e dhjetë mijë këmbësorë, pesë mijë e treqind kalorës, njëzet e dy elefantë dhe treqind karroca të pajisura me drapërinj.

3Me ta u bashkua edhe Menelau, i cili shtirej e i jepte zemër Antiokut, pa u shqetësuar për atdheun e vet, por duke shpresuar se do të mbetej kryeprift.

4Mirëpo mbreti i mbretërve zgjoi zemërimin e Antiokut kundër atij të poshtri. Lisia i tregoi këtij se shkaku i gjithë të këqijave ishte pikërisht ky, prandaj ai urdhëroi që ta çonin në Berea dhe atje të vritej sipas dokeve të vendit.

5Në atë vend ishte një kullë njëzet e pesë metra e lartë, e mbushur me hi, dhe, rreth saj, nga brenda, kishte një shkallë që zbriste në hi.

6Atje vrisnin këdo ishte fajtor për përdhosje apo që ishte shquar për shkelje të tjera. E hipnin në majë të kullës dhe e hidhnin poshtë.

7Një fat i tillë i takoi edhe Menelaut të paudhë, i cili vdiq pa varr në tokë,

8siç ishte e drejtë. Meqë kishte mëkatuar shumë kundër altarit, zjarri e hiri i të cilit ishin të shenjtë, e gjeti vdekjen në hi.

9Mbreti po vinte barbarisht, me synimin t'ua bënte judenjve edhe më keq se në kohën e të atit.

10Kur Juda i mori vesh këto, urdhëroi popullin t'i lutej Zotit ditë e natë, më shumë se kurrë, që t'i ndihmonte të mos mbeteshin pa ligj, pa atdhe e pa shenjtërore

11dhe që populli i sapo përtërirë të mos bëhej skllav i kombeve përdhosëse.

12Pasi të gjithë së bashku iu lutën Zotit të mëshirshëm me vajtime, me agjërim e me fytyrën përdhe për tri ditë, pa pushim, Juda i thirri e i urdhëroi ta ndiqnin.

13Pasi u këshillua veçmas me pleqtë, vendosi që, para se ushtria e mbretit të mbërrinte në Jude dhe të pushtonte qytetin, të dilte e të përballej, me ndihmë të Perëndisë.

14Ia la vendimin krijuesit të botës dhe i nxiti të vetët të luftonin deri në vdekje për ligjin, për shenjtëroren, për qytetin, për atdheun e për doket. Fushimin e ngriti afër Modeinit.

15U dha njerëzve të vet parullën «Fitorja i takon Perëndisë!» dhe, me djemtë më trima e të zgjedhur, sulmoi natën oborrin mbretëror, vrau rreth dy mijë ushtarë dhe theri elefantin kryesor bashkë me atë që e ngiste mbi kullëz.

16Në fund, pasi fushimin e kishte pushtuar tmerri e rrëmuja, u kthyen fitimtarë.

17Kjo ndodhi në agim, me ndihmën dhe nën mbrojtjen e Zotit.

18Kur mbreti e sprovoi guximin e judenjve, u përpoq t'i pushtonte ato vende me dredhi.

19Sulmoi Betcurin, fortesën e pajisur të judenjve, u zmbraps, sulmoi përsëri e u shpartallua,

20se Juda i pajiste të rrethuarit me ç'u nevojitej.

21Mirëpo Rodoku, prej aradhës së judenjve, ua kishte zbuluar të fshehtat armiqve. E kërkuan, e kapën dhe e mbyllën në burg.

22Mbreti bëri përsëri marrëveshje me ata që ndodheshin në Betcur, u dha premtime, u shtriu e i shtrinë dorën e djathtë dhe u larguan. Pastaj i sulmoi njerëzit e Judës, por u mund.

23Mori lajmin se Filipi, të cilin e kishte lënë në Antioki të ngarkuar me punë, kishte ngritur krye. U trondit, ftoi judenjtë për marrëveshje, u nënshtrua dhe u betua se do të zbatonte çdo të drejtë, u pajtua me ta, kushtoi fli, nderoi tempullin dhe kreu vepra bujare në vendin e shenjtë.

24U takua me Makabeun dhe la Hegjemonidin qeveritar të krahinës nga Ptolemaida deri në Gerenë.

25Erdhi në Ptolemaidë, por vendasit shprehën pakënaqësi për marrëveshjen me judenjtë dhe ishin kaq të zemëruar, saqë kërkuan të prishej.

26Lisia u ngjit në foltore, e mbrojti marrëveshjen më së miri, i bindi, i qetësoi, u thirri arsyes së tyre dhe u kthye në Antioki. Kështu përfundoi sulmi e zmbrapsja e mbretit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help