Nehemia 3 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rindërtimi i mureve të Jerusalemit

1Kryeprifti Eliashib dhe vëllezërit e tij priftërinj ndërtuan Portën e Deleve, e kushtuan dhe i vunë kanatet. E kushtuan deri te Kulla e të Njëqindve dhe deri te Kulla e Hananelit.

2Pranë tij ndërtuan burrat e Jerikosë e pranë tyre ndërtoi Zakuri, biri i Imriut.

3Portën e Peshqve e ndërtuan bijtë e Senahut. Ata i bënë shtalkat dhe i vunë kanatet, menteshat e shulat.

4Pranë tyre bëri meremetime Meremoti, biri i Urjahut, të birit të Hakocit. Edhe Meshulami, biri i Berekjahut, të birit të Meshezabelit bëri meremetime pranë tyre, sikurse edhe Cadoku, biri i Banahut.

5Aty pranë bënë meremetime tekoitët, por fisnikët e tyre nuk iu nënshtruan urdhrave të zotërve të vet.

6Portën e Jeshanahut e meremetuan Jojadai, biri i Paseahut, dhe Mëshulami, biri i Besodjahut. Ata i bënë shtalkat dhe i vunë menteshat, kanatet e shulat.

7Pranë tyre bënë meremetime Melatjah Gibeoniti e Jadon Meronotiti, prej Gibeonit e prej Micpahut. Këta ishin nën pushtetin e qeveritarit të tejlumit;

8pranë tyre bëri meremetime Uzieli, biri i arpunuesit Harhajah; pranë tij bëri meremetime Hananiahu, biri i prodhuesve të vajrave erëmirë. Këta e rindërtuan Jerusalemin deri te Muri i Gjerë;

9pranë tyre bëri meremetime Refajahu, biri i Hurit, kreut të gjysmës së rrethit të Jerusalemit;

10pranë tyre, përballë shtëpisë së vet, bëri meremetime Jedajahu, biri i Harumafit; pranë këtij bëri meremetime Hatushi, biri i Hashabenjahut.

11Malkjahu, biri i Harimit, dhe Hashubi, biri i Pahat Moabit, meremetuan pjesën e dytë dhe Kullën e Furrave;

12pranë tyre bëri meremetime Shalumi, biri i Haloheshit, kreu i gjysmës së rrethit të Jerusalemit, bashkë me të bijat.

13Portën e Luginës e meremetoi Hanuni me banorët e Zanoahut. Ata e ndërtuan dhe i vunë kanatet, menteshat e shulat. Ndërtuan edhe një mijë kute mur, deri te Porta e Hedhurinave.

14Portën e Hedhurinave e meremetoi Malkjahu, biri i Rekabit, kreut të rrethit të Betkeremit. Ai e ndërtoi dhe i vuri kanatet, menteshat e shulat.

15Portën e Gurrës e meremetoi Shaluni, biri i Kolhozehut, kreut të rrethit të Micpahut. Ai e ndërtoi, e mbuloi dhe i vuri kanatet, menteshat e shulat. Ndreqi edhe murin e Hurdhës së Shelahut, te Kopshti i Mbretit, deri te shkallët që zbresin nga qyteti i Davidit.

16Më tej, Nehemia, biri i Azbukut, kreut të gjysmës së rrethit të Betcurit, bëri meremetime deri kundruall Varrezave të Davidit, deri te Hurdha e Sajuar dhe te Shtëpia e Trimave.

17Përtej tij bënë meremetime levitët: Rehumi, biri i Baniut, pranë të cilit punoi Hashabiahu, kreu i gjysmës së rrethit të Kejlahut, për rrethin e vet.

18Më tej, bënë meremetime vëllezërit e tyre: Bavai, biri i Henadadit, kreut të gjysmës së rrethit të Kejlahut,

19pranë të cilit Ezeri, biri i Jeshuait, kreut të Micpahut, meremetoi pjesën e dytë, kundruall malores së armatimeve, te qoshja.

20Përtej tij, Baruku, biri i Zabait, meremetoi me zell pjesën e dytë, nga qoshja te hyrja e shtëpisë së kryepriftit Eliashib.

21Përtej tij, Meremoti, biri i Urjahut, të birit të Hakocit, meremetoi pjesën tjetër, nga hyrja e shtëpisë së Eliashibit deri ku përfundon shtëpia e Eliashibit.

22Përtej tij bënë meremetime priftërinjtë, burrat prej rrethinave.

23Përtej tyre, kundruall shtëpisë së vet, bënë meremetime Benjamini e Hashubi; përtej tyre, pranë shtëpisë së vet, bëri meremetime Azarjahu, biri i Masejahut, të birit të Ananjahut;

24përtej tij, Binui, biri i Henadadit, meremetoi pjesën tjetër, nga shtëpia e Azarjahut deri te qoshja e deri te kthesa;

25Palali, biri i Uzait, bëri meremetimet kundruall qoshes dhe kullës që spikat përmbi shtëpinë e mbretit te tremja e rojës; përtej tij, Pedajahu, biri i Faroshit,

26dhe shërbestarët e tempullit, që banojnë në Ofel, bënë meremetime deri kundruall Portës së Ujit, në lindje të Kullës Spikatëse;

27përtej tij, tekoitët meremetuan pjesën tjetër kundruall kullës së madhe që spikaste deri te Muri i Ofelit.

28Mbi Portën e Kuajve bënë meremetime priftërinjtë, secili kundruall shtëpisë së vet;

29përtej tyre bëri meremetime Cadoku, biri i Imerit, kundruall shtëpisë së vet; përtej tij bëri meremetime Shemajahu, biri i Shekanjahut, rojtari i Portës së Lindjes;

30përtej tij, Hananiahu, biri i Shelemiahut, dhe Hanuni, biri i gjashtë i Calafit, meremetuan pjesën tjetër; përtej tyre Meshulami, biri i Berekjahut, bëri meremetime kundruall banesës së vet;

31përtej tij, Malkjahu, njëri prej arpunuesve, bëri meremetime deri te shtëpia e shërbestarëve të tempullit dhe e tregtarëve, kundruall Portës së Vendtakimit e deri te dhoma e epërme e qoshes.

32Ndërmjet dhomës së epërme të qoshes dhe Portës së Deleve bënë meremetime arpunuesit e tregtarët.

Zemërimi i kundërshtarëve

33 Kur Sanbalati dëgjoi se po ndërtonim murin, u zemërua, u tërbua, i vuri në lojë judenjtë

34dhe tha para vëllezërve të vet e ushtrisë së Samarisë: «Çfarë kanë ndër mend të bëjnë këta judenj mjeranë? Duan ta përfundojnë? Duan të bëjnë kushtime? Duan ta mbarojnë brenda ditës? Duan të ngjallin prej pirgut të hirit gurët e djegur?».

35Tobi Amoniti, që ishte pranë tij, tha: «Le ta ndërtojnë, por edhe një dhelpër po të ngjitet sipër, do ta shembë murin e tyre prej guri».

36Dëgjo, o Perëndia ynë, se u përçmuam! U rëntë kokës qesëndia e tyre e jepi ata si plaçkë në ndonjë vend skllavërimi!

37Mos e mbulo fajin e tyre e mos t'u heqtë sysh mëkati i tyre, sepse ata i ngucën ndërtuesit.

38Ne e rindërtuam murin. Muri ishte i lidhur mirë deri në gjysmë dhe populli e pati për zemër punën.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help