Urtia 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vesi dhe virtyti

1Më mirë pa fëmijë e me virtyt,

se kujtimi i virtytit është pavdekësi,

është i njohur prej Perëndisë e prej njerëzve.

2Kur është pranë, bëjnë si ai,

kur s'është pranë, e dëshirojnë;

marshon përjetësisht i kurorëzuar,

fton përplasjet në betejat e panjolla.

3Pjelloria e të paudhit nuk ka vlerë,

filizat e paligjshëm s'i shtrijnë rrënjët thellë,

nuk i kanë themelet të sigurta.

4Edhe sikur ndonjë bisk të bulojë për pak,

do të jetë i luhatshëm e i lëkundur nga era.

Prej forcës së erës do të shkulet.

5Do të epohen bisqet që s'kanë lidhur mirë,

fryti i tyre do të jetë i pavlerë, i papjekur për t'u ngrënë,

i papërshtatshëm për këdo.

6Bijtë e lindur nga shtrati i paligjshëm,

dëshmi paudhësie në gjyqin e prindërve të tyre.

7Por i drejti, edhe në vdektë i ri, gjen prehje,

8se pleqëria nuk nderohet prej jetës së gjatë,

as matet me numrin e viteve.

9Thinjat për njeriun janë mençuri,

jeta e panjollë është pleqëri.

10Kush i pëlqen Perëndisë, bëhet i dashur,

hiqet nga jeta mes mëkatarëve.

11Hiqet, që e liga të mos ia ndryshojë arsyen,

që mashtrimi të mos ia zërë shpirtin në kurth.

12Joshja e së ligës i errëson të mirat,

rrëmbimi i epshit e shtrembëron pafajësinë.

13U përsos shpejt

e jetoi gjatë.

14Shpirti i tij i pëlqen Zotit,

prandaj e heq nga mesi i ligësisë.

Popujt shohin e nuk kuptojnë,

as marrin me mend ç'ndodh,

15se hiri dhe mëshira janë me të zgjedhurit e tij,

ai i mbron besnikët e vet.

16I drejti i vdekur i gjykon të gjallët e pafe,

i riu që u përsos shpejt

e dënon të padrejtin e plakur.

17Do ta shohin fundin e të urtit

pa kuptuar ç'u caktua për të,

apo çfarë i caktoi Zoti.

18Do ta shohin dhe do ta përçmojnë,

e Zoti do t'i përqeshë,

19se pas kësaj do të bëhen kufomë e përçmuar,

të turpëruar mes të vdekurve përjetë,

se do t'i plandosë pa i lënë të bëzajnë

dhe do t'i trondisë nga themelet,

deri në palcë do të thahen,

do të kenë veç dhimbje

e do t'u zhduket kujtimi.

20Kur t'u shqyrtojnë mëkatet, do t'i zërë frika,

fajet e veta do të jenë padia kundër tyre.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help