1Qëlloi që u kapën edhe shtatë vëllezër bashkë me nënën e tyre dhe u detyruan prej mbretit, me fshikuj e deje, të hanin mish derri, që ishte e ndaluar.
2Njëri prej tyre mori fjalën si përfaqësues e tha: «Çfarë ke ndërmend të marrësh vesh e të mësosh prej nesh? Ne jemi të gatshëm të vdesim e të mos shkelim ligjet e etërve tanë».
3Atëherë mbreti, i zemëruar, urdhëroi të nxeheshin tavat e kovat.
4Pasi u nxehën menjëherë, mbreti urdhëroi t'i pritej gjuha atij që foli, t'i rripnin lëkurën e kokës dhe t'i prisnin gjymtyrët para vëllezërve dhe të ëmës.
5Kur e gjymtuan të gjithin, mbreti urdhëroi ta vinin në zjarr, sa ishte ende duke marrë frymë, e ta skuqnin në tavë. Ndërsa tymi i tavës shpërndahej rreth e qark, vëllezërit dhe nëna i jepnin zemër njëri-tjetrit e thoshin:
6«Zoti Perëndi na vështron dhe vërtet ka dhembshuri për ne, siç tha Moisiu në këngën e vet, që ia tha popullit haptas ballë për ballë: “Dhe për shërbëtorët e vet do të ketë dhembshuri”».
7Pasi vdiq vëllai i parë në atë mënyrë, sollën vëllanë e dytë për ta munduar, i rropën lëkurën e kokës me gjithë flokë, dhe e pyetën: «Do të hash apo jo para se të t'i shkulim gjymtyrët nga trupi?».
8Ky u përgjigj në gjuhën e etërve të tij: «Jo!», prandaj u torturua si vëllai i parë.
9Kur po jepte frymën e fundit, tha: «Ti, o i pashpirt, po na rrënon jetën e tashme, por mbreti i botës do të na ngjallë, pasi të vdesim për hir të ligjeve të tij, do të na ngjallë në jetën e re të amshuar».
10Pas kësaj i erdhi radha të mundohej të tretit. Kur e pyetën, nxori menjëherë gjuhën, shtriu duart
11e tha trimërisht: «Prej qiellit i mora e për hir të ligjeve të tij i përçmoj. Shpresoj t'i marr përsëri prej tij».
12Mbreti dhe shpura e tij u habitën me trimërinë e djaloshit, se i shpërfilli fare dhimbjet.
13Pasi vdiq ky, edhe të katërtin e munduan si të tjerët.
14Kur po i vinte fundi, ai tha: «Më mirë të vdes nga dora e njeriut me shpresën se do të ngjallem sërish prej Perëndisë. Por për ty nuk ka ngjallje për të jetuar».
15Sollën pastaj të pestin dhe nisën ta mundonin.
16Por ai, duke parë nga mbreti, tha: «Megjithëse je vdekatar, ti ke pushtet mbi njerëzit, por mos kujto se Perëndia e braktis kombin tonë.
17Prit pak e do të shohësh madhështinë e fuqisë së tij, që do të të mundojë ty e farën tënde».
18Pas këtij sollën të gjashtin, i cili, kur po vdiste, tha: «Mos u gënje kot. Ne po i vuajmë këto për fajin tonë, se mëkatuam kundër Perëndisë. Prandaj na ranë këto fatkeqësi.
19Por ti mos mendo se do të dalësh i pafajshëm duke luftuar kundër Perëndisë».
20Nëna ishte e mrekullueshme dhe e denjë për t'u kujtuar për mirë. Megjithëse pa të shtatë bijtë duke vdekur brenda një dite, duroi me gjithë shpirt, se shpresonte në Zotin.
21I jepte zemër secilit në gjuhën e etërve. Plot me ndjenja të fisme, e forconte arsyen femërore me guximin mashkullor dhe u thoshte:
22«Nuk e di si erdhët në barkun tim, nuk ua dhashë unë frymën e jetën, gjymtyrët çdonjërit prej jush nuk jua sajova unë.
23Prandaj krijuesi i botës, ai që krjijoi lindjen e njeriut dhe lindjen e gjithçkaje, ai do t'jua kthejë frymën e jetën me mëshirën e vet, sepse tani po përçmoni veten për hir të ligjeve të tij».
24Antioku e kuptoi nga zëri i saj qortues se ajo grua e përbuzte, prandaj filloi ta joshte djalin e vogël, që ishte ende gjallë, jo vetëm me fjalë, por edhe me premtimet se, po të mohonte doket e të parëve, do ta bënte të pasur e do t'i jepte madhështi, do ta bënte mik e njeri të besuar.
25Meqë djaloshi nuk po i kushtonte vëmendje, mbreti thirri të ëmën që ta këshillonte të birin për të shpëtuar jetën.
26Pas një këmbënguljeje të gjatë, ajo pranoi ta bindte të birin.
27U përkul mbi të dhe, duke u tallur me mbretin, i tha në gjuhën e etërve: «Bir, mëshiromë mua që të mbajta nëntë muaj në bark, të mëkova me qumësht për tre vjet, të rrita, të mësova e u kujdesa për ty deri në këtë moshë.
28Të lutem, bir, vështro qiellin e tokën, si dhe gjithçka në to, dhe kupto se Perëndia nuk i krijoi këto prej gjërave që ishin më parë. Kështu u krijua edhe gjinia njerëzore.
29Mos ki frikë nga ky thertar, por bëhu i denjë për vdekjen njësoj si vëllezërit e tu, që, falë mëshirës, të të gjej bashkë me vëllezërit e tu».
30Ndërsa ajo ende fliste, djaloshi tha: «Çfarë prisni? Nuk i bindem urdhrit të mbretit, i bindem vetëm urdhrit që u është dhënë etërve tanë përmes Moisiut.
31Dhe ti, që u ke bërë kaq të liga hebrenjve, nuk do të shpëtosh nga duart e Perëndisë.
32Ne po vuajmë për shkak të mëkateve tona.
33Nëse Zoti i gjallë zemërohet për pak me ne, për të na qortuar, ai pajtohet përsëri me shërbëtorët e vet.
34Mirëpo ti, o i pabesë dhe më i ndyri mes të gjithë njerëzve, mos u lartëso kot e mos u fryj me shpresa të rreme, duke ngritur dorë mbi bijtë e qiellit,
35se nuk ke shpëtuar nga gjykimi i Perëndisë së gjithëpushtetshëm, që shikon gjithçka.
36Vëllezërit e mi duruan një dhimbje të shkurtër, që të kenë jetën e amshuar sipas besëlidhjes me Perëndinë. Kurse ti do të pësosh gjykimin e drejtë të Perëndisë për mujshinë tënde.
37Unë, si vëllezërit e mi, jap edhe shpirtin, edhe trupin, për ligjet e etërve dhe i lutem Perëndisë të tregojë sa më shpejt mëshirë për kombin, që ti, përmes vuajtjeve dhe fshikullimeve, të pohosh se ai është Perëndia i vetëm.
38Me mua dhe vëllezërit e mi le të përfundojë zemërimi i të gjithëpushtetshmit që ka rënë me të drejtë mbi kombin tonë».
39Mbreti u tërbua nga këto fjalë dhe e mundoi vëllanë e vogël më shumë se të tjerët.
40Kështu djaloshi vdiq i pastër, me shpresën te Zoti.
41Në fund, pas bijve, vdiq edhe nëna.
42Kaq mjafton për ngrënien e flive e mundimet e tepërta.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.