1 Makabenjve 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vdekja e Antiok Epifanit

1Mbreti Antiok po përshkonte krahinat e epërme dhe dëgjoi se në Persi gjendej qyteti Elimaidë, i njohur për pasuri, për argjend e ar.

2Tempulli i tij ishte shumë i pasur, kishte mburoja të arta, parzmore e armë, që i kishte lënë Aleksandri i Filipit, mbreti i Maqedonisë, ai që kishte mbretëruar i pari mbi helenët.

3Atëherë shkoi atje e u përpoq ta pushtonte e ta zhvaste qytetin, por nuk mundi, sepse banorët e qytetit ia morën vesh qëllimin

4e iu kundërvunë me luftë. Ai mori arratinë e iku prej andej në Babiloni me një brengë të madhe.

5Dikush shkoi për ta lajmëruar në Persi, se ushtritë që ishin nisur për në tokën e Judesë ishin shpartalluar.

6I pari kishte shkuar Lisia me një ushtri të fortë, por ishte turpëruar para judenjve, se këta ishin përforcuar me armë, me njerëz e me plaçkën e shumtë që kishin marrë nga ushtritë e mposhtura.

7Kishin shkatërruar pështirësinë që ai kishte ngritur mbi altar në Jerusalem, kishin rrethuar me mure të larta shenjtëroren, si dikur, dhe Betcurin, qytetin e tij.

8Mbreti, kur dëgjoi këto fjalë, u habit e u trondit shumë, ra në shtrat e u sëmur nga trishtimi, se nuk kishte dalë sipas hamendjes së tij.

9Mbeti aty shumë ditë, se e kishte zënë një trishtim i madh, dhe kuptoi se po i vinte vdekja.

10Atëherë thirri të gjithë miqtë e u tha: «Gjumi më është larguar nga sytë e zemrën ma ndrydh ankthi.

11Thashë me vete: “Ç'pikëllim më zuri! Në ç'dallgë të madhe rashë! E, pra, kur kisha pushtetin isha i sjellshëm e i dashur”.

12Por tani kujtoj ligësitë që bëra në Jerusalem. Mora të gjitha enët e argjendta e të arta prej andej e urdhërova të shfaroseshin kot banorët e Judesë.

13E di, prandaj më kanë zënë këto lëngata. Dhe, ja, po shuhem i trishtuar thellë në dhe të huaj».

14Atëherë thirri Filipin, njërin nga miqtë e vet, dhe e vuri të sundonte mbi mbarë mbretërinë e tij.

15I dha kurorën, petkun e unazën, që të kujdesej për Antiokun, të birin e tij, e ta përgatiste të bëhej mbret.

16Pastaj mbreti Antiok vdiq atje në vitin njëqind e dyzet e nëntë.

17Lisia mori vesh se mbreti Antiok kishte vdekur dhe caktoi mbret Antiokun, birin e tij, të cilin e kishte rritur që fëmijë, dhe e quajti Eupator.

Sulmet nga Siria

18Banorët e fortesës i pengonin izraelitët të mblidheshin rreth shenjtërores. Përpiqeshin me çdo mënyrë të bënin keq e përkrahnin kombet.

19Atëherë Juda vendosi t'i shfaroste, prandaj mblodhi gjithë popullin, që t'i rrethonte.

20Ata u mblodhën e i vunë rrethimin në vitin njëqind e pesëdhjetë. Pastaj Juda ndërtoi prita e mjete lufte.

21Por disa prej tyre dolën nga rrethimi e pati izraelitë të pafe, që u bashkuan me ta,

22që shkuan te mbreti e i thanë: «Deri kur nuk do të gjykosh e nuk do të marrësh hak për vëllezërit tanë?

23Ne pranuam t'i shërbenim atit tënd, të jetonim sipas udhëzimeve të tij e të zbatonim urdhrat e tij.

24Prandaj bijtë e popullit tonë na rrethuan në të e u bënë të huaj për ne. Kanë vrarë këdo kanë gjetur e na kanë plaçkitur trashëgiminë.

25Nuk kanë ngritur dorë vetëm kundër nesh, por kudo rreth kufijve të tyre.

26Ja, sot kanë rrethuar fortesën në Jerusalem për ta pushtuar. Kanë fortifikuar shenjtëroren dhe Betcurin.

27Po të mos u paraprish shpejt, do të bëjnë gjëra edhe më të mëdha e nuk do t'i ndalësh dot».

28Mbreti u tërbua kur dëgjoi këto. Mblodhi të gjithë miqtë, prijësit e ushtrisë e të kalorësisë.

29Edhe prej mbretërive të tjera e prej ishujve mbërritën çeta me pagesë.

30Numri i ushtrisë së tij arriti në njëqind mijë këmbësorë dhe njëzet mijë kalorës, si dhe tridhjetë e dy elefantë të stërvitur për luftë.

31Ata kaluan përmes Idumesë e fushuan kundër Betcurit. Luftuan për shumë ditë e ndërtuan mjete lufte. Por izraelitët dilnin nga rrethimi, u digjnin mjetet e luftës e luftonin burrërisht.

32Atëherë Juda doli nga fortesa e fushoi në Betzakarjah, kundruall fushimit të mbretit.

33Mbreti u ngrit herët në mëngjes dhe e nxori fushimin me vrull në rrugën për në Betzakarjah. Ata ishin të armatosur për betejë e u ranë borive.

34Elefantëve u dhanë lëng rrushi e manaferre, që t'i nxitnin për luftë.

35Kafshët i ndanë në rreshtime e për çdo elefant caktuan një mijë burra me parzmore të thurura e përkrenare bakri në kokë. Caktuan edhe nga pesëqind kalorës të zgjedhur për çdo kafshë.

36Këta zinin vend herët kudo gjendej kafsha e kudo shkonte ajo, shkonin edhe këta e nuk i largoheshin.

37Përmbi elefantë kishte ndenjëse druri të forta e të mbështjella. I kishin lidhur me mjetet e veta dhe në secilën ndodheshin katër burra të armatosur, që luftonin prej aty, bashkë me indianin që ngiste elefantin.

38Pjesën tjetër të kalorësisë e vendosi nga secila radhë, në të dyja anët e ushtrisë, për të trembur armiqtë dhe për të mbrojtur rreshtimet.

39Kur dielli shkëlqeu mbi mburojat prej ari e bakri malet u ndezën flakë nga shkëlqimi si pishtarë zjarri.

40Një pjesë e ushtrisë së mbretit mbulonte malet e larta, kurse pjesa tjetër mbulonte fushën. Përparonin të sigurt e me rend.

41Të gjithë ata, që e dëgjuan zhurmën marshimit të turmës dhe tringëllimën e armëve, u tronditën, se ushtria ishte e shumë e madhe dhe e fortë.

42Juda dhe ushtria e tij u sulën në betejë dhe nga ushtria e mbretit mbetën të vrarë gjashtëqind burra.

43Eleazari, i quajtur Avaran, pa se njëra nga kafshët ishte pajisur me mburojë mbretërore dhe spikaste mbi të gjitha kafshët. Ai mendoi se mbi të ishte mbreti.

44Atëherë flijoi veten për të shpëtuar popullin e për të lënë emër përgjithmonë.

45Vrapoi me guxim në mes të rrethimit dhe, kur mbërriti, vrau djathtas e majtas. Ata ndaheshin prej tij në të dyja anët.

46Ai hyri nën elefant, e theri nga poshtë dhe e vrau, por elefanti i ra përsipër dhe e mbyti në vend.

47Kur panë fuqinë e mbretit dhe vrullin e ushtrisë së tij, izraelitët u tërhoqën.

Pushtimi i tempullit

48Ushtria e mbretit shkoi për të sulmuar Jerusalemin, ndërsa mbreti fushoi në Jude e në malin Sion.

49Bëri paqe me banorët e Betcurit e këta e lanë qytetin, se nuk kishin ushqime për t'i bërë ballë rrethimit, se kishte qëlluar vit shtunor.

50Mbreti e pushtoi Betcurin e vuri rojë për ta ruajtur.

51Pastaj fushoi përpara shenjtërores për shumë ditë. Ngriti ledhe e mjete lufte që hidhnin flakë e gurë, hedhëse shigjetash e gjuajtëse.

52Edhe izraelitët sajuan mjete përkatëse e luftuan shumë ditë,

53por nuk kishin ushqime në qilarë, se ishte vit shtunor. Ushqimet e fundit të qilarëve i kishin ngrënë të strehuarit në Jude prej kombeve të tjera.

54Pak burra mbetën në shenjtërore. Të tjerët ishin kthyer në shtëpi, se i kishte ngushtuar zia e bukës.

Marrëveshja me Sirinë

55Lisia dëgjoi se Filipi, të cilin mbreti Antiok, në të gjallë, e kishte caktuar t'i rriste të birin, Antiokun, dhe ta vendoste në fron,

56ishte kthyer nga Persia e Meda, me ushtrinë që kishte shoqëruar mbretin, e po përpiqej të merrte pushtetin.

57Atëherë pranoi me ngut të tërhiqej e i tha mbretit, prijësve, ushtarëve e burrave: «Po dobësohemi çdo ditë, ushqimi po mbaron, kurse fortesa që kemi rrethuar është e fortë e na presin punët e mbretërisë.

58T'ua shtrijmë dorën këtyre burrave e të bëjmë paqe me ta dhe me mbarë kombin e tyre.

59T'i lejojmë të jetojnë sipas ligjeve të veta, siç bënin më parë, se për shkak të ligjeve të tyre, që ne i hodhëm poshtë, u zemëruan e i bënë të gjitha këto».

60Mbretit e prijësve u pëlqyen këto fjalë, dërguan kërkesë për paqe tek izraelitët dhe këta e pranuan.

61Mbreti e prijësit u betuan dhe izraelitët dolën nga fortesa.

62Por, kur mbreti hyri në malin Sion dhe e pa fortesën e atij vendi, e theu betimin që kishte bërë dhe urdhëroi të shembeshin muret përreth.

63U nis me ngut e u kthye në Antioki. Atje gjeti Filipin që kishte pushtuar qytetin, luftoi kundër tij dhe e mori qytetin me forcë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help