1Pastaj Jozefi e urdhëroi kujdestarin e shtëpisë: «Mbushi me ushqime sa të mbajnë thasët e këtyre njerëzve dhe futi paratë e secilit në grykë të thasëve.
2Ndërsa kupën time të argjendtë fute në grykën e thesit të të voglit, bashkë me paratë e tij». Ai veproi siç i tha Jozefi
3dhe në të gdhirë, i nisën bashkë me gomarët e tyre.
4Ata dolën nga qyteti, por pa u larguar mirë, Jozefi i tha kujdestarit të shtëpisë: «Ngrihu e ndiqi ata njerëz! Kur t'i arrish thuaju: “Përse e shpërblyet të mirën me të keqe?!
5A nuk është kjo kupa që imzot e përdor për të pirë e për të parë të ardhmen? Jeni treguar të ligj me këtë që bëtë!”».
6Ai i arriti e u tha të njëjtat fjalë.
7Por ata i thanë: «Përse imzot flet kështu? Qoftë larg prej shërbëtorëve të tu të bëjnë një gjë të tillë.
8Ja, paratë që gjetëm në grykë të thasëve, t'i sollëm që nga toka e Kanaanit. Si mundet, pra, të vidhkemi argjend apo ar nga shtëpia e zotit tënd?!
9Kujtdo nga shërbëtorët e tu që do t'i gjendet kupa, ai do të vdesë e ne do të bëhemi skllevër të timzot».
10Ai u tha: «Mirë! Të bëhet siç thatë. Atij që do t'i gjendet kupa, ai do të bëhet skllavi im, kurse ju do të shkoni të lirë!».
11Kështu, secili nxitoi të shkarkojë e të hapë grykën e thesit të vet.
12Kujdestari i kontrolloi me radhë nga më i madhi te më i vogli dhe kupa u gjet në thesin e Benjaminit.
13Ata shqyen rrobat, ngarkuan gomarët e u kthyen në qytet.
14Atëherë Juda bashkë me vëllezërit hynë në shtëpinë e Jozefit. Ai ishte ende atje. U përkulën gjer në tokë para tij
15dhe ai u tha: «Çfarë bëtë kështu?! A nuk e dini se dikush si unë mund të shohë të ardhmen».
16Juda iu përgjigj: «Si t'i përgjigjemi timzoti? Ç'të themi e si të shfajësohemi? Perëndia e zbuloi fajin e shërbëtorëve të tu. Ja tani, jemi skllevër të timzoti, si ne, ashtu edhe ai, të cilit iu gjet kupa».
17Por Jozefi tha: «Larg qoftë që të bëj këtë gjë! Vetëm ai, të cilit iu gjet kupa do jetë skllavi im. Ndërsa ju shkoni në paqe tek ati juaj».
18Juda iu afrua Jozefit e i tha: «Të lutem imzot, lejoje shërbëtorin tënd të të thotë një fjalë e mos u zemëro me të, sepse ti je si faraoni vetë.
19Imzot i pyeti shërbëtorët e tij nëse ati ynë është gjallë e nëse kemi ndonjë vëlla tjetër.
20Ne i thamë timzoti se kemi një atë të moshuar dhe një vëlla të vogël që i lindi në pleqëri. Vëllai i tij ka vdekur dhe, meqë e ëma e ka djalë të vetëm, i ati e do fort.
21Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: “Ma sillni që ta shoh me sytë e mi”.
22Ne iu përgjigjëm timzoti: “Djali s'mund ta lërë të atin, se po e la, i ati do të vdesë”.
23Por ti u the shërbëtorëve të tu: “Nëse vëllai juaj i vogël nuk vjen bashkë me ju, s'keni për të më takuar”.
24Kur u kthyem tek ati ynë e shërbëtori yt, i treguam fjalët e timzoti.
25Por ai na tha: “Kthehuni e na blini ca grurë”.
26Ne i thamë se nuk mund të shkonim. Vetëm nëse vëllai ynë i vogël do të ishte me ne, do të mund të shkonim, se pa të nuk mund t'i dilnim përpara atij njeriu.
27Atëherë im atë, shërbëtori yt, na tha: “Ju e dini që gruaja më lindi dy djem.
28Njëri më iku e them se më është bërë copë-copë dhe që atëherë nuk e kam parë më.
29Nëse e merrni edhe këtë prej meje e i ndodh ndonjë gjë, këtë plak do ta hidhëroni e do ta shtini në varr”.
30Prandaj, nëse shkoj tek im atë, shërbëtori yt, dhe djali nuk është me ne, atëherë im atë, jeta e të cilit varet nga jeta e djalit,
31do të shohë se djali nuk është e do të vdesë. Kështu, shërbëtorët e tu do ta hidhërojnë plakun e do ta shtien në varr.
32Shërbëtori yt u bë dorëzanë për djalin para atit tim e i thashë se, nëse nuk ia sjell, do të jem fajtor para tij për tërë jetën.
33Prandaj, lejoje shërbëtorin tënd të marrë vendin e djalit si skllav i timzoti e djali të shkojë bashkë me vëllezërit.
34Si mund të shkoj tek im atë, kur djali nuk është me mua? Mos më lër të shoh mjerimin e tim eti!».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.