1Pas këtyre ngjarjeve, gjatë sundimit të Artakserksit, mbretit të Persisë, erdhi Ezra, biri i Serajahut, të birit të Azarjahut, të Hilkiahut, të Shalumit,
2të Cadokut, të Ahitubit, të Amarjahut, të Uziut, të Bukiut, të Abishuait, të Finehasit, të Eleazarit, të Aronit, priftit të parë.
3Pra, vetë Ezra u kthye prej Babilonisë. Ai ishte shkrues i aftë i ligjit të Moisiut, dhënë nga Perëndia i Izraelit.
4Mbreti i dha Ezrës lavdi, sepse kishte gjetur pëlqimin e tij për çdo kërkesë.
5Në vitin e shtatë të mbretërimit të Artakserksit erdhën në Jerusalem disa izraelitë, priftërinj, levitë, këngëtarë, derëtarë e shërbëtorë të tempullit. Ishte viti i shtatë i sundimit të mbretit.
6Ata u nisën nga Babilonia në hënën e plotë të muajit të parë dhe mbërritën në Jerusalem në hënën e plotë të muajit të pestë, sepse kishin pëlqimin e Zotit.
7Ezra e njihte mirë ligjin e Zotit dhe nuk lejonte t'i hiqej as një presje urdhërimeve që ishin dhënë për mbarë Izraelin, porosive dhe vendimeve të tij.
Urdhëresa e Artakserksit8Kjo është letra që përmban urdhëresën e mbretit Artakserks për Ezrën, priftin dhe shkruesin e ligjit të Zotit, ku shkruhet si më poshtë:
9«Mbreti Artakserks priftit Ezra, shkruesit të ligjit të Zotit, përshëndetje!
10Pasi e gjykova me njeridashje, nxora një urdhëresë sipas së cilës, kushdo nga kombi i judenjve, nga priftërinjtë e nga levitët, që jetojnë në mbretërinë time e që dëshirojnë të kthehen, të vijë me ty në Jerusalem.
11Të gjithë ata që dëshirojnë, le të vijnë me ty, siç vendosa bashkë me shtatë këshilltarët,
12për të mbikëqyrur gjendjen në Jude e në Jerusalem, në lidhje me zbatimin e ligjit të Zotit,
13dhe për të çuar në Jerusalem të gjitha dhuratat që unë dhe miqtë e mi i kemi dhënë Zotit të Izraelit dhe tërë arin e argjendin që gjendet në krahinën e Babilonisë e që i përket Zotit në Jerusalem, bashkë me dhuratat e kombit për shenjtëroren e Zotit të tyre në Jerusalem.
14Të mblidhet edhe ar e argjend për demat, deshët, qengjat dhe gjithçka që nevojitet
15për të kushtuar fli mbi altarin e Zotit të tyre në Jerusalem.
16Ti dhe vëllezërit e tu mund ta përdorni arin dhe argjendin si të dëshironi, por bëjeni sipas vullnetit të Perëndisë tënd.
17Enët e shenjta të Zotit që t'u dhanë, përdori për shërbesën në tempullin e Perëndisë tënd në Jerusalem.
18Për çdo nevojë tjetër që do të kesh për tempullin e Perëndisë tënd, do të marrësh prej thesarit mbretëror.
19Unë, mbreti Artakserks, kam nxjerrë këtë urdhëresë për arkëtarët e Sirisë dhe Fenikës, që t'i japin Ezrës, priftit dhe shkruesit të ligjit të Perëndisë së tejlartë, çfarëdo që të kërkojë, deri në tre mijë kilogramë argjend,
20si dhe deri në tridhjetë mijë kilogramë grurë, katër mijë litra verë dhe kripë me shumicë.
21Gjithçka lidhur me ligjin e Perëndisë të zbatohet me përpikëri për Perëndinë e tejlartë, që zemërimi i tij të mos bjerë mbi mbretërinë, mbi mbretin dhe mbi bijtë e tij.
22Ju urdhërojmë po ashtu të mos u kërkoni tagra e detyrime të gjithë priftërinjve, levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, të përkushtuarve dhe shërbëtorëve të tempullit. Nuk keni asnjë pushtet për t'i detyruar për këto.
23Sa për ty, Ezra, sipas urtisë së Perëndisë, ngarkohesh me caktimin e zyrtarëve dhe gjyqtarëve, që të gjykojnë në mbarë Sirinë dhe Fenikën të gjithë ata që njohin ligjin e Perëndisë tënd. Atyre që nuk e njohin, mësojua.
24Të gjithë ata që nuk zbatojnë ligjin e Perëndisë tënd dhe urdhëresën e mbretit, të dënohen menjëherë me vdekje, me dëbim, me dëmshpërblim parash ose me burgim».
25Bekuar qoftë Zoti, ai që i vuri këto në zemrën e mbretit, për t'i dhënë lavdi tempullit të tij në Jerusalem.
26Ai më nderoi para mbretit, para këshilltarëve të tij dhe para gjithë miqve dhe zyrtarëve të tij.
27Atëherë mora forcë prej përkrahjes së Zotit, Perëndisë tim, dhe mblodha burrat e Izraelit, që të vinin me mua.
Të kthyerit me Ezrën28Këta janë krerët sipas vëllazërive dhe sipas ndarjeve, që u nisën me mua nga Babilonia gjatë mbretërimit të Artakserksit:
29nga bijtë e Finehasit, Gershomi; nga bijtë e Itamarit, Gameli; nga bijtë e Davidit, Hatushi, biri i Sekenias;
30nga bijtë e Paroshit, Zakaria e me të njëqind e pesëdhjetë meshkuj të regjistruar;
31nga bijtë e Pahat Moabit, Eliehoenai, biri i Zakarisë, dhe dyqind meshkuj me të;
32nga bijtë e Zatoit, Sekenia, biri i Jezelit, dhe treqind meshkuj me të; nga bijtë e Adinit, Ben Jonatani dhe dyqind e pesëdhjetë meshkuj me të;
33nga bijtë e Elamit, Jesia, biri i Gotoliut, dhe shtatëdhjetë meshkuj me të;
34nga bijtë e Shafatit, Zarajahu, biri i Mikaelit, dhe shtatëdhjetë meshkuj me të;
35nga bijtë e Joabit, Abadia, biri i Jezelit, dhe dyqind e dymbëdhjetë meshkuj me të;
36nga bijtë e Baniut, Asalimoti, biri i Josafit, dhe njëqind e gjashtëdhjetë meshkuj me të;
37nga bijtë e Babiut, Zakaria, biri i Bebait, dhe njëzet e tetë meshkuj me të;
38nga bijtë e Azgadit, Johanani, biri i Hakatanit, dhe njëqind e dhjetë meshkuj me të;
39nga bijtë e Adonikamit, që erdhën të fundit, emrat i kishin Elifelet, Jejel dhe Shemajah, bashkë me shtatëdhjetë meshkuj;
40dhe nga bijtë e Bigvait, Utai, biri i Istalkurit, dhe shtatëdhjetë meshkuj me të.
Udhëtimi i Ezrës41Unë i mblodha këta pranë lumit të quajtur Tera. Aty qëndruam tri ditë dhe i këqyra me kujdes,
42por nuk gjeta asnjë bir prifti apo leviti në atë vend.
43Atëherë thirra krerët dhe mësuesit Eliezer, Iduel, Masman, Elnatan, Shemajah, Jarib, Natan, Enatan, Zakari e Meshulam
44e u thashë të shkonin tek Idoi, i pari i vendit të thesarit.
45I urdhërova të bisedonin me Idoin dhe vëllezërit e tij, që ishin në vendin e thesarit, që të na dërgonin priftërinj për tempullin e Zotit tonë.
46Meqenëse dora e fuqishme e Zotit tonë ishte me ne, na dërguan burra të ditur prej bijve të Mahliut, të birit të Levit, të birit të Izraelit, Asebebjahun bashkë me bijtë dhe vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë.
47Dërguan edhe Hashabiahun, Anunin dhe Osaian, të vëllanë, nga bijtë e Hanunait, bashkë me të bijtë, gjithsej njëzet burra.
48Prej shërbëtorëve të tempullit, që kishte caktuar Davidi dhe zyrtarët e tij për të ndihmuar levitët, na dërguan dyqind e njëzet, të gjithë të caktuar me emër.
49Atje shpalla agjërim për të rinjtë para Zotit tonë,
50që t'i kërkonim mbarësi për vete, për fëmijët që kishim me vete dhe për bagëtitë tona.
51Më kishte ardhur turp t'i kërkoja mbretit ushtarë, kalorës dhe shoqërues për të na mbrojtur nga armiku.
52I kishim thënë mbretit: «Fuqia e Zotit tonë është me ata që e kërkojnë, derisa t'i përtërijë».
53Iu lutëm përsëri Zotit tonë për këtë dhe morëm pëlqimin e tij.
54Atëherë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve, bashkë me Sherebiahun, Hashabiahun dhe dhjetë vëllezërit e tyre.
55U peshova argjendin, arin dhe enët e shenjta të tempullit të Zotit tonë, të dhuruara prej mbretit, këshilltarëve dhe zyrtarëve të tij, si edhe mbarë Izraelit.
56Pasi i peshova, u dhashë njëzet tonë argjend, tre tonë enë argjendi, tre tonë ar, njëzet kupa ari dhe dymbëdhjetë enë bronzi të lëmuar tërë shkëlqim, të çmuara si ari.
57Mandej u thashë: «Ju jeni të shenjtëruar për Zotin, siç janë edhe këto enë të shenjta. Argjendi dhe ari janë dhuratë për Zotin, Zotin e etërve tanë.
58Ruajini me kujdes, derisa t'i dorëzoni te krerët e priftërinjve dhe të levitëve, si dhe te krerët e familjeve të Izraelit në Jerusalem, në dhomat e tempullit të Zotit tonë».
59Priftërinjtë dhe levitët i morën argjendin, arin dhe enët për t'i sjellë në Jerusalem në tempullin e Zotit.
60Në ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Tera për në Jerusalem. Dora e fuqishme e Zotit tonë qe me ne dhe na mbrojti gjatë udhëtimit nga të gjithë armiqtë. Kështu arritëm në Jerusalem.
61Pasi pushuam tri ditë, u peshua argjendi e ari dhe iu dorëzua priftit Meremot, të birit të Uriahut, për tempullin e Zotit tonë.
62Me të ishte edhe Eleazari, biri i Finehasit, dhe levitët Jozabad, biri i Jozuehut, dhe Moeti, biri i Sabanit. U numëruan, u peshuan të gjitha dhe gjithçka u mbajt shënim që në atë çast.
63Të kthyerit prej robërisë i kushtuan fli Zotit, Perëndisë së Izraelit, dymbëdhjetë dema për mbarë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e dy qengja dhe dymbëdhjetë cjep si fli shpëtimi. Të gjitha këto fli iu kushtuan Zotit.
64Urdhëresat e mbretit ia dhanë zyrtarëve mbretërorë dhe qeveritarëve të Sirisë së Madhe dhe Fenikës. Ata i dhanë nder kombit dhe tempullit të Zotit.
Martesat me të huajt65Si u kryen këto, u paraqitën tek unë prijësit e më thanë:
66«Kombi i Izraelit, krerët, priftërinjtë e levitët nuk janë ndarë prej kombeve të huaja të vendit e prej ndryrësive të tyre, pra, prej kananitëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, moabitëve, egjiptianëve dhe idumenjve,
67por kanë marrë gra nga bijat e tyre për vete e për bijtë e tyre dhe kështu e kanë përzier farën e shenjtë me popujt vendas. Krerët dhe zyrtarët kanë qenë të parët që e kanë bërë një paudhësi të tillë».
68Me ta dëgjuar këtë gjë, shqeva tunikën e gunën, shkula qimet nga koka e nga mjekrra dhe u ula i menduar e i pikëlluar.
69Teksa vajtoja për këtë paudhësi, rreth meje u mblodhën të gjithë ata që ishin prekur nga fjala e Zotit të Izraelit. Ndenja ulur i pikëlluar deri në kohën e flisë së mbrëmjes.
70U ngrita nga agjërimi me rrobat e me stolitë të shqyera, rashë në gjunjë, i shtriva duart drejt Zotit e thashë:
71«O Zot, më vjen turp e marre ta kthej fytyrën drejt teje,
72se mëkatet tona janë shtuar aq sa na kanë mbuluar kokën e padija jonë ka arritur gjer në qiell.
73Jemi në mëkat të madh, që nga koha e etërve tanë e deri më sot
74dhe, për shkak të mëkateve tona e të etërve tanë, ramë në duart e mbretërve të tokës bashkë me vëllezërit tanë, me mbretërit tanë e me priftërinjtë tanë. Na kanë vrarë me shpatë, na kanë robëruar e na kanë mbuluar me turp gjer më sot.
75Por tani, o Zot, je treguar i mëshirshëm për pak kohë dhe ke lejuar të na mbetet një filiz dhe një emër në vendin tënd të shenjtë.
76Bëre të ndriçojë sërish drita jonë në tempullin e Zotit tonë e na dhe ushqim në kohë robërie.
77Zoti ynë nuk na braktisi edhe kur ishim në robëri, por na bëri të gjejmë hir para mbretit të persëve,
78i cili na dha ushqim, i dha nder tempullit të Zotit tonë dhe e ngriti Sionin e shkretuar, për të na dhënë një themel të fortë në Jude e në Jerusalem.
79E ç'të themi tani, o Zot, pas gjithë këtyre të mirave? Ja, i kemi braktisur urdhërimet e tua, që ti na i dhe përmes profetëve, shërbëtorëve të tu, kur the:
80“Toka që po merrni në trashëgim, është e ndotur prej fëlligështisë së popujve vendas dhe e mbushur plot me fëlliqësitë e tyre.
81Prandaj mos ua jepni bijat tuaja djemve të tyre e mos i merrni bijat e tyre për djemtë tuaj.
82Mos kërkoni kurrë paqen me ta e as mirëqenien e tyre, se duhet të bëheni të fortë, të hani të mirat e vendit dhe t'ia lini trashëgim përgjithmonë bijve tuaj”.
83Të gjitha këto na ndodhën për shkak të veprave tona të këqija dhe për mëkatet tona të mëdha.
84Megjithëse ti, o Zot, e lehtësove mëkatin tonë e na dhe këtë filiz, e shkelëm sërish ligjin tënd dhe u përziem me fëlliqësinë e kombeve të vendit.
85Mos vallë do të zemërohesh me ne, derisa të na japësh fund e të mos na mbesë as rrënjë, as farë e as emër?
86O Zot i Izraelit, ti je i vërtetë, prandaj dhe ka mbetur sot ky filiz.
87Ja, tani po paraqitemi para teje me paudhësitë tona, ndonëse për shkak të tyre nuk do të duhej të dilnim para teje».
Dëbimi i grave të huaja88Teksa Ezra po lutej e po pohonte fajin me lot, i përgjunjur para tempullit, u mblodh rreth tij një turmë shumë e madhe nga Jerusalemi, burra, gra e të rinj. Turma qante me ngashërim.
89Atëherë foli Jehonia, biri i Jehielit, nga bijtë e Izraelit, e i tha Ezrës: «Kemi mëkatuar ndaj Zotit dhe jemi martuar me gra të huaja nga kombet vendase. Por, ka ende shpresë për Izraelin.
90Le t'i bëjmë një betim Zotit e le t'i dëbojmë gratë e huaja, bashkë me fëmijët e tyre, sipas gjykimit tënd dhe të atyre që i binden ligjit të Zotit.
91Ngrihu e vepro, se kjo është punë për ty. Ne jemi me ty për të vepruar me forcë».
92Ezra u ngrit dhe i bëri krerët e priftërinjve, të levitëve dhe të mbarë Izraelit të betoheshin se do të vepronin siç tha. Ata u betuan.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.