Mikea 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Gjyqi i Zotit

1«Dëgjoni, pra, ç'thotë Zoti:

ngrihu e dil në gjyq para maleve,

kodrat le ta dëgjojnë zërin tënd!

2Dëgjoni, o male,

e ju, o themele të paepura të tokës,

gjyqin që po bën Zoti,

se me popullin e tij po hahet,

Izraelin po padit.

3Ç'të bëra, o populli im?

Si të mërzita? Përgjigjmu!

4Të nxora nga dheu i Egjiptit,

nga shtëpia e skllavërisë të çlirova.

Para teje dërgova

Moisiun, Aronin e Mirjamën.

5O populli im, kujto ç'kurdisi Balaku, mbreti i Moabit,

ç'përgjigje i ktheu Balaami, biri i Beorit,

çfarë ndodhi mes Shitimit e Gilgalit,

që t'i mësosh veprat e drejta të Zotit.

6Si do t'i dal para Zotit

e të përulem para Perëndisë së tejlartë?

A t'i dal me fli shkrumbimi

a me viç motak?

7A do të kënaqet Zoti me mijëra desh

a me qindra mijëra përrenj vaji?

A t'i jap të parëlindurin për shkeljen time

a frytin e barkut për mëkatin tim?

8O njeri, ai ta tregoi çka është e mirë,

çka Zoti kërkon prej teje:

veç të veprosh drejt, të duash mirësinë

dhe të jesh i përulur me Perëndinë tënd.

9Zëri i Zotit kumbon në qytet.

I urti e druan emrin tënd.

Dëgjo, o fis e kuvend i qytetit.

10A prapë shtëpia e të mbrapshtit ka thesare të liga

dhe masa të rreme e të nëmura?

11A thua do t'i pranoj si të drejta

peshoret hileqare e peshat mashtruese?

12Të pasurit veprojnë plot dhunë,

banorët flasin rrena,

gjuhë gënjeshtare kanë në gojë.

13Ndaj të ndëshkova me sëmundje,

për mëkatet e tua të rrënova.

14Do të hash, por nuk do të ngihesh,

barkun zbrazët do ta kesh.

Do të ngresh gardhe, por gjë s'do të mbrosh,

çfarë shpëton, shpatës do t'ia jap.

15Do të mbjellësh, por nuk do të korrësh,

do të shtrydhësh ullinj, por s'do të vajosesh,

do të shtrydhësh rrush, por verë s'do të pish.

16Ju mbani rregullat e Omriut,

gjithë veprat e shtëpisë së Ahabit,

këshillat e tyre ju ndiqni.

Ndaj do të të shkatërroj,

banorët do të t'i turpëroj,

Ndëshkimin e popullit tim

do të bartni».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help