1Urtia lëvdon veten,
mburret mes popullit të vet.
2Në kuvendin e të Tejlartit hap gojën,
para fuqisë së tij mburret:
3«Prej gojës së të Tejlartit dola,
si mjegull e mbulova tokën.
4Në lartësi e kam banesën,
në një shtyllë tymi e kam fronin.
5Vetëm unë iu solla rrethit të qiellit
dhe përshkova thellësitë e humnerës.
6Mbi dallgët e detit e mbi mbarë dheun,
mbi çdo popull e komb sundova.
7Pas tërë këtyre kërkova prehje:
në tokën e kujt do të buja?
8Atëherë krijuesi i gjithësisë më urdhëroi,
krijuesi im ma caktoi banesën
e tha: “Bano te Jakobi,
se në Izrael e ke trashëgiminë”.
9Ai më krijoi që në fillim, para moteve,
e sa të jetë moti nuk do të zhdukem.
10Në tendën e shenjtë shërbeva para tij,
kështu u vendosa në Sion.
11Në qytetin e dashur më dha prehje,
në Jerusalem e kam pushtetin.
12Zura rrënjë te një popull i lavdishëm,
te hisja e Zotit e trashëgimia e tij.
13Si cedri në Liban u rrita,
si qiparisi në malet e Hermonit.
14Si palmë u rrita në En Ged,
si kopsht trëndafilash në Jeriko,
si ulli i hirshëm në pllajë
e porsi rrap u rrita.
15Si kanellë e si tufë erëzash lëshova amësim,
si mirrë e zgjedhur lëshova erë të mirë,
si galbani, oniksi e rrëshira,
porsi tymi i temjanit në tendë.
16Si terebint i shtriva degët,
degët e mia, degë lavdie e hijeshie.
17Porsi vreshti jam unë, që bulon hir,
sythat e mi japin fryte lavdie e begatie.
18[Unë jam nëna e dashurisë së hirshme,
e drojës, e dijes dhe e shpresës së shenjtë.
E amshuar, u jepem të gjithë bijve
që mbajnë emrin e tij.]
19Ejani tek unë, ju që më dëshironi,
me frytet e mia ngihuni.
20Kujtimi im, më i ëmbël se mjalti,
pronësia ime se hoja e mjaltit.
21Ata që më hanë mbeten të uritur,
ata që më pinë mbeten te etur.
22Kush më dëgjon nuk turpërohet,
kush vepron sipas meje nuk mëkaton».
Urtia dhe ligji23Këto gjenden të gjitha në librin e Besëlidhjes së të Tejlartit,
ligji që Moisiu na urdhëroi,
trashëgimia e bashkësisë së Jakobit.
24[Jini të fortë në Zotin pareshtur,
kapuni pas tij, që t'ju forcojë,
Zoti i gjithëpushtetshëm, vetëm ai është Perëndi,
veç tij s'ka shpëtimtar.]
25Gufon urti porsi Pishoni,
si Tigri në kohën e të lashtave.
26E fryn porsi Eufrati mençurinë,
si Jordani në kohën e të vjelave.
27E shfaq porsi drita mësimin,
si Gishoni kur vilet rrushi.
28Fillestari nuk arrin ta njohë,
as mbarimtari s'e mat dot.
29Mendimet e saj janë më të gjera se deti,
këshilla e saj me e madhe se humnera.
30Por unë jam si një rrëke nga lumi,
si vijë uji që futet në kopsht.
31Thashë: «Do të ujit kopshtin,
do ta ngop lulishten time».
Dhe ja, rrëkeja m'u bë lumë
e lumi m'u bë det.
32Do ta ndez si agun mësimin tim,
do ta shpërfaq së largu.
33Udhëzimin do ta zbraz si profeci,
do t'ua lë breznive ndër mote.
34Shikoni se s'jam munduar veç për vete,
por për mbarë kërkimtarët e saj.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.