1Simoni, të cilin e përmendëm më parë dhe që i kishte treguar mbretit për paratë, tradhtoi atdheun e shpifi për Oninë, kinse ai kishte rrahur Heliodorin dhe i kishte shkaktuar të këqija.
2Ai guxoi të padiste si përbetar bamirësin e qytetit, kujdestarin e bashkëkombësve e zelltarin e ligjeve.
3Armiqësia arriti deri aty, sa njëri nga të përzgjedhurit e Simonit kreu edhe vrasje.
4Kur Onia pa rrezikun e kësaj përplasjeje dhe kur kuptoi se Apolloni i Menesteut, kryeushtarak i Sirisë së Madhe e i Fenikës, e nxiste ligësinë e Simonit,
5shkoi te mbreti jo për të paditur bashkëqytetarët, por për të mirën e përbashkët dhe vetjake të mbarë popullit.
6Onia e shihte se pa përkujdesjen e mbretit ishte e pamundur të kishte paqe në çështjet e përbashkëta dhe se Simoni nuk do t'i jepte fund marrëzisë.
7Kur vdiq Seleuku dhe mbretërinë e mori Antioku i quajtur Epifan, Jasoni, i vëllai i Onisë, mori krypriftërinë me dredhi.
8Takoi mbretin dhe i premtoi dhjetë tonë argjend, si edhe dy mijë e dyqind kilogramë nga të ardhurat e tjera.
9Veç këtyre, i premtoi edhe katër tonë të tjerë, po t'i jepte leje, me pushtetin e tij, të ndërtonte një stërvitore dhe një vend ushtrimi dhe t'i shkruante banorët e Jerusalemit në amzat e Antiokisë.
10Kur mbreti pranoi dhe ai mori detyrën, i ktheu bashkëkombësit e vet në doket e helenëve.
11I zhbëri lëshimet e njerëzishme mbretërore kundrejt judenjve, mundësuar falë Johananit, atit të Eupolemit, që kishte shkuar te romakët si përfaqësues për të lidhur miqësi e marrëveshje me ta, asgjësoi ligjet qytetare e futi doke të mbrapshta.
12Ndërtoi me ngazëllim një stërvitore rrëzë fortesës dhe i nxiste djemtë më të mirë të mbanin kësulën helene.
13Helenizmi e ndërrimi i dokeve arritën kulmin për shkak të paudhësisë së tepruar të Jasonit pa fe e pa kryepriftëri.
14Priftërinjtë nuk kujdeseshin më për shërbesën e altarit, por, duke përçmuar tempullin e duke shpërfillur flitë, nxitonin të merrnin pjesë në shfaqjet e paligjshme sapo binte disku.
15I nënçmonin vlerat e etërve të vet dhe lartonin lavditë helene.
16Prandaj u ra fatkeqësia dhe u ndëshkuan prej atyre, të cilëve u lakmonin jetesën e përpiqeshin t'u ngjanin.
17Nuk është e lehtë të shkelësh ligjet e shenjta. Këtë e tregon koha.
18Kur në Tir po zhvilloheshin lojërat e përpesëvjetshme me pjesëmarrjen e mbretit,
19Jasoni i lig dërgoi si përfaqësues disa antiokas nga Jerusalemi, që kishin marrë me vete treqind drahma argjend për flinë e Herkulit, por ata menduan se nuk ishte e përshtatshme t'i përdornin për flijimin, por për tjetër gjë.
20Kështu, paratë që dërguesi i kishte dhënë për flinë e Herkulit, me vendim të mbartësve u përdorën për ndërtimin e trerremshave.
21Kur Apolloni i Menesteut u dërgua në Egjipt për kurorëzimin e mbretit Filometor, Antioku mori vesh se Filometori ishte kundërshtar i tij, prandaj mori masa për t'u mbrojtur. Mbërriti në Jopë e nuk u ndal, por vazhdoi për Jerusalem.
22Ai u prit me madhështi nga Jasoni e nga qyteti dhe i prinë me pishtarë të ndezur e me britma. Pastaj nisi marshimin ushtarak drejt Fenikës.
23Pas tre vjetësh, Jasoni dërgoi Menelaun, të vëllanë e Simonit që përmendëm më sipër, për t'i çuar mbretit paratë e për t'i paraqitur punët e nevojshme që duheshin kryer.
24Ai, kur iu paraqit mbretit, i shprehu nderimet, me pamjen e një njeriu të pushtetshëm, dhe fitoi të drejtën e kryepriftërisë, se premtoi tetë tonë argjend më shumë se Jasoni.
25Mori urdhrat e mbretit e u kthye pa asnjë veti të denjë për një kryeprift, por me zemërimin e tiranit mizor dhe tërbimin e egërsirës.
26Kështu Jasoni, pasi përmbysi të vëllanë, u përmbys nga tjetërkush e u dëbua në vendin e amanitëve.
27Menelau e mori pushtetin, por nuk i pagoi fare paratë që i kishte premtuar mbretit,
28megjithëse Sostrati, i pari i fortesës, ia kërkonte, se ai e kishte për detyrë mbledhjen e tagrave. Për këtë arsye u thirrën të dy nga mbreti.
29Menelau ia la kryepriftërinë Lisimakut, të vëllait, si mëkëmbës, kurse Sostrati la Krateun, komandantin e ushtrisë së Qipros.
30Teksa ndodhnin këto, banorët e Tarsit e të Malotiut ngritën krye, pasi qytetet e tyre iu dhanë si dhuratë Antiokidës, shemrës së mbretit.
31Mbreti u ngut ta qetësonte gjendjen dhe la Andronikun si zëvendës të vetin.
32Menelau mendoi se rasti ishte i volitshëm, prandaj vodhi disa enë ari nga tempulli dhe ia dhuroi Andronikut, ndërsa të tjerat i shiti në Tir e në qytetet e afërme.
33Kur Onia i mori vesh këto, e qortoi Menelaun dhe u fsheh në një vendstrehim në Dafnë, pranë Antiokisë.
34Menelau mori mënjanë Andronikun e i kërkoi të vriste Oninë. Ai shkoi tek Onia, i fitoi mirëbesimin me mashtrim, iu betua, i dha dorën e djathtë dhe, ndonëse mbeti dyshues, u bind të dilte nga vendstrehimi. Ai e burgosi menjëherë, pa pyetur për të drejtën.
35Për këtë arsye jo vetëm judenjtë, por edhe shumë nga kombet përreth u zemëruan e vajtuan për vrasjen e padrejtë të Onisë.
36Kur mbreti u kthye nga vendet e Kilikisë, judenjtë e qytetit bashkë me disa helenë shfaqën urrejtjen për vrasjen pa arsye të Onisë.
37Antioku vajtoi me shpirt, u mbush me keqardhje e qau për shkak të përkorjes dhe të mirësjelljes së të ndjerit.
38Pastaj u ndez nga zemërimi, ia zhveshi Andronikut petkun e purpurt, ia grisi petkat, e nxori zhveshur nëpër qytet, deri në vendin ku kishte vrarë Oninë, dhe atje e vrau atë gjakderdhës. Kështu Zoti i dha ndëshkimin e merituar.
39Lisimaku kishte cenuar shumë gjëra të shenjta me miratimin e Menelaut dhe lajmi ishte përhapur, prandaj turma ishte mbledhur kundër Lisimakut, se ishin vjedhur shumë enë të arta.
40Meqenëse turmat po acaroheshin e po mbusheshin me zemërim, Lisimaku armatosi rreth treqind vetë e u hodh padrejtësisht në sulm, nën udhëheqjen e njëfarë Aurani, i shtyrë në moshë e jo më pak edhe në marrëzi.
41Kur judenjtë e morën vesh se Lisimaku po i sulmonte, disa morën gurë, disa morën drunj e disa të tjerë hi prej atypari dhe ua hodhën rrëmujshëm atyre që rrethonin Lisimakun.
42Si pasojë, shumë prej tyre u plagosën, disa u vranë, të tjerët morën arratinë të gjithë, kurse dhunuesin e sendeve të shenjta e vranë pranë thesarit.
43Pas kësaj u bë gjyq edhe kundër Menelaut.
44Kur mbreti erdhi në Tir, tre burra nga pleqësia mbrojtën të drejtën para tij.
45Ndërsa Menelau, tashmë i mundur, i premtoi shumë para Ptolemeut, birit të Dorimenit, që ta bënte për vete mbretin.
46Atëherë Ptolemeu e mori mbretin mënjanë nën një portik, si për të marrë ajër, dhe atje ia ndërroi mendjen.
47Menelaun, shkakun e të gjithë të keqes, e liroi nga paditë dhe dënoi me vdekje ata fatkeqë, të cilët do të kishin dalë të pafajshëm edhe po t'i kishin gjykuar skitët.
48Ata që ishin ngritur në mbrojtje të qytetit, të popullit e të enëve të shenjta vuajtën dënim të padrejtë.
49Prandaj tirasit, treguan urrejtje për këtë ligësi dhe bënë një varrim madhështor.
50Por Menelau, falë grykësisë së pushtetarëve, mbeti në pushtet. U bë edhe më i lig dhe armiku i qytetarëve të vet.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.