Siraku 40 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rrethana të ndryshme

1Puna e rëndë është krijuar për çdo njeri,

zgjedhë e rëndë u bie njerëzve,

që prej ditës kur dalin nga barku i nënës,

deri ditën kur kthehen te nëna e të gjithëve.

2Kanë kokëçarje e zemër frikacake,

janë të vetëdijshëm se vjen dita e vdekjes.

3Që nga i uluri mbi një fron lavdie

tek i uluri në pluhur e hi,

4që nga i veshuri me purpur e kurorë

tek i veshuri me grathore

ka zemërim, smirë, tronditje e trazim,

frikë nga vdekja, furi e grindje.

5Edhe kur pushon në shtrojë

gjumi i natës ia prish mendimet.

6Pushon pak a aspak,

edhe në gjumë mundohet si ditën,

e trazojnë hamendësimet,

si të ikurin nga beteja.

7Në kohë nevoje zgjohet

e habitet nga kotësia e frikës.

8Për çdo qenie, nga njeriu te kafsha,

por për mëkatarët shtatëfish,

9ka vdekje, gjak, grindje e shpatë,

fatkeqësi, zi buke, rrënim e zezonë.

10Të gjitha këto u krijuan për të paudhët,

e prej tyre erdhi përmbytja.

11Çfarë del nga toka, në tokë kthehet,

çfarë del prej ujit, kthehet në det.

12Çdo mitë e padrejtësi do të shfaroset,

por besimi mbetet në amshim.

13Pasuria e të padrejtit thahet si lumi,

shpërndahet si bubullima në stuhi.

14Dorëdhëni gëzon,

të paudhët rrënohen plotësisht.

15Bijtë e të pafeve nuk kanë degë të harlisura,

janë rrënjë të papastra në gurë të lëmuar.

16Ndanë çdo uji e breglumi

shkulet bari i parë,

17por hiri është si kopsht bekimesh

e lëmosha mbetet në amshim.

18Jeta e atij që kujdeset për veten e për punëtorin

është e ëmbël,

edhe më shumë për atë që zbulon një thesar.

19Kush bën fëmijë e ndërton një qytet, bën emër,

por një grua e panjollë vlen më shumë.

20Vera e muzika e ngazëllejnë zemrën,

por dashuria për urtinë është mbi të gjitha.

21Fyelli e harpa e bëjnë të këndshme këngën,

por zëri i këndshëm është mbi të dyja.

22Syri kënaqet me hir e bukuri,

por bari i gjelbër është më i mirë se të dyja.

23Miku e shoku takohen nganjëherë,

por mbi të dy janë gruaja me burrin.

24Vëllezërit e ndihmësit janë për kohë pikëllimi,

por lëmosha çliron më shumë se të dyja.

25Ari e argjendi e bëjnë të qëndrueshme këmbën,

por këshilla vlen përmbi të dyja.

26Pasuritë e fuqia e lartësojnë zemrën,

por përmbi të dyja është droja e Zotit.

Nuk i mungon asgjë kujt druan Zotin,

nuk ka nevojë të kërkojë ndihmë.

27Droja e Zotit është si kopsht bekimesh,

mbulon më shumë se çdo lavdi.

28Bir, mos jeto si lypës,

më mirë të vdesësh se të lypësh.

29Njeriu që shikon tryezën e të tjerëve,

gjallon, por nuk jeton,

i ul vlerën vetes me ushqimin e të tjerëve.

Njeriu i ditur e i mësuar ruan veten.

30Në gojën e të paturpit është e ëmbël lypja,

por në bark i djeg si zjarr.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help