Baruku 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Urtia është libri i urdhëresave të Perëndisë,

ligji që mbetet në amshim.

Të gjithë ata që e rrokin shkojnë drejt jetës

e ata që e braktisin do të vdesin.

2Kthehu, o Jakob, e kapu pas saj,

ec drejt shkëlqimit, kundruall dritës së saj.

3Mos ia dorëzo tjetërkujt lavdinë tënde,

as përkrahjen tënde një kombi të huaj.

4Lum ne, o Izrael,

se na u bë e ditur ç'i pëlqen Perëndisë.

Nxitje për Izraelin

5Guxim, populli im,

që ruan kujtimin e Izraelit!

6U shitët te kombet

jo për t'u shkatërruar,

por zemëruat Perëndinë

e u dorëzuat te kundërshtarët.

7E ngucët krijuesin tuaj,

me fli kushtuar demonëve e jo Perëndisë.

8E shpërfillët atë që ju rriti, Perëndinë e amshuar,

u shkujdesët për atë që ju mëkoi, për Jerusalemin.

9Pa tek binte mbi ju zemërimi prej Perëndisë e tha:

«Dëgjoni, o rrethinat e Sionit,

Perëndia më shkaktoi një brengë të madhe.

10Kam parë mërgimin e bijve e bijave të mia

që ua shkaktoi i amshuari.

11Unë i kisha ushqyer hareshëm,

por i nisa vajtueshëm e trishtueshëm.

12Askush të mos gëzohet për mua,

vejushë e lëneshë nga shumë.

U shkretova prej mëkateve të bijve të mi,

se i bënë bisht ligjit të Perëndisë.

13S'deshën t'ia dinin për vendimet e tij,

nuk ecën udhëve të ligjeve të Perëndisë,

as shkelën në shtigjet e mësimit,

në drejtësinë e tij.

14Le të afrohen rrethinat e Sionit,

kujtojeni robërimin e bijve dhe bijave të mia

që ua shkaktoi i amshuari.

15Ai çoi kundër tyre një komb të largët,

një komb të pashpirt e me tjetër gjuhë,

pa nderim për plakun

e pa mëshirë për foshnjën.

16Ia rrëmbyen të vesë bijtë e dashur,

të vetmuarën e lanë të shkretë e pa bija».

17E si mund t'ju ndihmoj unë?

18Ai që ju dërgoi të ligat,

ai do t'ju çlirojë nga dora e armikut.

19Shkoni, o bij, shkoni,

se unë mbeta e shkretë.

20E hoqa petkun e paqes,

u vesha me grathoren e përgjërimit

e do t'i kaloj ditët

duke i thirrur të amshuarit.

21Guxim, bijtë e mi, thirreni Perëndinë,

se ai ju nxjerr nga pushteti dhe dora e armiqve.

22Tek i amshuari e kam vënë

shpresën e shpëtimit tuaj,

prej të Shenjtit më ka ardhur hareja

për mëshirën që do të merrni së shpejti

nga i amshuari, shpëtimtari juaj.

23Ju nisa me pikëllim e vajtim,

por Perëndia tek unë do t'ju kthejë

me ngazëllim e hare përgjithmonë.

24Siç panë rrethinat e Sionit robërimin tuaj,

do të shohin prej Perëndisë shpëtimin tuaj,

që do t'ju vijë me lavdi të madhe,

me shkëlqimin e të amshuarit.

25Bij, durojeni zemërimin

që ra mbi ju prej Perëndisë.

Armiku të ka përndjekur,

por shpejt do t'ia shohësh rrënimin

e do t'i hipësh në qafë.

26Njomëzakët e mi ecën udhëve të ashpra,

u rrëmbyen siç plaçkit armiku grigjën.

27Guxim, o bij, thirreni Perëndinë,

shkaktari do të kujtohet për ju.

28Siç ju qe mbushur mendja

të largoheshit nga Perëndia,

dhjetëfish më shumë

kthehuni e kërkojeni,

29se ai që ju shkaktoi të ligat,

ju sjell gëzim të amshuar

me shpëtimin tuaj.

Shpresë për Jerusalemin

30Guxim Jerusalem!

Ai që të thirri për emër,

do të të ngushëllojë.

31Mjerë ata që të munduan

e u gëzuan me rrëzimin tënd.

32Mjerë qytetet ku bijtë tuaj u skllavëruan,

mjerë qyteti që t'i pranoi bijtë.

33Siç u gëzua me rrëzimin tënd

e ngazëlleu me rrënimin tënd,

do të pikëllohet me shkretimin e vet.

34Do ta lë pa gëzimin e turmës së tij të madhe

e mburrja do t'i kthehet në pikëllim,

35se prej të amshuarit do t'i bjerë zjarr për shumë ditë,

e do ta banojnë demonët për shumë kohë.

36Shiko nga lindja, Jerusalem,

shihe gëzimin që po të vjen prej Perëndisë.

37Ja, po të vijnë bijtë që pate nisur,

po vijnë tok nga lindja e perëndimi,

me fjalën e të Shenjtit,

me lavdinë e Perëndisë të gëzuar.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help