1Kush druan Zotin nuk preket nga e keqja,
edhe në sprovë e shpëton sërish.
2Njeriu i urtë nuk e urren ligjin,
kush shtiret me të është si varka në stuhi.
3Njeriu i mençur i zë besë ligjit,
i duket i besueshëm si kumtet hyjnore.
4Përgatite fjalën, se të dëgjojnë,
përmblidhe mësimin e përgjigju.
5Zorrët e të marrit janë si rrota e qerres,
mendimet e tij si boshti që sillet.
6Miku përqeshës është si hamshori,
kujtdo t'i hipë sipër, i hingëllin.
Dallimet7Pse është një ditë më e veçantë se tjetra,
kur tërë drita e ditës vjen prej diellit?
8Janë veçuar nga dija e Zotit,
ai i ndau stinët e festat.
9Disa i lartësoi e i shenjtëroi,
disa i caktoi ditë të rëndomta.
10Edhe njerëzit nga balta vijnë të gjithë
e prej dheut u krijua Adami.
11Me dije të plotë Zoti i dalloi
e rrugët ua ndau.
12Disa i bekoi e i lartësoi,
disa i shenjtëroi e i afroi te vetja,
disa i nëmi e i poshtëroi,
i luajti nga vendi.
13Si balta në dorë të poçarit,
që merr çdo trajtë sipas dëshirës së tij,
të gjithë janë në dorë të krijuesit
e ai u jep sipas vendimit të vet.
14Përballë të keqes është e mira,
përballë vdekjes, jeta.
Njësoj është mëkatari përballë besimtarit.
15Shikoi të gjitha veprat e të Tejlartit,
janë dy nga dy, njëra përballë tjetrës.
16I fundit u zgjova nga gjumi
si mbledhësi pas vjelësve,
17me bekimin e Zotit ia arrita
dhe e mbusha torkun si vjelësi.
18Dijeni se nuk jam munduar veç për vete,
por për këdo që kërkon mësim.
19Dëgjomëni, o të mëdhenjtë e popullit,
o prijësit e bashkësisë, merrni vesh!
20Djalit e gruas, vëllait e mikut,
mos i jep pushtet sa të jesh gjallë vetë;
mos ia jep tjetërkujt pasurinë,
që të mos pendohesh e ta lypësh prapë.
21Sa të jesh gjallë e të marrësh frymë,
mos ia lër vendin tënd askujt.
22Është më mirë të lypin fëmijët prej teje,
se t'i shikosh fëmijët nga duart.
23Spikat në të gjitha veprat e tua
e mos e njollos nderin.
24Kur të sosen ditët e jetës sate,
në çastin e fundit, ndaje trashëgiminë.
25Tagjinë, shkopin e barrën, gomarit!
Bukën, qortimin e punën, skllavit!
26Jepi punë shërbëtorit e do të gjesh paqe,
liroja duart e do të kërkojë lirinë.
27Qafën e shtrojnë zgjedha e laku,
skllavin punëlig, litari e mundimet.
28Vëre në punë që të mos plogështohet,
se plogështia mëson shumë të këqija.
29Jepi punë, siç i takon,
dhe, po s'u bind, shtrëngoja vargonjtë.
30Por, me asnjërin mos e tepro
e mos bëj asgjë pa të drejtë.
31Nëse ke një skllav, mbaje si veten,
se e ke blerë me gjak.
32Nëse ke një skllav, mbaje si vëlla,
se do të të duhet si shpirti.
33Po ta dhunosh e ai ikën e të lë,
në ç'udhë do ta kërkosh?
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.