1Jonatani pa se i doli një rast i volitshëm, prandaj zgjodhi disa burra e i dërgoi në Romë për të forcuar e përtërirë miqësinë me ta.
2U dërgoi letra edhe spartanëve e vendeve të tjera me të njëjtin qëllim.
3Ata shkuan në Romë, hynë në kuvend e thanë: «Kryeprifti Jonatan e kombi i judenjve na kanë dërguar të përtërijmë miqësinë e marrëveshjen me ju si më parë».
4Romakët u dhanë me vete letra drejtuar secilit vend, për t'u mundësuar një kthim paqësor në tokën e Judesë.
5Kjo është kopja e letrës që Jonatani u shkroi spartanëve:
6«Kryeprifti Jonatan, pleqësia e kombit, priftërinjtë dhe pjesa tjetër e popullit të judenjve, vëllezërve spartanë: përshëndetje.
7Edhe më parë, Ari, që mbretëronte ndër ju, i pati dërguar letër kryepriftit Oni, duke pohuar se jemi vëllezër, siç e tregon kopja bashkangjitur.
8Onia e priti të dërguarin me nderim dhe i pranoi letrat që flisnin qartë për marrëveshjen e miqësinë.
9Ne, pra, edhe pse nuk kemi nevojë për këto, meqë na japin zemër librat e shenjtë që kemi në duar,
10ngritëm një dërgatë për të përtërirë vëllazërinë e miqësinë me ju, që të mos bëhemi si të huaj, se ka kaluar shumë kohë që prej dërgatës suaj.
11Ne ju kujtojmë pareshtur, për festa e në ditë të caktuara, kur kushtojmë fli e kur lutemi, siç është e detyrueshme dhe e dobishme të kujtohen vëllezërit.
12Dhe gëzohemi fort për lavdinë tuaj.
13Por na kanë rrethuar shumë fatkeqësi e shumë luftra. Mbretërit përreth na kanë hapur luftë.
14Nuk kemi dashur t'ju shqetësojmë as ju, as përkrahësit e tjerë e miqtë tanë për këto luftra,
15se kemi ndihmën prej qiellit që na mbështet, prandaj kemi shpëtuar nga armiqtë dhe armiqtë tanë janë poshtëruar.
16Tani zgjodhëm Numenin, birin e Antiokut, dhe Antipatrin, birin e Jasonit, i dërguam te romakët për të përtërirë miqësinë e dikurshme e marrëveshjen me ta.
17I kemi porositur të vijnë edhe te ju, për t'ju përshëndetur e për t'ju dhënë letrat tona me kërkesën për përtëritjen e vëllazërisë edhe mes nesh.
18Prandaj do të bënit mirë të përgjigjeshit në lidhje me këtë».
19Kopja e letrës dërguar Onisë ishte kjo:
20«Ari, mbreti i spartanëve, priftit të madh Oni: përshëndetje.
21Është gjetur një shkrim për spartanët e judenjtë se janë vëllezër dhe se janë nga fisi i Abrahamit.
22Tani që i morëm vesh këto, do të bënit mirë të na shkruanit për paqen tuaj.
23Nga ana jonë ju shkruajmë këtë përgjigje: “Kafshët tuaja e pronat tuaja janë tonat dhe tonat janë tuajat”. Urdhërojmë t'ju njoftojnë për këtë».
Jonatani mund Dhimitrin II24Jonatani dëgjoi se prijësit e Dhimitrit ishin kthyer me një ushtri më të madhe se më parë, për të hyrë në luftë me të.
25U largua nga Jerusalemi e u doli para në Hamat pa u dhënë mundësi t'ia pushtonin vendin.
26Dërgoi spiunë në fushimin e tyre e ata u kthyen e thanë se do t'i sulmonin natën.
27Kur perëndoi dielli, Jonatani urdhëroi të vetët të rrinin zgjuar, të armatoseshin e të ishin gati për betejë gjithë natën. Pastaj vuri roja rreth fushimit.
28Kur kundërshtarët morën vesh se Jonatani me ushtrinë e vet ishte gati për betejë, u trembën e u trandën në zemër, i vunë zjarrin fushimit të tyre e u tërhoqën.
29Jonatani dhe të vetët nuk e morën vesh këtë deri në mëngjes, kur panë zjarret e ndezura.
30Jonatani i ndoqi nga pas, por nuk i arriti dot, se e kishin kapërcyer lumin Eleuter.
31Atëherë Jonatani u kthye kundër arabëve, që quhen zabadenj, i mundi e i plaçkiti.
32Pastaj u nis e shkoi në Damask, duke përshkuar mbarë krahinën.
33Edhe Simoni doli dhe e përshkoi vendin deri në Ashkelon e te fortesat afër tij. U kthye në Jopë dhe e pushtoi,
34meqë kishte dëgjuar se ata donin t'u dorëzoheshin njerëzve të Dhimitrit. Pastaj vendosi një njësit, që ta ruante.
35Jonatani u kthye, mblodhi pleqtë e popullit dhe, me ta, u mor vendimi të ndërtoheshin fortesa në Jude,
36të ngriheshin edhe më shumë muret e Jerusalemit, të vihej një pengesë e madhe mes fortesës e qytetit për ta ndarë atë prej qytetit, që të mbetej e veçuar e të mos kishin mundësi, as të blinin, as të shisnin.
37Ata u mblodhën për ta ndërtuar qytetin. Një pjesë e murit nga ana e përroit në lindje ishte shembur dhe ai ndreqi të ashtuquajturën Kafenatë.
38Edhe Simoni ndërtoi Adidën në Sefelë, e fortifikoi, i vuri dyer e shula.
Jonatanin e kapin39Trifoni po përpiqej të bëhej mbret i Azisë, të merrte kurorën e të ngrinte dorë kundër mbretit Antiok.
40Meqë druhej se Jonatani nuk do ta lejonte ta bënte këtë e mund t'i shpallte luftë, orvatej ta kapte e ta vriste. Prandaj u nis e erdhi në Betshan.
41Jonatani i doli para me dyzet mijë burra të zgjedhur dhe mbërriti në Betshan.
42Kur Trifoni pa se Jonatani erdhi me ushtri të madhe, pati frikë të çonte dorë kundër tij.
43Atëherë e priti Jonatanin me nderim, e paraqiti te të gjithë miqtë e vet, i dha dhurata dhe urdhëroi miqtë e ushtrinë e vet t'i bindeshin Jonatanit si atij vetë.
44Pastaj i tha Jonatanit: «Pse e mundove gjithë këtë popull pa qenë në luftë?
45Nisi tani në shtëpitë e veta, zgjidh pak burra që të rrinë me ty dhe eja me mua në Ptolemaidë. Do të ta dorëzoj bashkë me fortesat e tjera, me mbetjen e ushtrisë e me të gjithë nëpunësit. Pastaj unë do të kthehem e do të largohem, se për këtë kam ardhur».
46Jonatani i besoi, veproi siç i tha, i nisi ushtarët dhe ata shkuan në Jude.
47Mbajti me vete tre mijë burra. Dy mijë i la në Galile e një mijë i mori me vete.
48Kur Jonatani mbërriti në Ptolemaidë, banorët mbyllën portat e qytetit, e kapën dhe vranë me shpatë të gjithë ata që kishin hyrë me të.
49Trifoni dërgoi ushtrinë e kalorësinë në Galile e në fushën e madhe, për t'i zhbirë të gjithë ushtarët e Jonatanit.
50Por këta e kishin marrë vesh se Jonatani ishte kapur e ishte vrarë bashkë me shoqëruesit, prandaj i dhanë zemër vetes e u nisën tok për në betejë.
51Kur ndjekësit panë se po luftonin për jetë a vdekje, u kthyen pas.
52Atëherë të gjithë u kthyen shëndoshë e mirë në Jude, vajtuan për Jonatanin e për shoqëruesit e tij dhe i zuri një frikë e madhe. Edhe mbarë Izraeli vajtoi shumë.
53Të gjitha kombet përreth përpiqeshin t'i shfarosnin e thoshin: «Nuk kanë prijës, as ndihmës. Le t'i luftojmë, t'i shfarosim e t'ua shuajmë kujtimin ndër njerëz».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.