1Rrobat për të shërbyer në shenjtërore u endën me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Rrobat e shenjta të Aronit u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
2Efodi u bë me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.
3Pllakat e arit i farkëtuan hollë dhe i prenë në shirita që t'i thurnin me mjeshtëri me pëlhurën e lirit dhe me fijet ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.
4Pastaj bënë dy suporet dhe i lidhën në të dyja anët e efodit.
5Rripi mbi efod u punua nga e njëjta copë dhe me të njëjtat materiale si efodi. Ai u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
6Pastaj punuan gurët e oniksit. I përshkuan me filigran të artë dhe i gdhendën me emrat e bijve të Izraelit.
7I vendosën mbi suporet e efodit, siç Zoti e urdhëroi Moisiun, që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit.
8Pastaj qëndisi parzmoren me mjeshtëri siç qëndisi dhe efodin. Ajo u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.
9Parzmoren e palosën më dysh dhe e bënë katrore, një pëllëmbë të gjatë e një pëllëmbë të gjerë.
10Në të vunë katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vunë rubin, topaz dhe smerald.
11Në radhën e dytë vunë granat, safir dhe diamant.
12Në radhën e tretë vunë hiacint, kalcedon dhe ametist.
13Në radhën e katërt vunë topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar u përshkuan me filigran të artë.
14Gjithsej ishin dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi u gdhend mbi çdo gurë.
15Parzmores i bënë varëse të gërshetuara prej ari të pastër.
16Pastaj bënë dy filigranë e dy rrathë të artë. Rrathët i vunë në të dyja anët e parzmores
17dhe në to mbërthyen të dyja varëset e arta.
18Dy anët e tjera të varëseve i mbërthyen te dy filigranët dhe i lidhën me suporet e efodit me krah përpara.
19Bënë dy rrathë të artë dhe i vendosën në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit.
20Bënë edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe i vendosën përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit.
21Pastaj i lidhën rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë që parzmorja të ishte sipër rripit dhe të mos lëvizte prej efodit. Ato u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
22Petku poshtë efodit u end i tëri me pëlhurë ngjyrë vjollcë.
23Në mes të saj u hap një grykë porsi jakë. Ajo u qep përreth me një buzë që të mos grisej.
24Në fund të petkut punuan shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur e të dredhur.
25Pastaj bënë këmbanëza me ar të pastër dhe i varën rreth e qark fundit të petkut, ndërmjet shegëve.
26Ato u varën me radhë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun, një këmbanëz e një shegë rreth e qark fundit të petkut që përdorej për shërbesë.
27Pastaj punuan për Aronin e bijtë e tij tunikat prej liri,
28kësulën dhe kësulëzat prej liri, mbathjet e linjta të tjerrë hollë
29dhe brezin prej liri të tjerrë hollë që u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Ato u bënë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
30Pastaj bënë pllakëzën e kurorës së shenjtë me ar të pastër dhe në të gdhendën: «I shenjti i Zotit».
31E lidhën mbi kësulë me një shirit ngjyrë vjollcë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
Përfundimi i tendës32Kështu, u përfunduan tërë punët e tendës, tendës së takimit. Izraelitët bënë gjithçka ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
33Atëherë ia paraqitën tendën Moisiut: tendën me tërë pajisjet përkatëse, grremçat, dërrasat, traversat, shtyllat, bazat;
34mbulesën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, mbulesën me lëkurë të çmuar e velin që ndan;
35arkën e dëshmisë bashkë me shufrat e pajtimoren;
36tryezën bashkë me tërë enët përkatëse e bukën e paraqitjes;
37shandanin prej ari të pastër bashkë me llambat e renditura, enët përkatëse e vajin për ndriçim;
38altarin prej ari bashkë me vajin për vajosje e temjanin erëkëndshëm; perden e hyrjes së tendës;
39altarin prej bronzi bashkë me skarën prej bronzi, shufrat e enët përkatëse; legenin bashkë me bazën;
40pëlhurat e oborrit bashkë me shtyllat, bazat, perden e hyrjes, litarët, kunjat e tërë pajisjet për ndërtimin e tendës, tendës së takimit;
41dhe rrobat e endura që përdoren për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron e rrobat e bijve të tij që shërbejnë si priftërinj.
42Izraelitët i bënë tërë punimet ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
43Moisiu i kontrolloi tërë punimet dhe, ja, pa që ishin bërë ashtu siç kishte urdhëruar Zoti dhe Moisiu i bekoi.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.