1Ditën e tretë, si mbaroi së luturi, Estera hoqi petkat e shërbesës e u mbështoll me lavdinë e vet.
1a Mori një pamje të mahnitshme dhe, pasi i thirri Perëndisë që vështron mbi të gjithë e i shpëton, mori dy shërbëtoret. Te njëra mbështetej disi këndshëm, ndërsa tjetra e ndiqte duke i mbajtur bishtin.
1b Kuqëlonte, në kulmin e bukurisë së vet. Fytyrën e kishte të hareshme, si një e dashuruar, por zemra i dridhej nga frika.
1c Pasi i përshkoi të gjitha portat, u ndal para mbretit. Ai ishte ulur në fronin e tij mbretëror, veshur me tërë stolitë e madhështisë së tij dhe mbuluar me ar e gurë të çmuar. Ishte tejet i frikshëm.
1ç Ngriti fytyrën që i shkëlqente me lavdi dhe shikoi me zemërim të skajshëm. Mbretëresha u mek, u zbeh dhe mbështeti kokën te shërbëtorja që i printe.
1d Por Perëndia ia zbuti shpirtin mbretit. Ai u shqetësua, brofi nga froni dhe e mori në krahë derisa ajo u përmend. Ai e ngushëllonte me fjalë qetësuese e i thoshte:
1dh «Ç'po ndodh, Ester? Unë jam vëllai yt. Merr zemër! Nuk do të vdesësh, se ky vendim i yni prek vetëm njerëzit e zakonshëm. Afrohu».
2Pastaj ngriti skeptrin e artë, ia vuri mbi qafë, e puthi e i tha: «Fol me mua!».
2a Ajo i tha: «Të pashë, o zot, si engjëll Perëndie dhe zemra m'u drodh para lavdisë sate, se ti je i mahnitshëm, o zot, dhe fytyra jote është plot hir».
2b Ndërsa po i fliste i ra të fikët e u rrëzua. Mbreti u shqetësua dhe të gjithë shërbëtorët e tij treguan kujdes ndaj saj.
3Atëherë mbreti i tha: «Çfarë ke, mbretëresha Ester? Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet».
4Estera u përgjigj: «Nëse i pëlqen mbretit, le të vijnë sot mbreti me Hamanin në gostinë që kam shtruar për të».
5Mbreti tha: «Silleni shpejt Hamanin, e të bëjmë siç tha Estera». Atëherë mbreti shkoi me Hamanin në gostinë që kishte shtruar Estera.
6Kur u shtrua vera, mbreti e pyeti Esterën: «Ç'lutje ke? Do të të plotësohet. Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet».
7Atëherë Estera u përgjigj: «Lutja ime dhe dëshira ime është kjo:
8nëse kam gjetur hir para mbretit e nëse mbretit i duket gjë e mirë të ma plotësojë lutjen e të ma kryejë kërkesën, le të vijë mbreti me Hamanin në gostinë, që do të shtroj për ta, dhe nesër unë do të bëj siç tha mbreti».
9Atë ditë Hamani doli i gëzuar e plot hare, por, kur pa Mordakain te porta e mbretit, që nuk u çua e nuk luajti vendit për të, u mbush me zemërim kundër tij.
10Megjithatë, u përmbajt, shkoi në shtëpi e thirri miqtë dhe Zereshën, gruan e vet.
11Hamani u tregoi për madhështinë e pasurisë së vet, për bijtë e vet të shumtë, sesi mbreti e kishte lartësuar e si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e vet.
12Hamani u tha: «Edhe mbretëresha Ester nuk ftoi askënd tjetër përveç meje në gostinë që shtroi për mbretin. Jam i ftuar të shkoj tek ajo me mbretin edhe nesër.
13Por, gjithë kjo nuk më mjafton për sa kohë ta shoh jude Mordakain ulur te porta e mbretit».
14Atëherë Zeresha, gruaja e tij, dhe të gjithë miqtë i thanë: «Le të ngrihet një shtyllë njëzet e pesë metra e lartë e nesër thuaji mbretit ta varin në të Mordakain. Pastaj shko i gëzuar në gosti me mbretin». Kjo i pëlqeu Hamanit dhe ai përgatiti shtyllën.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.