1Ki mëshirë për ne, o sundues,
Perëndi i gjithësisë, e na shiko,
futu frikën të gjitha kombeve.
2Ngrije dorën kundër kombeve të huaja,
që ta shohin fuqinë tënde.
3Siç u tregove i shenjtë para tyre përmes nesh,
tregohu i madhërishëm para nesh përmes tyre.
4Atëherë do të të njohin siç të njohëm ne,
se s'ka Perëndi përveç teje, o Zot.
5Përtëriji shenjat e përsëriti mrekullitë,
jepi lavdi dorës e krahut tënd të djathtë.
6Zgjoje zemërimin e derdhe furinë,
zhbije kundërshtarin e shfarose armikun.
7Shpejtoje kohën e kujtoje betimin,
që të tregohen madhështitë e tua.
8Në zjarrin e zemërimit u përpiftë i mbijetuari,
i zëntë rrënimi ata që dëmtojnë popullin tënd.
9Shtypua kokat princave armiq
që thonë: «S'ka tjetër veç nesh!».
10Mblidhi mbarë fiset e Jakobit
e ndajua trashëgiminë si në fillim.
11Ki mëshirë, o Zot, për popullin që mban emrin tënd,
për Izraelin, që e caktove të parëlindur.
12Përdëlleje qytetin e shenjtërores sate,
Jerusalemin, vendpushimin tënd.
13Mbushe Sionin me himne për ty
e tempullin me lavdinë tënde.
14Dëshmo për ata që krijove në fillim,
kryeji profecitë që janë bërë në emrin tënd.
15Jepu shpërblimin atyre që të presin,
që profetët e tu të bëhen të besueshëm.
16Dëgjoje, o Zot, lutjen e përgjëruesve të tu,
siç thotë bekimi i Aronit për popullin tënd.
17Ta marrin vesh të gjithë përmbi dhe
se ti je Zot, o Perëndi i amshuar.
Dallimi18Barku përpin çdo ushqim,
por ndonjë ushqim është më i mirë se tjetri.
19Qiellza e dallon ushqimin e gjahut,
edhe zemra e mençur fjalët e rreme.
20Mendja e mbrapshtë shkakton trishtim,
por njeriu me përvojë ia kthen.
21Gruaja duhet të pranojë këdo për burrë,
por ndonjë vajzë është më e mirë se tjetra.
22Bukuria e gruas të çel fytyrën,
tërë dëshirat e njeriut i tejkalon.
23Nëse flet me mëshirë e përulësi,
burri i saj nuk është si gjithë njerëzia.
24Kush merr grua, zotëron një pronë,
një ndihmë si veten e një shtyllë për t'u mbështetur.
25Ku nuk ka gardh, grabitet prona,
ku nuk ka grua, burri endet e rënkon.
26Kush i zë besë cubit të stërvitur
që bredh qytet më qytet?
27Njësoj është njeriu që nuk ka fole
e bun ku e zë muzgu.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
