1Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet e në çdo vend ku do të shkonte ai vetë.
2Dhe u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.
3Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqve.
4Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd.
5Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”.
6Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju.
7Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t'ju shtrojnë para, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën.
8Në çdo qytet ku të hyni e t'ju mirëpresin, hani çfarë t'ju vënë para,
9shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush”.
10Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni:
11“Edhe pluhurin e qytetit tuaj, që na është ngjitur këmbëve, po jua shkundim. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër”.
12Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet».
Mjerë qytetet e papenduara(Mt 11.20-24)13«Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi.
14Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë, se ju në ditën e gjykimit.
15Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
16Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar».
Kthimi i të shtatëdhjetedyve17Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim e i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!».
18Jezui u tha: «E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe.
19Ja, ju kam dhënë pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t'ju bëjë keq.
20Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».
Gëzimi i Jezuit(Mt 11.25-27; 13.16-17)21Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i shenjtë e tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.
22Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë».
23Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve e u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju!
24Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».
Samaritani i mirë25Atëherë një mësues i ligjit u ngrit për ta vënë në provë Jezuin e i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?».
26Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligj? Çfarë lexon atje?».
27Ai iu përgjigj: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje të afërtin si veten».
28Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh».
29Por ai, meqenëse donte t'i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është i afërti?».
30Jezui iu përgjigj: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.
31Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër.
32Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër.
33Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të.
34Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të.
35Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër”.
36Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “i afërti” për atë që ra në duart e kusarëve?».
37Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë». Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».
Te Marta dhe Maria38Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Martë e priti në shtëpi.
39Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij.
40Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t'i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!».
41Por Zoti iu përgjigj: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar dhe e zënë me shumë gjëra,
42por vetëm një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë që nuk do t'i merret».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.