1 Kronikave 10 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vdekja e Saulit

1Filistinët e sulmuan Izraelin. Izraelitët ikën prej filistinëve, por mbetën të vrarë në malin Gilboa.

2Filistinët e ndoqën këmba-këmbës Saulin me të bijtë dhe vranë Jonatanin, Abinadabin e Malkishuain, bijtë e Saulit.

3Beteja kundër Saulit u bë e ashpër. Harkëtarët e vunë në shënjestër e ai u plagos nga harkëtarët.

4Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: «Nxirre shpatën e më shporo, që të mos vijnë këta të parrethprerë e të tallen me mua». Por armëmbajtësi nuk pranoi, se pati shumë frikë, prandaj Sauli e mori vetë shpatën e u hodh mbi të.

5Kur armëmbajtësi pa se Sauli kishte vdekur, u hodh edhe ai mbi shpatë e vdiq.

6Kështu vdiq Sauli. Vdiq ai vetë, me tre bijtë e me shtëpinë e vet.

7Kur izraelitët, që ishin në luginë, panë se ata kishin ikur dhe se Sauli me bijtë e vet kishin vdekur, i braktisën qytetet e veta e morën arratinë. Atëherë filistinët erdhën e u vendosën aty.

8Të nesërmen, kur filistinët erdhën të zhvatnin kufomat e të vrarëve, gjetën Saulin e bijtë e tij që kishin rënë në malin Gilboa.

9E plaçkitën, i morën kokën dhe armët dhe i dërguan në tokën e filistinëve, për t'u dhënë lajmin idhujve e popullit përreth.

10Armët i vunë në tempullin e perëndive të tyre, ndërsa kafkën ia varën në tempullin e Dagonit.

11Kur të gjithë banorët e Jabesh Gileadit dëgjuan gjithçka i kishin bërë filistinët Saulit,

12të gjithë luftëtarët u ngritën e morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij e i sollën në Jabesh. Ua varrosën eshtrat nën qarrin e Jabeshit dhe agjëruan shtatë ditë.

13Sauli vdiq për shkak të pabesisë së vet, se nuk i qëndroi besnik Zotit dhe nuk e zbatoi urdhrin e Zotit, por u këshillua me ata që thërrasin shpirtra të vdekurish.

14Nuk u këshillua me Zotin, prandaj ai e vrau dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Jeseut.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help