1 Makabenjve 16 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Fitorja e bijve të Simonit

1Johanani erdhi nga Gazara dhe njoftoi Simonin, të atin, se çfarë kishte bërë Kendebeu.

2Simoni thirri dy djemtë më të mëdhenj, Judën e Johananin, e u tha: «Unë, vëllezërit e mi, dhe shtëpia e atit tim luftuam në betejat e Izraelit që prej rinisë e deri më sot dhe shumë herë ia dolëm ta shpëtonim Izraelin.

3Tashmë unë jam plakur, kurse ju, falë Zotit, jeni në moshë të pjekur. Merrni vendin tim e të tim vëllai e dilni të luftoni për kombin tonë, se ndihma e qiellit do të jetë me ju».

4Zgjodhi nga vendi njëzet mijë burra luftëtarë e kalorës, u nisën drejt Kendebeut e fjetën në Modein.

5Në mëngjes u ngritën, u nisën drejt fushës dhe u doli para një ushtri e madhe këmbësorësh e kalorësish. Në mes i ndante një përrua.

6Johanani e populli i tij u rreshtuan përballë ushtrisë kundërshtare, por ai pa se populli ngurronte ta kalonte përroin, prandaj kaloi vetë i pari. Kur ushtarët e panë, e ndoqën pas.

7Johanani i ndau ushtarët dhe futi në mes kalorësinë, sepse kalorësia e kundërshtarit ishte shumë e madhe.

8U ranë borive dhe Kendebeu me gjithë ushtri morën arratinë. Shumë prej tyre ranë prej plagëve, kurse të mbijetuarit u strehuan në fortesë.

9Juda, vëllai i Johananit, u plagos, por Johanani i ndoqi derisa mbërriti në Kedron, ku kishte ndërtuar Kendebeu.

10Ata u strehuan edhe në kullat e fushave të Azotit, të cilat Johanani i dogji me zjarr. Rreth dy mijë burra mbetën të vrarë dhe Johanani u kthye në Jude shëndoshë e mirë.

Vrasja e Simonit

11Ptolemeu, biri i Abubit, ishte caktuar kryeushtarak në fushën e Jerikosë. Ai kishte shumë argjend e ar,

12se ishte dhëndri i kryepriftit.

13Iu rrit mendja e deshi ta vinte vendin nën sundim, thuri ligësi kundër Simonit e të bijve, që t'i zhdukte.

14Simoni po mbikëqyrte qytetet e krahinës në atë kohë e po kujdesej për nevojat e tyre. Ai zbriti në Jeriko me bijtë e vet Matatinë e Judën në vitin njëqind e shtatëdhjetë e shtatë, në muajin e njëmbëdhjetë, që është muaji Shevat.

15I biri i Abubit i priti me pabesi në fortesën e quajtur Dok që e kishte ndërtuar vetë. Ai u shtroi një gosti të madhe, por fshehu disa njerëz aty.

16Kur Simoni e të bijtë u dehën, Ptolemeu u ngrit me njerëzit e vet, ngjeshën armët, u hodhën kundër Simonit në dhomën e gostisë dhe e kapën bashkë me të bijtë e me shërbëtorët.

17Ptolemeu bëri tradhti të lartë dhe e shpërbleu të mirën me të keqe.

Johanani i zë vendin Simonit

18Ptolemeu i shkroi këto dhe ia dërgoi mbretit, që ai t'i dërgonte në ndihmë ushtrinë e t'i dorëzonte vendin e qytetet.

19Pastaj dërgoi njerëz të tjerë në Gazarë për të zhdukur Johananin. Kryemijësve u nisi letra që të vinin tek ai, se donte t'u jepte argjend, ar e dhurata

20dhe disa të tjerë i dërgoi të pushtonin Jerusalemin e malin e tempullit.

21Dikush vrapoi përpara dhe e lajmëroi Johananin në Gazarë se i ati e të vëllezërit ishin vrarë dhe se Ptolemeu kishte dërguar njerëz ta vrisnin.

22Kur dëgjoi këto, Johanani u trondit shumë. Ai i kapi njerëzit që kishin ardhur për ta rrënuar dhe i vrau, se e kuptoi që kishin ardhur për ta shkatërruar.

23Veprat e tjera të Johananit, luftrat e tij, trimëritë e tij, ndërtimi i mureve dhe të gjitha veprat e tjera

24janë shkruar në librin e Kronikave të priftërisë pasi ai u bë kryeprift në vend të të atit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help