Isaia 22 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Kundër Jerusalemit

1Profeci për luginën e Vegimit:

ç'të ka ndodhur, pra,

që ke hipur i gjithi mbi çati,

2ty, o qytet plot zhurmë,

qytet i trazuar, qytet plot gëzim?

Të vdekurit e tu s'i vrau shpata,

në luftë ata nuk ranë.

3Të gjithë prijësit e tu ia mbathën,

u zunë robër e hark nuk kishin.

Ç'kishte mbetur te ti u kap,

u robërua pa shkuar larg.

4Prandaj po ju them: «Largojini sytë nga unë,

do të qaj plot hidhërim.

E mos kërkoni të më ngushëlloni

për shkatërrimin e bijës së popullit tim».

5Se kjo ditë e Zotit, Zotit të ushtrive,

është ditë tmerri, shkatërrimi e zvetënimi.

Në luginën e Vegimit u shemb muri,

britma për ndihmë dëgjohen maleve.

6Elami rroku kukurën,

me qerre e me kalorës,

Kiri e nxori shqytin.

7Luginat e tua më të mira

me qerre e me kalorës u mbushën.

Përballë portës janë rreshtuar

8e Judës i është hequr mburoja.

Atë ditë i hodhët sytë

nga armët e Pallatit të Pyllit.

9Patë sa të shumta ishin të çarat e mureve

në qytetin e Davidit

dhe mblodhët ujërat

e pellgut të poshtëm.

10Numëruat shtëpitë e Jerusalemit

e shembët shtëpi për të përforcuar muret.

11Mes dy mureve ndërtuat një ujëmbajtës,

për të mbajtur ujin e pellgut të vjetër,

por nuk i hodhët sytë nga ai që e kishte bërë,

nuk e patë atë që e sendërgjoi qëmoti.

12Ju thirri atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive,

që të qanit e të vajtonit,

që kokat tuaja t'i rruanit

e me grathore të ngjisheshit.

13Por jo! Gëzonit e dëfrenit,

thernit qe e hanit dhen,

hanit mish e pinit verë.

«Të hamë e të pimë», thoshit,

«Se nesër do të vdesim».

14Por Zoti i ushtrive më ka thënë në vesh:

«Kjo paudhësi nuk do të shlyhet,

deri kur të vdisni»,

thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

Shkarkimi i Shebnaut

15Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive:

Ngrihu e shko tek oborrtari Shebna

që është kujdestari i pallatit.

16«Ç'do ti këtu?», thuaji.

«Kë ke tëndin këtu,

që je duke hapur varr?».

Ke latuar në lartësi varrin tënd,

ke gdhendur në shkëmb banesën tënde.

17Por ja, Zoti do të të vërvitë me dhunë, o njeri,

e do të të mbërthejë mirë.

18Do të të mbështjellë mirë e mirë si lëmshin,

me të dyja duart do të të vërvitë si topin në fushë,

atje ke për të vdekur,

atje do të marrin fund qerret e tua të lavdishme,

o turpi i shtëpisë së zotërinjve të tu!

19Do të të dëbojë nga detyra,

do të të plandosë nga rangu.

20Atë ditë do të thërras shërbëtorin tim,

Eliakimin, birin e Hilkiahut.

21Do ta vesh me petkun tënd,

me brezin tënd do ta ngjesh,

pushtetin tënd do t'ia jap atij.

Do të jetë atë për banorët e Jerusalemit

e për shtëpinë e Judës.

22Mbi supe do t'i vë çelësin e shtëpisë së Davidit;

ai do të çelë e askush s'do të mbyllë,

ai do të mbyllë e askush s'do të çelë.

23Do ta ngul si kunjin në tokë të fortë,

froni i tij do të jetë lavdi për shtëpinë e atit të tij.

24Prej tij do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij,

filizat e rinj e tërë degët,

të gjitha enët e vogla,

nga kupat deri te qypat e çdo lloji.

25Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive,

do të hiqet kunji i ngulur në tokë të fortë,

do të këputet e do të bjerë,

gjithçka e varur tek ai do të copëtohet,

se kështu ka folur Zoti.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help