Dalja 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Zoti premton shpëtimin

1 Zoti i tha Moisiut: «Tani do të shohësh se çfarë do t'i bëj faraonit. Për shkak të dorës sime të fuqishme ai do ta lërë popullin të shkojë e do ta dëbojë nga toka e tij».

2Perëndia i tha Moisiut: «Unë jam Zoti.

3Abrahamit, Isakut e Jakobit iu dëftova si Perëndia i gjithëpushtetshëm, por emrin tim Zot nuk ua tregova.

4Unë bëra edhe një besëlidhje me ta që t'u jepja tokën e Kanaanit, tokën në të cilën banuan si të huaj.

5E kam dëgjuar rënkimin e izraelitëve që po shtypen nga egjiptianët dhe u kujtova për besëlidhjen time.

6Prandaj thuaju izraelitëve: unë, Zoti, do t'ju nxjerr nga zgjedha e Egjiptit, do t'ju çliroj nga skllavëria e tyre dhe do t'ju shpëtoj duke i goditur me krah të fuqishëm e me gjykime të rënda.

7Do t'ju marr për popullin tim dhe do të jem Perëndia juaj. Atëherë do ta dini se unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga zgjedha e Egjiptit.

8Do t'ju çoj në tokën që u betova për t'ia dhënë Abrahamit, Isakut e Jakobit dhe unë, Zoti, do t'jua jap për pronë».

9Kështu u tha Moisiu izraelitëve, por ata nuk e dëgjuan se ishin ligështuar nga puna e rëndë.

10Atëherë Zoti i tha Moisiut:

11«Shko e fol me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t'i lërë izraelitët të ikin nga toka e tij».

12Moisiu iu përgjigj: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni kur nuk më dëgjuan as vetë izraelitët?».

13Por Zoti i foli Moisiut e Aronit dhe i urdhëroi izraelitët e faraonin, mbretin e Egjiptit, që izraelitët të dilnin nga toka e Egjiptit.

Breznitë e Moisiut dhe të Aronit

14Këta janë krerët e shtëpive të izraelitëve. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, janë Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. Këto janë familjet e Rubenit.

15Bijtë e Simeonit janë Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje. Këto janë familjet e Simeonit.

16Këta janë emrat e bijve të Levit sipas breznive: Gershoni, Kohati dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

17Bijtë e Gershonit janë Libniu e Shimei sipas familjeve të tyre.

18Bijtë e Kohatit janë Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Kohati jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet.

19Bijtë e Merarit janë Mahliu e Mushiu. Këto janë familjet e Levit sipas breznive.

20Amrami mori për grua Johebedën, të emtën. Ajo i lindi Aronin e Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

21Bijtë e Icharit janë Korahu, Nefegu e Zikriu.

22Bijtë e Uzielit janë Mishaeli, Elcafani e Sitri.

23Aroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit, motrën e Nahshonit. Ajo i lindi Nadabin, Abihuin, Eleazarin e Itamarin.

24Bijtë e Korahut janë Asiri, Elkanahu e Abiasafi. Këto janë familjet e Korahitëve.

25Ndërsa Eleazari, biri i Aronit, mori për grua një nga bijat e Putielit. Ajo i lindi Finehasin. Këta janë krerët e etërve të levitëve sipas familjeve të tyre.

26Ky është Aroni e Moisiu që Zoti u tha: «Nxirrini izraelitët nga toka e Egjiptit sipas grupimeve të tyre».

27Moisiu e Aroni ishin ata që i folën faraonit, mbretit të Egjiptit, për të nxjerrë izraelitët nga Egjipti.

28Ditën kur Zoti i foli Moisiut në tokën e Egjiptit,

29i tha: «Unë jam Zoti! Thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, gjithçka që po të them».

30Moisiu iu përgjigj Zotit: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni?».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help