Jeremia 9 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1«Kush do të më japë në shkretëtirë

një bujtinë udhëtarësh?

Do ta braktisja popullin tim e do të ikja prej tij,

se janë të tërë kurorëshkelës,

një mori tradhtarësh.

2E ndehin gjuhën porsi hark,

mashtrimi e jo besnikëria përtërihet mbi tokë,

se bëjnë ligësi pas ligësie

e mua nuk më njohin, kumton Zoti.

3Secili duhet të ruhet nga i afërti i vet,

as te vëllai mos kini besim,

se çdo vëlla mashtron prore,

çdo i afërt shkon duke shpifur.

4Secili e mashtron të afërtin

e nuk thotë të vërtetën.

E kanë ushtruar gjuhën për të gënjyer,

u këputën duke bërë ligësi.

5Banojnë në mes të mashtrimit

e për shkak të mashtrimit

s'pranojnë të më njohin,

kumton Zoti.

6Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive:

ja, do t'i spastroj e do t'i sprovoj,

se si duhet të sillem me bijën e popullit tim?

7Shigjetë therëse është gjuha e tyre,

me mashtrim flet goja e tyre.

I urojnë paqen të afërtit, por me mend i ngrenë kurth.

8Mos vallë s'do t'i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti.

Mos vallë s'do të hakmerrem me një komb si ky?

9Mbi male do ta ngre gjëmën e vajin

e në kullotat e shkretëtirës ankimin,

se janë të shkreta, askush nuk i përshkon

e nuk dëgjohet britma e bagëtisë,

që nga zogjtë e qiellit deri te bagëtitë

shkuan e vanë.

10Do ta kthej Jerusalemin në një grumbull gurësh,

në strofkë çakejsh.

Qytetet e Judës do t'i bëj djerrinë,

se do të mbesin pa banorë.

11Cili njeri i urtë e kupton këtë?

Kujt i foli goja e Zotit, që ta shpallë?

Pse është rrënuar toka,

si një shkretëtirë ku nuk kalon askush?

12Thotë Zoti: meqë e braktisën ligjin që u parashtrova dhe nuk e dëgjuan zërin tim e nuk e ndoqën,

13por ndoqën zemërngurtësinë e vet dhe Baalët, siç i kishin mësuar etërit e tyre,

14prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do ta koj këtë popull me pelin dhe do t'i jap të pijë ujë të helmuar.

15Do t'i shpërndaj nëpër kombe, të cilat nuk i kanë njohur as ata, as etërit e tyre dhe do t'u dërgoj shpatën që t'i ndjekë derisa t'i kem shfarosur.

16Kështu thotë Zoti i ushtrive: vini re! Thirrni vajtueset të vijnë! Thirrni më të zonjat të vijnë».

17«Të nxitohen, t'ia nisin vajit mbi ne,

që sytë tanë të derdhin lot

e qepallat tona të rrjedhin çurg,

18se një zë vajtimi dëgjohet në Sion:

“Si u rrënuam! Turp për ne, se e braktisëm vendin

e i shembën banesat tona”.

19Dëgjojeni, o gra, fjalën e Zotit,

ta pikasë veshi juaj fjalën e gojës së tij

që t'u mësoni vajtimin bijave tuaja

dhe gratë kujën njëra-tjetrës.

20Se vdekja u kacavar në dritaret tona,

u fut në pallatet tona,

për t'i këputur foshnjat nëpër rrugë,

të rinjtë nëpër sheshe.

21Shpall! Kështu kumton Zoti:

do të bien kufomat njerëzore

si plehu përmbi ara,

si duajt pas korrtarit, që s'ka kush i mbledh.

22Kështu thotë Zoti:

të mos mburret i dituri me diturinë e vet,

të mos mburret i forti me forcën e vet,

të mos mburret i pasuri me pasurinë e vet!

23Por nëse mburret, le të mburret me këtë: se është i mençur e më njeh, se jam Zoti që vepron me dashuri, me të drejtë e drejtësi mbi tokë, se këto më pëlqejnë, kumton Zoti.

24Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do t'i ndëshkoj të gjithë të rrethprerët në lafshë,

25Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, të Moabit, si edhe të gjithë ata që banojnë në shkretëtirë me tëmtha të qethur, se të gjitha kombet janë të parrethprera, ndërsa mbarë shtëpia e Izraelit është e parrethprerë në zemër».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help