Jeremia 36 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Jehojakimi djeg shkrimet e Jeremisë

1Në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, Jeremisë iu drejtua kjo fjalë e Zotit e i tha:

2«Merr një rrotull e shkruaj në të të gjitha fjalët që të thashë kundër Izraelit, kundër Judës e kundër të gjitha kombeve, që nga koha e Josisë e deri më sot.

3Ndoshta njerëzit e shtëpisë së Judës do të dëgjojnë të gjithë zezonën që kam ndër mend të bëj kundër tyre, prandaj do të heqin dorë secili nga sjellja e vet e ligë e unë do t'ua fal fajin e mëkatin».

4Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi në rrotull çfarë i tha Jeremia, të gjitha fjalët që i kishte thënë Zoti.

5Atëherë Jeremia urdhëroi Barukun e i tha: «Unë e kam të ndaluar e nuk mund të shkoj në tempullin e Zotit,

6prandaj shko ti në tempullin e Zotit, në një ditë agjërimi dhe lexo fjalët e Zotit në rrotullën që shkrove siç të thashë unë. Lexoji që t'i dëgjojnë edhe të gjithë judenjtë që do të vijnë prej qyteteve të tyre.

7Ndoshta përgjërimi i tyre do të mbërrijë para Zotit dhe secili do të heqë dorë prej sjelljeve të veta të liga, sepse i madh është zemërimi e hidhërimi që lajmëroi Zoti kundrejt këtij populli».

8Baruku, biri i Neriahut, bëri gjithçka i urdhëroi profeti Jeremi për leximin e librit të fjalëve të Zotit në tempullin e Zotit.

9Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, në muajin e nëntë, u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jerusalemit dhe për të gjithë popullin që kishte ardhur në Jerusalem prej qyteteve të Judës.

10Baruku lexoi rrotullën, para gjithë popullit, fjalët e Jeremisë, në tempullin e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në tremen e epërme, te hyrja e Portës së Re të shtëpisë së Zotit.

11Mikea, biri i Gemariahut, të birit të Shafanit, i dëgjoi të gjitha fjalët e Zotit të lexuara nga rrotulla,

12zbriti nga pallati mbretëror në dhomën e shkruesit dhe, ja, ishin ulur të gjithë prijësit: Elishamai, shkrues; Delajahu, biri i Shemajahut; Elnatani, biri i Akborit; Gemariahu, biri i Shafanit, Sedekia, biri i Hananiahut dhe të gjithë prijësit.

13Mikea u tregoi të gjitha fjalët që kishte dëgjuar kur Baruku kishte lexuar rrotullën para popullit.

14Atëherë të gjithë prijësit dërguan Jehudiun, birin e Netanjahut, të birit të Shelemiahut, të birit të Kushit, për t'i thënë Barukut: «Merre në dorë rrotullën që lexove para popullit dhe eja». Atëherë Baruku, biri i Neriahut, mori në dorë rrotullën e shkoi tek ata.

15I thanë: «Ulu e lexoje para nesh». Baruku e lexoi para tyre.

16Kur i dëgjuan të gjitha ato fjalë, u kthyen tërë frikë nga njëri-tjetri e i thanë Barukut: «Të gjitha këto fjalë duhet t'ia tregojmë mbretit».

17Pastaj e pyetën Barukun: «Na trego, pra, si i shkrove të gjitha këto fjalë. Prej gojës së tij?».

18Baruku u përgjigj: «Ai m'i shpalli të gjitha këto fjalë dhe unë i shkrova me bojë në rrotull».

19Prijësit i thanë Barukut: «Shko e fshihu ti dhe Jeremia e të mos e marrë vesh njeri ku gjendeni».

20Ata shkuan te mbreti në treme, pasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe i treguan mbretit gjithçka.

21Atëherë mbreti dërgoi Jehudiun të merrte rrotullën. Jehudiu e mori nga dhoma e Elishamait, shkruesit, dhe e lexoi para mbretit e para të gjithë prijësve që rrinin më këmbë pranë mbretit.

22Mbreti rrinte ulur në pjesën dimërore të pallatit dhe kishte përpara mangallin me zjarrin ndezur, se ishte muaji i nëntë.

23Pasi Jehudiu lexoi tri a katër shtylla, mbreti filloi t'i priste me briskun e shkruesit dhe t'i hidhte në zjarr, në mangall, derisa tërë rrotulla u dogj në zjarrin e mangallit.

24As mbreti e as prijësit e tij nuk u trembën e nuk i shqyen petkat kur i dëgjuan këto fjalë.

25Edhe kur Elnatani, Delajahu e Gemariahu iu lutën mbretit të mos e digjte rrotullën, ai nuk i dëgjoi,

26përkundrazi, urdhëroi Jerahmelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit, dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, t'i kapnin Barukun, shkruesin, dhe profetin Jeremi. Por Zoti i kishte fshehur.

27Pasi mbreti e dogji rrotullën me fjalët që kishte shkruar Baruku siç kishin dalë nga goja e Jeremisë, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha:

28«Merr prapë një rrotull tjetër e shkruaj në të të gjitha fjalët që ishin në rrotullën e mëparshme, të cilën e dogji Jehojakimi, mbreti i Judës.

29Shpall kundër Jehojakimit, mbretit të Judës: “Kështu thotë Zoti: ti e dogje atë rrotull duke thënë: ‘Pse ke shkruar se vërtet do të vijë mbreti i Babilonisë, do ta shkatërrojë këtë vend e do të zhbijë njerëz e kafshë?’.

30Prandaj, kështu thotë Zoti kundër Jehojakimit, mbretit të Judës: nuk do të ketë kush të ulet pas tij në fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet përjashta, në vapën e ditës e në acarin e natës.

31Unë do ta ndëshkoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij, për shkak të ligësisë së tyre. Mbi ta, mbi banorët e Jerusalemit dhe mbi popullin e Judës do të dërgoj tërë zezonën që lajmërova kundër tyre, por ata nuk më dëgjuan”».

32Jeremia mori një tjetër rrotull e ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi çfarë doli nga goja e Jeremisë, të gjitha fjalët e rrotullës, që kishte djegur në zjarr Jehojakimi, mbreti i Judës. Atyre fjalëve iu shtuan edhe shumë të tjera si ato.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help