1 Kronikave 11 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vajosja e Davidit

1Të gjithë izraelitët u mblodhën te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote e mishi yt.

2Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret, ti i prije Izraelit. Zoti, Perëndia yt, të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i popullit tim, Izraelit”».

3Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe Davidi bëri besëlidhje me ta në Hebron, para Zotit. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin, siç kishte thënë Zoti, me anë të Samuelit.

4Davidi shkoi me mbarë Izraelin në Jerusalem, domethënë në Jebus, sepse në atë tokë banonin jebusitët.

5Banorët e Jebusit i thanë Davidit: «Ti nuk do të hysh këtu», por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit, domethënë qytetin e Davidit.

6Davidi kishte thënë: «Kush i godet i pari jebusitët, do të bëhet kryetar e prijës». Atëherë Joabi, biri i Cerujahut, ishte ngjitur i pari e ishte bërë kryetar.

7Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj e quajnë Qyteti i Davidit.

8Ai e rindërtoi qytetin nga Miloja përreth, ndërsa Joabi ndërtoi pjesën tjetër të qytetit.

9Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Zoti i ushtrive ishte me të.

Trimat e Davidit

10Këta janë krerët e trimave të Davidit, që u forcuan bashkë me të, me mbretërinë e tij e me mbarë Izraelin dhe që e bënë mbret mbi Izraelin, sipas urdhrit të Zotit.

11Emrat e trimave të Davidit janë këta: Jashobeami, biri i Hakmoniut, kryetar i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve e i vrau njëherësh.

12Pas tij vjen Eleazari, biri i Dodo Ahohitit, njëri ndër tre trimat.

13Ai ishte me Davidin në Pas Damim, kur filistinët u mblodhën aty për betejë. Aty gjendej një arë plot me elb, ku njerëzia mori arratinë prej filistinëve.

14Atëherë zuri vend në mes të arës dhe e mbrojti. I goditi filistinët dhe Zoti i shpëtoi në mënyrë të madhërishme.

15Tre prej tridhjetë kryetarëve zbritën te shkëmbi, pranë Davidit, te shpella e Adulamit. Fushimi i filistinëve ishte vendosur në luginën e Refaitëve.

16Në atë kohë Davidi gjendej në fortesë, ndërsa çeta e filistinëve ishte në Betlehem.

17Davidi shprehu një dëshirë: «Kush mund të më japë të pi nga pusi që është te porta e Betlehemit?».

18Këta të tre çanë fushimin e filistinëve dhe nxorën ujë nga pusi që ishte te porta e Betlehemit. E morën dhe ia sollën Davidit për ta pirë, por ai nuk deshi ta pinte dhe e stërpiku për Zotin.

19Pastaj tha: «Larg qoftë ta bëj këtë gjë para Perëndisë! A duhet ta pi gjakun e jetës së këtyre burrave? Ata vunë në rrezik jetën për ta sjellë». Prandaj nuk pranoi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.

20Abishai, vëllai i Joabit, ishte kryetari i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve, i vrau e bëri emër bashkë me këta të tre.

21Ai ishte më i njohuri ndër të tre dhe u bë prijësi i tyre, megjithatë nuk i arriti dot.

22Benajahu, biri i Jehojadait, burrë i guximshëm e punëmadh, ishte nga Kabceli. Ai vrau dy njerëz të Ariel Moabit. Pastaj, një ditë me borë, zbriti në një pus e vrau një luan.

23Ai vrau edhe një egjiptian, një burrë shtatmadh, pesë kutesh, i cili mbante në dorë një heshtë sa një bosht tezgjahu. Iu sul me një shkop, ia hoqi heshtën nga dora dhe e vrau me heshtën e vet.

24Këto gjëra bëri Benajahu, biri i Jehojadait, dhe bëri emër ndër këta të tre.

25U bë i lavdishëm bashkë me ata të tre, megjithatë nuk i arriti dot. Davidi e vuri në krye të truprojës së vet.

26Trimat guximtarë ishin Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, biri i Dodoit, nga Betlehemi,

27Shamot Haroriti, Halec Peloniti,

28Irai, biri i Ikesh Tekoitit, Abiezer Anatotiti,

29Sibeka Hushatiti, Ila Ahohiti,

30Mahara Netofatiti, Heledi, biri i Banah Netofatitit,

31Itai, biri i Ribait nga Gibeahu, prej bijve të Benjaminit, Benajah Piratoniti,

32Hurai nga Vau i Gashit, Abiel Arbatiti,

33Azmavet Baharumiti, Eliakba Shalboniti,

34bijtë e Hashem Gizonitit, Jonatani, biri i Shageh Hararitit,

35Ahiami, biri i Sahar Hararitit, Elifali, biri i Urit,

36Hefer Meheratiti, Ahijah Peloniti,

37Hecro Karmeliti, Narai, biri i Ezbait,

38Joeli, vëllai i Natanit, Mibhari, biri i Hagriut,

39Celek Amoniti, Nahra Berotiti, armëmbajtësi i Joabit, të birit të Cerujahut,

40Ira Hitriti, Gareb Hitriti,

41Urjah Hititi, Zabadi, biri i Ahlait,

42Adinai, biri i Shiza Rubenitit, kryetar i tridhjetë rubenitëve,

43Hanani, biri i Makahut, Joshafat Mitniti,

44Uzia Ashteratiti, Shamai e Jejeli, të bijtë e Hotam Aroeritit,

45Jediaeli, biri i Shimriut, dhe Joha Ticiti, vëllai i tij,

46Eliel Mahaviti me Jeribain e Joshaviahun, të bijtë e Elnamit, Itmah Moabiti,

47Elieli, Obedi e Jasiel Mecobaiti.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help