Siraku 11 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Dukja gënjen

1Urtia e bën ballëlartë të përulurin,

e vë të ulet me të mëdhenjtë.

2Mos ia lëvdo burrit hijeshinë,

mos e përçmo njeriun nga pamja.

3E vogël është bleta mes kandrrave,

por mjalti i saj, kulmi i ëmbëlsisë.

4Mos u mburr me rrobat që vesh,

kur të të lëvdojnë, mos u kreno,

se të mrekullueshme janë veprat e Zotit,

të fshehta punët e tij për njerëzit.

5Shumë sundimtarë u ulën përtokë,

ai që nuk e pandehte u kurorëzua.

6Shumë sundimtarë u çnderuan keq,

burra të lavdishëm u ranë në dorë të tjerëve.

7Mos gjyko pa hetuar,

mos ndëshko pa kuptuar.

8Mos u përgjigj pa dëgjuar,

mos ndërhy në mes të fjalimit.

9Në gjëra që nuk të nevojiten, mos u përziej,

mos u ul në kuvendet e mëkatarëve.

10O bir, mos u merr me shumë gjëra,

po ta teprosh nuk del palarë,

po të ngutesh, nuk mbërrin,

nuk shpëton duke vrapuar.

11Ka punëtorë që lodhen e nguten,

por mbeten nevojtarë.

12Ka të ngathët nevojtarë,

të pafuqishëm e të mbytur nga varfëria,

që Zoti i vështron me mirësi.

Ai i ngre nga poshtërimi,

13ua ngre kryet lart,

e për këtë habiten shumë njerëz.

14Të mirat e të këqijat, jeta e vdekja,

varfëria e pasuria, prej Zotit vijnë.

15[Urtia, dituria e njohja e ligjit, prej Zotit vijnë.

Dashamirësia dhe kryerja e veprave, prej tij vijnë.

16Mashtrimi dhe errësira me mëkatarët lindën.

Ata që krenohen me ligësinë, në ligësi do të plaken.]

17Dhurata e Zotit mbetet me besnikët,

mirësia e tij do t'u prijë përjetë.

18Dikush pasurohet me kujdes e kursime

dhe merr shpërblimin e vet.

19Ai thotë: «Tani do të pushoj

e do të ha të mirat e mia»,

por nuk e di kur do t'i soset koha,

kur do të vdesë e t'u lërë gjithçka të tjerëve.

20Rriji fjalës e mbaje,

moshohu duke bërë punën tënde.

21Mos u mahnit me veprat e mëkatarit,

besoji Zotit e duroje mundin tënd,

se për Zotin është e lehtë

ta pasurojë të varfrin.

22Bekimi i Zotit e shpërblen besnikun,

ai e çel menjëherë bekimin e tij.

23Mos thuaj: «Ç'nevojë kam unë?

Ç'të mira të tjera më duhen?».

24Mos thuaj: «Jam zot i vetes,

ç'e keqe mund të më ndodhë?».

25Në ditën e begatisë harrohen të këqijat,

në ditë të keqe nuk kujtohet begatia.

26Zoti e ka të lehtë në ditën e mbrame,

e shpërblen njeriun sipas veprave të tij.

27Koha e ligë e fshin kënaqësinë,

kur i vjen fundi njeriut zbulohen veprat e tij.

28Para se t'i vijë fundi mos quaj të lum askënd,

njeriu njihet nga fëmijët e vet.

29Mos fut këdo në shtëpi,

të shumta janë kurthet e dinakut.

30Si pëllumbi në kafaz është zemra e krenarit,

si spiun ai e vëzhgon rënien,

31mezi pret t'i kthejë të mirat në të liga,

çdo pune të mirë i gjen një të metë.

32Nga një shkëndijë hapet zjarri në thëngjij,

njësoj mëkatari mezi pret të derdhë gjak.

33Ruhu nga keqbërësi që thur ligësi,

se ta hedh ty gjithmonë fajin.

34Fute në shtëpi të huajin e ai ta trazon qetësinë,

të largon nga njerëzit e tu.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help