1Pas pak kohe, mbreti dërgoi një plak athinas që t'i nxitte judenjtë të braktisnin traditën e të parëve e të mos i zbatonin ligjet e Perëndisë,
2ta përdhosnin tempullin e Jerusalemit e t'ia kushtonin Zeusit të Olimpit, kurse atë në Gerizim, Zeusit Mikpritës, siç u shkonte për shtat banorëve të atij vendi.
3Përhapja e të keqes ishte e rëndë dhe e ashpër për të gjithë.
4Tempulli ishte mbushur me shthurjen dhe zdërhalljen e kombeve, të cilët shkonin me lavire, kryenin marrëdhënie me gra në tremet e shenjta e fusnin brenda gjëra të ndaluara.
5Altari ishte mbushur me fli të neveritshme që ligjet i ndalonin.
6Nuk mbaheshin të shtunat, nuk kremtoheshin festat e etërve dhe askush nuk thoshte haptas se ishte jude.
7Gjatë festimeve mujore për ditëlindjen e mbretit i detyronin me dhunë të merrnin pjesë në kushtimin e flisë. Kur binin festat e Dionisit, i detyronin të merrnin pjesë me kurora urthi në parakalimin në nder të Dionisit.
8Me nismën e Ptolemeut u shpall urdhri që qytetet helene t'i detyronin judenjtë të zbatonin traditën helene e të hanin nga flitë e tyre.
9Kush nuk zbatonte traditat helene do të vritej. Mjerimi që u kishte rënë ishte i dukshëm.
10Dy gra që u paditën se kishin rrethprerë fëmijët, i kapën. Ua varën fëmijët në gji, i shëtitën haptas nëpër qytet e i hodhën nga muri.
11Disa të tjerë, që ishin mbledhur në shpellat aty rrotull për të festuar të shtunën, u paditën te Filipi dhe u dogjën të gjithë bashkë, sepse ata nuk u mbrojtën, që të ruanin shenjtërinë e asaj dite.
12Atyre që lexojnë këtë libër u lutem të mos mpaken prej këtyre mjerimeve e të kuptojnë se këto ndëshkime nuk u bënë për ta shkatërruar popullin tonë, por për ta ndrequr.
13Kur përdhosësit nuk lihen të qetë për shumë kohë, por ndëshkohen menjëherë, kjo është shenjë e mirësisë së madhe.
14Zoti i pret me durim kombet e tjera dhe i ndëshkon kur mbushin masën e mëkateve të tyre, por me ne nuk bën kështu,
15që të mos na ndëshkojë kur të arrijmë në kulmin e mëkateve tona.
16Prandaj nuk e ka tërhequr kurrë mëshirën e vet nga ne, por përmes fatkeqësive na mëson se nuk do ta braktisë popullin e vet.
17Kjo që u tha vlen si përkujtesë. Duhet të vijojmë edhe pak me tregimin.
Vdekja e Eleazarit18Eleazarit, njërit nga shkruesit e rëndësishëm, burrë i shtyrë në moshë e i pashëm, i hapën gojën me zor, që të hante mish derri.
19Eleazari zgjodhi më mirë vdekjen, sesa jetën e përdhosur, prandaj shkoi vetë te vendi i mundimit
20duke e pështyrë mishin, siç duhet të bëjnë ata që kanë vendosur të mos shijojnë çfarë nuk është e lejuar, ndonëse e duan jetën.
21Ata që ishin të ngarkuar për flijimet e paligjshme e morën mënjanë për hir të njohjes së gjatë dhe i thanë të merrte me vete mishin e vet, që i lejohej ta hante dhe që e kishte gatuar vetë, e të shtirej se po hante mishin e flisë, siç kishte urdhëruar mbreti.
22Duke vepruar kështu, do t'i shpëtonte vdekjes dhe, për hir të miqësisë së vjetër, do të silleshin njerëzishëm me të.
23Por ai mori një vendim të lartë që i kishte hije moshës së tij, nderit të pleqërisë, pamjes së thinjave, sjelljes së shkëlqyer që në fëmijëri, por më shumë ligjeve të shenjta të caktuara prej Perëndisë, prandaj u përgjigj menjëherë dhe kërkoi ta çonin në skëterrë.
24«Shtirja nuk është e denjë për moshën time. Shumë prej të rinjve do të mendojnë se Eleazari nëntëdhjetë vjeçar ndërroi doke
25dhe do të mashtrohen për shkak të shtirjes sime, vetëm që unë të jetoj pak më shumë, duke i vënë njollë e damkë pleqërisë sime.
26Edhe sikur ta shmang tani dënimin e njerëzve, nga duart e të gjithëpushtetshmit nuk shpëtoj dot as i gjallë, as i vdekur.
27Prandaj e mohoj jetën burrërisht, që të tregohem i denjë për pleqërinë
28e t'u lë të rinjve një shembull trimërie, si të vdesin me dëshirë e fisnikëri për ligjet e shenjta e të nderuara». Pasi tha këto fjalë, shkoi menjëherë drejt vendit të mundimit.
29Ata që më parë i kishin treguar mirësi, u bënë të ligj, sepse fjalët që kishte thënë ishin marrëzi për ta.
30Kur po vdiste për shkak të goditjeve, gjëmoi e tha: «Zoti, me dijen e shenjtë, e di mirë se, edhe pse kisha mundësi t'i shpëtoja vdekjes, po duroj vuajtje mizore në trup nën fshikull, por në shpirt i duroj me ëndje, sepse kam drojën e tij».
31Kështu vdiq dhe e bëri vdekjen e vet shembull bujarie e kujtesë virtyti jo vetëm për të rinjtë, por për shumicën e kombit.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.